Nga informacioni dhe të dhënat që disponoj rezulton se ditet në vijim do të jenë të nxehta dhe aspak normale për policinë e shtetit. Për çudi dhe paradoksalisht dhe pa arsye të arsyeshme kemi oficerë dhe drejtues të policisë së shtetit, të cilët janë të implikuar e të përfshirë në afera korruptive e kriminale. Pra sikundër shihet po goditet, dëmtohet e vandalizohet rendi brënda rendit nga vetë forcat e rendit. Në vijim priten, pezullime, denoncime penale, mënjanime, shkarkime madje edhe arrestime apo masa administrative nga radhët e policisë së shtetit përfshi edhe drejtues të komisariateve e të qarqeve të komisariateve. Nga janari deri sot janë arrestuar në flagrancë 23 oficerë policie, me masë sigurie janë 61 oficerë policie me masë arrest me burg, janë 18 oficerë policie me masën arrest në shtëpi janë dënuar 6 oficerë policie, ndërsa me masën pezullim i ushtrimit të detyrës në shërbim publik janë 34 oficerë policie. Kemi përjashtim nga policia 3 oficerë si dhe shtyrje të afatit të gradimit të disa rasteve. Por që të mos gozhdohemi e të mbetemi në numurimin e shëmbujve që rreshtuam e theksuam më sipër natyrshëm shtrohet pyetja: Çfarë duhet të bëjmë? Unë sugjeroj që fokusi kryesor duhet të përqëndrohet sidomos në përzgjedhjen e aspirantëve që aplikojnë për vazhdimin e studimeve në akademinë e Sigurisë, të cilët duhet domosdoshmërisht të kalojnë në sitën dhe filtrin e imët të përzgjedhjes së aspirantëve, që do të vazhdojnë studimet në akademinë e Sigurisë. Të përzgjedhurit duhet domosdoshmërisht të jenë me figurë të pastër morale, të rregullt e të disiplinuar, pa vese e me sjellje qytetarije shëmbullore dhe jo prano këdo dhe çfarëdo që të del përpara se përndryshe nuk bëjmë gjë tjetër veçse merr nga dhitë e bëj zabit. Unë do të sugjeroja modestijalisht që të përzgjedhurit aspirant, mundësisht të jenë me prejardhshmëri nga familje oficerësh, që kanë trashëguar nga familjet e tyre edukim dhe formim disiplinor. Aspirantët që do të vazhdojnë studimet në akademinë e sigurisë duhet të jenë të impenjuar, të përkushtuar e të mobilizuar maksimalisht në përvetësimin e temave, leksioneve dhe programit mësimor në tërësi. E theksojmë këtë fakt pasi nuk mjafton prirja apo talenti për t’u diplomuar si oficer ose oficere policie, por duhet shumë punë, mund, angazhim total dhe përpjekje e gjithanshme maksimale; duhet me patjetër një këmbëngulje dhe qëndresë me të vërtetë proverbiale. Të qënurit oficer është një mission i shenjtë. Oficeri është pasqyra, krenaria, ikona dhe ekselenca e shtetit, kombit dhe shoqërisë sonë. Befasohem dhe trishtohem sinqerisht kur dëgjoj që oficerë madje dhe drejtues të rëndësishëm policie përfshihen në veprimtari kriminale, korruptive, në favorizim korrupsioni, në lejimin e kultivimit dhe favorizimin e përdorimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike duke filluar nga hashashi, mariuana, heroina dhe kokaina si dhe në lejimin e trafikimit të armëve të zjarrit, lëndëve shpërthyese dhe municioneve luftarake me anën e të cilave janë bërë jo pak veprime kriminale, që kanë marrë me dhjetra dhe qindra jetë njerëzish madje edhe kalimtarë të rastit e krejt të pafajshëm. Prandaj e përsëris dhe njëherazi e theksoj nevojën dhe domosdoshmërinë e përzgjedhjes së aspirantëve, që do ta vazhdojnë Akademinë e Sigurisë.






















