Mësuesi që sheh botën dhe në kokrrat e fasules

1403
Sigal

Mimoza Çobo

Myzeqeja, kjo tokë e lashtë biblike, në shekuj ka ndierë të rrjedhin nëpër damarët e saj të lagësht, vakësia e ëmbël, jo vetëm e rrezes së yllit të ditës, por dhe e dritës së bardhë të diturisë, që buron nga dejet e shpirtit dijedashës e arsimdashës të myzeqarit. Fshatrat që kanë hedhur “rrënjë” e lulëzojnë në shtatin e butë e shekullor të Myzeqesë janë të shumtë, janë lule të veçanta, të flladitura nga puhizat e lashtuara të Adriatikut. Në këtë reportazh gjithë vëmendja është përqëndruar në fshatin Ndërnënas, të Njësisë Administrative Libofshë të rrethit të Fierit, saktësisht në shkollën 9-vjeçare të këtij fshati. Mjedisi gjeografik, në të cilin shtrihet komuniteti i Ndërnënasit, Hasturkasit,dhe Alibejasit, (sot Adriatik), ka një gërshetim të fushës me atë të pyjeve rreth e qark, të lumit Seman në pjesën jugore   të detit Adriatik në pjesën perëndimore. Në Veri, Ndërnënasi, kufizohet me Emirasin e Myzeqesë. Po të vësh veshin mbi faqet e fushës së këtyre fshatrave, padyshim që  do të ndjesh jehonën e lashtë të trokthit të kuajve të karvanit, të patriotit Vasil Gjone, i cili në vitin 1905 solli nga Bukureshti i Rumanisë  abetaret e para në gjuhën shqipe, të fshehura nëpër thasë me kripë, që bashkëfshatarët e tij të etur për dije, të mësonin shkrim e këndim. Vasili, së bashku me patriotët e tjerë të këtyre fshatrave iu përkushtuan me mish e me shpirt çeshtjes kombëtare të zgjimit dhe arsimit të myzeqarëve. Në thellësi të shpirtit të tyre, rridhte klithma e fuqishme e Papa Kristo Negovanit: “Vramëni, por gjakun mblidhmani për bojë, që të shkruajnë fëmijët.” Pas përpjekjeve dhe sakrificave të shumta ata arritën që në truallin ekzistues ku është sot, shkolla “Thanas Laska”, në Ndërnënas, më 16.11.1916, të hapnin shkollën shqipe  që shumë shpejt me rrezet e dijes do të ndriçonte të gjithë fshatrat përreth. Patrioti Vasil Gjone është dekoruar me urdhërin “Për veprimtari patriotike të KL II”’.

Mësuesi i parë i kësaj shkolle ka qënë patrioti, Rrapi Mërtiri, i cili për kontributin e tij të çmuar në përhapjen e dijes dhe arsimimit  është dekoruar me urdhra dhe medalje  si dhe me titullin “Mësues i Merituar”. Në gjurmët e këtyre pishtarëve të dijes dhe plejadës së shquar të brezit të intelektualëve  të kësaj shkolle, ecin krenarë dhe hedhin hapa të sigurt me përkushtim e profesionalizëm, brezi i ri i mësuesve, të cilët kanë të mishëruar në qënien e tyre  shëmbëlltyrën dhe vlerat njerëzore të këtyre ikonave të dijes  për të cilat ka nevojë arsimi shqiptar, brezat dhe ardhmëria e kombit. Njëri prej këtyre intelektualëve, i cili tërhoqi vëmendjen e DAR-it Fier dhe, në veçanti, të drejtueses së këtij institucioni, znj.Yllka Beci, është mësuesi i apasionuar i lëndës së gjeografisë,  Ylli Sota, mësuesi që sheh botën dhe në kokrrat e fasules. Për t’u njohur nga afër me punën e tij sa profesionale aq edhe artistike   mësuesit e gjeografisë nga të gjitha shkollat e Fierit, të organizuar dhe drejtuar nga znj.Yllka Beci, morën pjesë në promovimin që iu bë hartës politike të botës, e cilësuar si një vepër unikale për nga përmasat dhe lloji. Përmes një atmosfere të ngrohtë e miqësore  u mirëprit e duartrokit fuqishëm prezantimi i kësaj harte  ,punuar me 22 mijë e 600 kokrra fasule, prodhime bio të zonës së Ndërnënasit. Në fjalën e saj përshëndetëse znj.Yllka Beci, e cila është gjithmonë në kërkimin dhe zbulimin e vlerave të intelektualëve në institucionet mësimore të Fierit, vuri theksin në vlerat 15-vjeçare të mësimëdhënies së mësuesit, Ylli Sota duke lartësuar përveç anës profesionale e humane dhe zellin e tij prej artisti. Të jesh mësues dhe krijues, u shpreh ajo, do të thotë të jesh intelektual vizionar  me botë të madhe  drita e së cilës ndriçon afër dhe larg për të shpërbërë tisin e errët të injorancës dhe të padijes, për të lënë gjurmë vlerash në kohë, për brezat e tanishëm dhe ata që do të vijnë. Pastaj me  shumë përzëmërsi  ajo iu drejtua nxënësve të kësaj shkolle, të  cilët i dhanë ndihmesën e tyre, mësuesit Ylli Sota në realizimin e hartës politike të botës  kësaj vepre kreative të përmasave të mëdha  të veçantë e të rrallë në llojin e saj, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Europë  me një thënie të vyer të Dan Rathe: “Ëndrra fillon me një mësues, i cili beson në ju, i cili ju shtyn dhe ju shpie në një plato tjetër, nganjëherë ju ngacmon me një shkop të quajtur e “vërteta”. Në përfundim ajo  u shpreh se  Drejtoria Arsimore do të krijojë një kalendar  që kjo vepër e rrallë për nga rëndësia  të shikohet e preket nga afër  nga të gjithë mësuesit dhe nxënësit e shkollave të rrethit të Fierit. Për veprën kreative të Yllit  profesori dhe historiani i shquar fierak, z.Ilirjan Gjika i dekoruar në vitin 2009 në Burrel të rrethit të Matit  si “Studiues i vitit” me titullin “Penda Budi”, u shpreh se, Ylli  bën pjesë tek ajo kategori mësuesish, të cilët janë të dashuruar me dijen, që  me  pasion e dëshirë  krijojnë me mjete të thjeshta vepra të rralla si kjo që po promovojmë sot që përcjell mesazhe të forta jo vetëm për mësuesit në të gjithë vendin, por dhe për mjeshtrat e artit kreativ.

Fjalë të ngrohta e miqësore shprehën të gjithë të pranishmit, teksa afroheshin dhe preknin me duar mozaikët e krijuar me kokrrat e fasuleve,që përcaktonin gjeografikisht e politikisht shtetet e botës. Forca e myzeqarit është dija dhe durimi. Ylli si myzeqar dhe mësues i ka të theksuara këto virtyte  që shprehen qartë si në mësimdhënie  ashtu dhe pasionin e tij për artin, të shprehura mrekullisht në këtë vepër kreative, mësimore e artistike të realizuar me profesionalizëm e estetikë në një periudhë kohore prej 23-ditësh. Fara e dijes është si fara e grurit që mbjell myzeqari , po e mbolle atë, në tokë të ardhur dhe po ia  bërë të gjitha shërbimet e duhura, jep fryte të mira. Dhe fara e dijes që bulon në brendësi të kokrrave të  fasuleve që Ylli ka mbjellë në faqen e murit të klasës  për ta bërë sa më konkrete hartën politike të botës, i dha frytet e saj  të admirueshme. Pamja  paqësore dhe sytë e tij gjithë jetë, duken sikur thonë: “Ai që dëshiron ta ndryshojë botën, fillimisht duhet të ndryshojë veten e tij.” (Sokrati). I emocionuar ai shprehet se, të gjithë duhet të përpiqemi të bëjmë , fillimisht gjëra të vogla   që të arrijmë pastaj të realizojmë vepra të mëdha. “Skicimi dhe punimi me detaje me kokrrat e fasuleve i hartës politike të botës, me përmasat 5 me 2.5 metër që zë gjithë faqen e murit, ishte vërtetë një punë e vështirë dhe e lodhshme , por me durim e pasion, si dhe me ndihmën e nxënësve, arrita të krijoj një vepër unike, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë, që padyshim ,do të jetë objekt frymëzimi për të gjithë mësuesit në mbarë vendin.” Gjithë modesti, ai, vazhdon  se, “realizimi me sukses i hartës politike të botës, më ka rritur vetëbesimin për të ideuar vepra të tjera të këtij lloji. Rruga e dijes kërkon këmbë të forta për t’u ngjitur në majat më të larta të shkallëve të dijes, që nuk kanë kurrë të mbaruar”,ka thënë Akademiku, Prof.Aleks Buda, i cili i ka dhënë zë shkencës shqiptare, ndaj mund të shprehem bindshëm se edhe mësuesi Ylli Sota, i ka këmbët të forta dhe mendjen të artë, jo vetëm për të ngjitur shkallët e dijes, por për të lënë pas për brezat e mësuesve dhe nxënësve,vepra të mëdha frymëzuese.