Në Shqipëri hyn mbi 50 ton kokainë në vit

399
Sigal

Raporti i Europol/ Mafia shqiptare kontrollon pjesën më të madhe të tregut në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Itali, Belgjik, Zvicër, Greqi dhe vendet e tjera të BE. Prokurorët italian deklarojnë se mafja shqiptare është instaluar në Amerikën Latine dhe kontrollon tregun e kokainës duke përdorur edhe avion e nëndetëse. Mbi 50 tonë në vit qarkullon nëpërmjet Shqipërisë dhe vetëm dje në Turqi janë kapur 1.5 tonë drogë e ardhur nga vendi ynë

Mafia shqiptare kontrollon tregun e kokainës në Europë, droga me nëndetëse dhe “Ndrangheta”

 

Raport i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC) tregon se ryshfeti, korrupsioni dhe pengimi i drejtësisë janë disa nga mjetet, që lehtësojnë krimin e organizuar. Europol: Mafia shqiptare kontrollon pjesën më të madhe të tregut të kokainës

Mafia shqiptare është e shtrirë kudo në të gjithë Europën. Sipas një raporti të fundit të Europol, mafia shqiptare kontrollon pjesën më të madhe të tregut të kokainës në Mbretërinë e Bashkuar ku shtrihet në disa shtete të Europës siç është Gjermania, Belgjika, Zvicra, Bullgaria dhe Greqia.cFaqja italiane “Ilpost” i ka kushtuar një artikull mafies shqiptare dhe zgjerimit që ka pësuar në vitet e fundit duke u kthyer nga punëtorë të organizatave të tjera kriminale në modele të strukturuara sipas “Ndranghetës” italiane.

“Midis 2018 dhe 2020, shumica e arrestimeve në Evropë për trafik kokaine përfshinin shtetas shqiptarë: 266 persona, më shumë se 257 brazilianë dhe 168 kolumbianë të arrestuar në të njëjtën periudhë. Rritja e arrestimeve përkoi edhe me ndryshimin: nëse prej vitesh trafikantët shqiptarë ishin kufizuar në fuqinë punëtore të organizatave të tjera kriminale, tashmë grupet kriminale, të strukturuara sipas modelit të ‘Ndranghetës’ italiane, kanë ndërtuar marrëdhënie solide me trafikantët e drogës në Amerikën e Jugut, veçanërisht në Ekuador, kanë rritur ndikimin e tyre.

Gjatë një konference në gusht, Nicola Gratteri, prokuror në Catanzaro, i cili ka qenë i përfshirë në luftën kundër “Ndrangheta”-s për vite me radhë, tha se “për të paktën tre vjet kam thënë se në Evropë ka një mafia që po shfaqet, ajo shqiptare. Shqipëria është një vend i korruptuar, ku është e lehtë të korruptosh zyrtarët publikë. Dhe nëse largohem nga Shqipëria dhe tashmë kam fuqi ekonomike, mund të forcohem si mafia ndërkombëtare”,- tha ai.

Mes autoriteteve shqiptare, italiane dhe vendeve të tjera në muajt e fundit janë goditur disa grupe kriminale. “Ilpost” e vendos theksin te operacioni “Los Blancos” dhe Dritan Rexhepi, që ndodhet në burg në Ekuador. “Dy drejtuesit e organizatës Denis Matoshi 40 vjeç i arrestuar në Dubai dhe Dritan Rexhepi që ndodhet në burg në Ekuador”.
“Dritan Rexhepi, i konsideruar si kreu i grupit kishte shumë vite që jetonte në Ekuador. Ai kishte mbërritur pas Adriatik Tresës, liderit shumëvjeçar të mafies shqiptare në Amerikën e Jugut, i cili u vra më 20 nëntor 2020 në La Aurora, pranë Guayaquil, qytetit më të populluar të vendit”,- vijon më tej artikulli.

“Ka shumë arsye pse mafia shqiptare ka zgjedhur Ekuadorin si qendër të biznesit të saj: 700 kilometrat e kufirit me Kolumbinë, vendndodhja qendrore, portet dhe mbi të gjitha korrupsioni i përhapur mes policëve dhe gjyqtarëve. Prania e trafikantëve shqiptarë të drogës në vend është raportuar që në fillim të viteve 2000.
Deri në vitin 2016, mafia shqiptare kufizohej në mbështetjen e “Ndranghetës”, e cila kishte kontrollin e trafikut nga Amerika e Jugut. Atë vit, megjithatë, pati një zgjerim të madh të kërkesës nga vendet evropiane: prodhimi u rrit dhe trafikantët e Amerikës së Jugut kërkonin të zgjeronin tregun. Shqiptarët ishin gati. Ata bënë marrëveshje me “Constru”, një nga grupet më të forta paraushtarake, të formuar nga ish-anëtarë të FARC, Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë.

Shqiptarët ishin ndër të parët që shfrytëzuan nëndetëset për të transportuar kokainë nga Ekuadori në Amerikën Veriore dhe Qendrore. Një nëndetëse me shtatë ton kokainë u zbulua në vitin 2013 në Limones, në provincën e Esmeraldas në Ekuadorin verior. Edhe në Itali, mafia shqiptare filloi si një aktor mbështetës dhe më pas u vendos si një organizatë e pavarur dhe gjithnjë e më e fuqishme.
Mafia shqiptare ka marrëdhënie të thella me të gjitha grupet italiane të krimit të organizuar. Marrëdhëniet me mafian siciliane datojnë që në vitet 1990 kur Cosa Nostra, e goditur rëndë, gjeti një aleat efektiv në familjet shqiptare. Sipas njoftimeve të policisë, familje të rëndësishme mafioze tashmë kanë selinë e tyre në Vlorë të Shqipërisë, ndërsa në Itali kanë kontraktuar trafikun e prostitucionit me organizatat shqiptare. Marrëdhëniet e biznesit me ‘Ndrangheta’ janë shumë të ngushta.

Me Sacra Corona Unita, mafian puljeze aktive mbi të gjitha në Salento, marrëveshjet kanë qenë të qëndrueshme prej vitesh. Bandat shqiptare përdorin brigjet e Pulias për të sjellë marijuanë dhe hashash në Itali, veçanërisht nga Vlora: Sacra Corona Unita ofron gomone, kontrabandistë dhe pika ankorimi”.

Por si funksionon? “Mafia shqiptare është themeluar vetëm mbi lidhjet familjare. Klanet quhen fis dhe janë shprehje e një ose më shumë familjeve që kanë lidhje gjaku mes tyre. Institucioni i Bajrakut krahasohet me kupolën mafioze. Secili grup ka një kryetar, i cili nga ana e tij ka një zëvendës që është njeriu i ndërlidhjes me të gjithë anëtarët e organizatës. Askush, brenda klanit, nuk konsiderohet punëtor.

Një gazetar anglez, John Lucas, i cili ka studiuar prej kohësh klanet shqiptare, ka shkruar se “Gangsterët shqiptarë thonë se ndjenja e nderit i pengon të marrin urdhra. Marrëdhëniet kriminale janë të barabarta dhe kur një shef merr vendime, zakonisht jepen udhëzime me respekt, për të shmangur ofendimin e të tjerëve. Besa është kod nderi për ta përmbledhur me një moto: “Kur një shqiptar të jep fjalën, të jep djalin”.

Burim trafiku i 50 ton kokainë

Edhe pse flitet se në 2020-ën janë kapur mbi 1,7 ton kokaninë, sipas agjencive të shërbimeve të huaja në Shqipëri brenda  një viti ka hyrë nga Amerika Latine dhe shpërndarë drejt Europës rreth 50 ton kokainë në vit. Një pjesë e tyre shkarkohet dhe ringarkohet nëpërmjet anijeve të transportit të mallrave, peshkimit, skafeve, gomoneve e nuk munogojnë as jahet në afërsi të brigjeve tona. Porta kryesore e këtij lloj transaksioni mbetet Durrësi.

Kapen 1.5 tonë kanabis në Turqi, droga vinte me gomone nga Shqipëria

 

Një sasi tepër e madhe kanabisi, prej 1.5 ton është kapur në provincën e Muglas në Turqi. Mediat e huaja bëjnë me dije se si pasojë e operacionit janë arrestuar tre persona, të tre me origjinë nga Shqipëria. Sipas deklaratës së Guvernatorit të Izmirit, hetimi, që çoi në kapjen e kësaj sasie të madhe të kanabisit, është nisur nga një informacionin se një sasi e madhe droge do të sillej nga Shqipëria në rrugë detare. Në operacion u sekuestruan rreth 1.5 ton kanabis, u ndaluan 3 të dyshuar dhe u sekuestruan 3 pistoleta.Nga ana tjetër, sipas informacioneve të marra nga burimet e sigurisë, mësohet se të dyshuarit e kanë sjellë drogën me skaf, më pas e kanë nxjerrë në breg dhe e kanë fshehur në zonën pyjore.