Niko Dumani: Gjumi i rëndë i qytetarisë vlonjate

387
Sigal

Ne vlonjatët, por jo vetëm, jemi dëshmitarë kur Kryeministri ynë pas fushatës disamujore publikonte duke i paraprirë të ashtuquajturës “krizë energjitike”. Bajlozët  e ndotjes janë të vendosur në Portin e Peshkimit Zvërnec

 Njerëzit e thjeshtë, qytetarët, vlonjatët e “fortë” me karakter, që dinë por edhe po guxojnë të ngrejnë zërin ndaj një vendimmarrjeje të gabuar të kryeministrit, por edhe ata që në forma, e veprime nga më të ndryshmet i janë bashkuar lëvizjes “Aleanca për Vlorën” këtij zëri qytetar, që njohin dhe dallojnë të keqen, së pari, nuk është se mendojnë për të ndryshuar “botën e keqe”, por ata nuk pranojnë të ndryshohen nga “bota e keqe”. Ne vlonjatët, por jo vetëm, jemi dëshmitarë kur Kryeministri ynë pas fushatës disamujore publikonte duke i paraprirë të ashtuquajturës “krizë energjitike”. Në datën 09.09.2022 mbërritën dy “bajlozët e zinj”, (të paralajmeruar nga Lëvizja Qytetare) për të na shpëtuar nga kjo krizë e rrezikshme sipas kryeministrit. Pak ditë më parë bazuar në “ faktin e kryer”, Rama publikon me mburrje, por edhe me prepotencë se dy “Impiantet lundrues” fillojnë punën për gjenerim të energjisë elektrike me djegie gazi, ( faktikisht me djegie te“naftës së rëndë”, mazut/solar) , në janar 2023, të siguruar nga “oligarkët e naftës”. Bajlozët janë të vendosur në Portin e Peshkimit Zvërnec, Vlorë, zonë “Pejsazh i Mbrojtur Vjosë-Nartë” Kateg.V . firmosur e vulosur nga qeveria shqiptare. Pikërisht lidhur me sa thotë e bën kryeministri ynë, lehtësisht e qartësisht konstatohet se tek disa individë ka tjetërsime lidhur me një “qëndrim të caktuar”,” të qenët vetvetja si tipar i një karakteri të” fortë” personal, pra tashmë të ndryshuar nga ndikimi i qeverisë per çka thotë e bën Rama. Për “çudi” konstatohet se ka një bashkësi relativisht të madhe individësh me qëndrueshmëri karakteri të ndryshuar që “fatkeqësisht” është në nivel “popullate” që kanë tipar personaliteti të përbashkët, pavarësisht nga madhësia e popullatës. Nisur nga konsiderata teorike të ndryshuarit në kohë, në vetvete, është një veçori biologjike shumë e rëndësishme për çdo nivel gjallese përfshirë edhe vetë njerëzit, aq më mirë kur ndryshimi është në nivel “popullate”, e cila bëhet premisë e një evolucioni civilizimi social. Por, në rastin e ndikimit të një politikani jo normal, me veprime të pakontrolluara e të paligjshme, shkaktar i ndryshimit të karakterit deri në nivelin e një “popullate” fatkeqësisht në këtë rast kemi të bëjmë me REGRES të shoqërisë, kemi te bëjmë me grupime apatike, të heshtur, që nuk flasin, me pasojë individë, që nuk kanë e nuk japin mendime, që nuk dallojnë “të keqen” e janë pa ide, që nuk kontribuojnë dot, nuk janë të pavarur e vetvetiu, janë thjesht të trembur kundrejt një “kërcënimi”, janë miratues për çfarë u serviret nga propaganda mashtruese e qeveritarëve të korruptuar, mafiozë tek të cilët “shiten” e nga të cilët presin lëmoshë, përfitime, të paligjshme e të pamerituara. Vlora ka një universitet publik dhe tre privatë. Janë qindra profesorë, doktorë, doktorë-profesorë e pedagogë, që punojnë aty. Si ka mundësi që askush të mos japë mendimin e tij sidomos profesionistët me këtë që po ndodh në gjirin e Vlorës me TEC-et lundrues? Ata nuk janë thjesht rrogëtarë, por edhe qytetarë të Vlorës dhe si të tillë duhet t’i bëjnë objekt diskutimi vendosjen e Bajlozëve ( si janë emërtuar TEC-et nga disa banorë) në portin e Peshkimit Zvërnec dhe të tregojnë pasojat dhe ndikimin që do të kenë ato në një zonë të Mbrojtur siç është territori Zvërnec-Nartë, krejt Gjiri i Vlorës dhe vetë qyteti si zonë turistike. Ata duhet të flasin dhe për shndërrimet dhe shkatërrimet, që po i bën Kryeminstri sheshit Pavarësia dhe Sheshit të Flamurit. Do vazhdojnë të heshtin? Tani është koha për të folur!