Pas 2 vjetësh ‘në hetim’, skandali 15 mln. euro i Porto Romanos, po digjet me plehrat, për të shpëtuar oligarkt

Komisioni Hetimor Parlamentar pritet t’i ngarkojë SPAK-ut detyrën për të thelluar hetimin e ndërlikuar mbi inceneratorët, ndërkohë që prokurorët specialë nuk po i japin zgjidhje një çështjeje shumë më të thjeshtë, atë të tenderit 15 milionë euro për shndërrimin e landfillit të Porto Romanos në Eko-Park. Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) njoftoi, në shkurt 2020, nisjen e hetimeve për tenderin e zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Mbetjeve për mbylljen e vend-depozitimit të mbeturinave në Durrës.

Dy vjet pas regjistrimit të procedimit penal, SPAK ende nuk ka dalë në një konkluzion, megjithëse hetimi bazohej thjesht dhe vetëm në tre-katër dokumenta, për të cilët redaksia ngriti menjëherë dyshimin se ishin hartuar për të pilotuar tenderin 15 milionë euro në duart e atij që konsiderohet si “klani i inceneratorëve”.

Sigal

Në 19 tetor 2019, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Mbetjeve Urbane (AKUM), e drejtuar në atë kohë nga deputeti i sotëm socialist, Alqi Bllako, shpall tenderin e hapur për kthimin e Porto Romanos në Eko-Park, me vlerë 16 miliardë lekë të vjetra pa TVSH.

Tenderi duhej të mbyllej në 19 nëntor, por nuk ndodhi kështu.

Në 16 dhjetor 2019, njoftohet anulimi i tenderit, pasi fondet do të përdoreshin për pasojat e tërmetit të 26 nëntorit të atij viti.

Vetëm pak ditë më vonë, e konkretisht në 27 dhjetor 2019, Agjencia e Mbetjeve nën drejtimin e Bllakos, njofton se kishte lidhur kontratën 15 milionë euro me bashkimin e operatorëve “De Mare” srl” dhe “Victoria Invest”.

Pra, duket se paratë ishin gjetur. Por, ndryshe nga hera e parë, kësaj radhe sipas boldneës Bllako kishte zgjedhur të përdorte procedurën pa garë, atë të “negocimit pa shpallje”.

Bllako e justifikoi këtë procedurë me emergjencën e shpallur pas tërmetit, megjithëse në landfillin e Porto Romanos, përveç plehrave, nuk kishte asgjë tjetër.

Bazuar në këtë procedurë pa garë, AKUM i dërgoi ftesë për pjesëmarrje në tender kompanisë “De Mare”, e cila kishte punuar si nënkontraktor i landfillëve të dhënë me koncension Klodian Zotos, kompaninë “ITS” të vetë Zotos, si edhe “Victoria Invest”.

“De Mare” srl dhe “Victoria Invest” u bashkuan dhe fituan tenderin 15 milionë euro, në një garë në dukje “fiktive” përballë “Integrated Technology Service” të Klodian Zotos.

 

Refuzohet leja për inceneratorin e Zotos në Fier, nuk plotëson një seri kushtesh

Refuzohet leja mjedisore për inceneratorin e Fierit. Ministria e Mjedisit nuk i ka dhënë leje për incenerimin e mbetjeve, pasi sipas saj kompania e Klodian Zotos nuk përmbush 12 kritere, kryesisht atë të kapacitetit teknik të impiantit. Me këtë vendim duket se do të shtyhet sërish afati për nisjen e djegieve të mbeturinave. Javën e kaluar kryeministri Rama dhe zyrtarët e tij deklaruan para komisionit hetimor se inceneratori i Fierit do të nisë punën pas 45 ditësh.

Kryeministri Edi Rama dhe zyrtarët e tij të lartë u treguan në unison me kompaninë e Zotos, kur deklaruan para Komisionit Hetimor Parlamentar se inceneratori i Fierit do të nisë brenda 45 ditësh.

Por, Djegësi i Fierit nuk mund të jetë në funksion, për shkak se ai nuk ka Leje Mjedisore. Në 31 janar të këtij viti, Ministria e Turizmit ka refuzuar kërkesën e kompanisë koncesionare ‘Integrated Technology Ëaste Fier’ për t’u pajisur me Leje Mjedisore të Tipit A. Kjo Leje përfshin incenerimin e mbetjeve urbane jo të rrezikshme dhe ato të kafshëve.

Në dokumentimin e nënshkruar nga ministrja Mirela Kumbaro renditen 12 pika, të cilat nuk janë përmbushur nga kompania koncensionare. Mangësitë lidhen si me kapacitetin teknik të impiantit, ashtu edhe me mungesën e konsultimeve publike e me diferencat ndërmjet parametrave të shënuar në kërkesë me situatën në terren.

Bazuar në shënimet e renditura nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, krijohet bindja se kompania koncensionare e ka shumë të vështirë që të nisë incenerimin e mbetjeve urbane brenda afatit të deklaruar gjatë punimeve të Komisionit Hetimor Parlamentar.

Kompania në pronësi absolute e biznesmenit në arrati, Klodian Zoto, nënshkroi në vitin 20016 kontratën koncensionare për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Fierit.Ndërtimi i Djegësit duhet të përfundonte në Tetor 2019.

Por, në Shtator 2020, Ministria e Mjedisit dhe kompania private nënshkruan një deklaratë për shtyrjen e punimeve deri në mars 2021. Kur ka kaluar një vit nga përfundimi i këtij afati, inceneratori i Fierit ende nuk është vënë në funksion dhe, me mungesë Leje Mjedisore, nuk dihet se kur do të djegë mbeturinat urbane.

 

Ku gabojnë PS e PD me shumën 430 milionë euro për inceneratorin e Tiranës

Në inceneratorin e Tiranës paguhet 29 euro për çdo ton mbetje, por kosto reale e përpunimit rezulton 12.5 euro për ton

Edi Rama insistoi në Komisionin Hetimor Parlamentar për Inceneratorët që opozita t’i gjente, se ku ishin 430 milionë eurot që ajo deklaronte se po vidheshin me inceneratorin e Tiranës nëpërmjet një kontrate që ajo e konsideron abuzive.“Nuk jam këtu për letra, jam për lekët. Dua 430 milionë eurot. Ose mua m’i kanë marrë, ose po bëjnë hajgare me popullin shqiptar. Aty e kam mendjen. Ku janë 430 milionë eurot? Ku janë?” – i hakërrehej ai kryetares së Komisionit, Jorida Tabakut. Tabaku insistoi që shuma ishte e saktë.“Sot Rama dështoi të thoshte se ku kanë shkuar 430 milionë euro duke injoruar çdo ligj dhe Kushtetutën dhe refuzoi të thoshte të vërtetën”,- tha ajo në një konferencë për shtyp pas mbledhjes që zgjati 10 orë.

Jorida Tabaku duke folur pas Komisionit për Inceneratorët: Por a janë vjedhur realisht 430 milionë euro me kontratën koncesionare të inceneratorit të Tiranës, të fituar nga “Integrated Energy” e Klodian Zotos? Mbetjet po kapsulohen aktualisht në landfillin e Sharrës dhe procesi e ka një kosto. Nëse inceneratori do të ishte ndërtuar, kostot do të ishin akoma më të mëdha. Nisur nga kjo, Partia Demokratike duket se gabon kur e quan të gjithën vjedhje. Aktualisht në inceneratorin e Tiranës paguhet 29 euro për çdo ton mbetje. Zoom. al ka mësuar se kostoja reale e përpunimit është 12.5 euro për ton. 16.5 euro për çdo ton plehra mbetet të jetë shuma abuzive që pretendon Partia Demokratike. Nëse këto tarifa do të mbeten në fuqi, nga një përllogaritje e thjeshtë rezulton se 150 milionë euro do të jetë konstoja e përpunimit të mbetjeve për të gjithë periudhën 30 -vjeçare të kontratës, ndërsa 280 milionë euro janë fitime ose pjesa që Partia Demokratike dyshon se po vidhet nëpërmjet një skeme të organizuar. Kjo është pjesa në të cilën ndahen palët. Partia Demokratike thotë se e gjithë shuma prej 430 milionë eurosh është vjedhje, duke mos përjashtuar këtu kostot e përpunimit. Ndërsa Partia Socialiste duket më realiste kur kësaj shume i heq koston, që i duhet kompanisë së të shpallurit në kërkim, Klodian Zoto, për t’i përpunuar mbetjet, tani përmes groposjes së tyre e më vonë nëpërmjet incenerimit.