Pas anglishtes, publikohet në rrjete sociale edhe teza e frëngjishtes, 30 minuta pas fillimit të provimit

51
Sigal

Si çdo vit, përsëritet skenari i njohur me rrjedhjen e tezave të provimeve të Maturës Shtetërore.

Vetëm pak minuta pasi kishte nisur provimi i Gjuhës së Huaj, në rrjete sociale filluan të qarkullojnë pjesë nga teza e gjuhës angleze.

Ndërkohë, nuk ka kaluar shumë dhe në rrjet është publikuar edhe varianti i tezës së Frëngjishtes, një tjetër provim alternativ që zhvillohet paralelisht me anglishten në disa shkolla të vendit.

Tezat, që duhet të mbeten konfidenciale deri në përfundim të testit, janë shpërndarë në rrjet rreth 30 minuta pas nisjes së provimit.

Kjo është një shkelje e rëndë e rregullores së Maturës Shtetërore dhe hedh hije dyshimi mbi mënyrën e administrimit dhe sigurisë së provimeve.

Sot, të martën më 3 qershor, rreth 27 mijë maturantë në të gjithë vendin i janë nënshtruar provimit të parë të Maturës, atij të Gjuhës së Huaj, duke hapur zyrtarisht sezonin e provimeve që do të zgjasë deri më 24 qershor.

Provimi nisi në orën 10:00 dhe përfundon në 12:30, ndërsa zhvillohet në rreth 145 qendra provimi, të cilat administrohen nga staf i trajnuar sipas rregullores përkatëse.