Spanjë, provë për një mision të ri në Mars

698
Sigal

Në shkretëtirën shkëmbore Tabernas të Spanjës, shkencëtarët po testojnë një sondë për të shkuar në Mars. Agjencia Evropiane e Hapësirës, ESA dhe ajo ruse Roscosmos kanë në plan ta dërgojnë sondën në Mars në vitin 2021, në kërkim të shenjave mikroskopike të jetës.

Shkencëtarët ndodhen në terren për të testuar sondën e prodhuar në Britani, të quajtur “Charlie”, në shkretëtirën Tabernas të Spanjës, rreth 30 kilometra në veri të qytetit Acerca de Almeria.

“Së pari duhet të kontrollohen të gjitha parametrat e sondës në laborator, ose në një mjedis të izoluar, të ngjashëm me peizashin e Marsit. Kjo është e rëndësishme, sepse ne kemi mësuar se në Mars ka stuhi të fuqishme ere dhe pluhuri që mund të bllokojnë depërtimin e rrezeve të diellit. Pra, sonda duhet të testohet për operim në një mjedis kaotik, ndoshta e mbuluar me pluhur dhe zhavor dhe kjo nuk mund të bëhet në laborator”, – thotë studjuesja e mjedisit në Universitetin “Open”, Susanne Schwenzer.

Shkretëtira Tabernas është përdorur në të kaluarën edhe për regjistrimin e filmave me kauboj, si për shembull filmin “The Good, the Bad and the Ugly”- “E Mira, e Keqja dhe e Shëmtuara.”

Gjeologët thonë se sipërfaqja shkëmbore atje është e pasur me minerale argjilore, që ruajnë materialet organike, pra mund të jetë e rëndësishme për gjetjen e shenjave të jetës në planetin e kuq.

Shkencëtarët po simulojnë në shkretëtirën Tabernas operacione të ngjashme me ato që do të zhvillohen në sipërfaqen e Marsit. Ata kanë krijuar një Qendër Kontrolli rreth 1,600 kilometra në veri, në Harwell të Britanisë së Madhe, për të testuar operimin e sondës nga distanca.

Pas shtatë ditë simulimesh, ata identifikuan pikat e interesit, duke mbledhur mostra. Ky është një proces i kujdesshëm, gjatë të cilit sonda me gjashtë rrota lëviz nëpër shkretëtirë, me një shpejtësi prej vetëm 3.5 centimetrash në sekondë.

“Sonda nuk lëviz shpejt, sepse ajo duhet të identifikojë pikat interesante dhe të analizojë sigurinë e platformës në çdo kohë. Pra, sonda analizon mjedisin përreth, identifikoni disa objektiva shkencore, dhe u afrohet atyre për inspektim të mëtejshëm”, thotë Elie Allouis, drejtuesja e ekipit të sistemeve të robotike të sondës së prodhuar nga Airbus.

Çdo ekip i shkencëtarëve ka një komandë operimi në Harwell, që kontrollon instrumentet, duke përfshirë një radar që mund të analizojë shtresat nën tokë, kamera tre-dimensionale dhe një makinë shpimi, që mund të gërmojë deri në dy metra në thellësi të sipërfaqes së Marsit dhe të marrë mostra dheu.

ExoMars, misioni i përbashkët i Agjencisë Evropiane të Hapësirës(ESA) dhe asaj Roscosmos të Rusisë ka në plan ta dërgojë sondën në Planetin e Kuq në mars të vitit 2021. Ajo do të niset nga stacioni Baikonur në Kazakistan në vitin 2020 dhe mendohet të arrijë në Mars nëntë muaj më vonë.

Nëse gjithshka shkon sipas planit, ajo do të jetë sonda e parë europiane në Mars, pas disa udhëtimeve të suksesshme të NASA-s. Përpjekja e vitit 2016 e Agjencisë Evropiane të Hapësirës për dërgimin e një sonde në Mars përfundoi me dështim, pasi sonda Schiaparelli u përplas në sipërfaqen e Marsit për shkak të një difekti.

“Marsi ka qenë gjithmonë një vend mjaft interesant për të gjithë, por dërgimi i një sonde atje ka qenë gjithmonë një mision tepër i vështirë dhe me shumë rreziqe. Historikisht vetëm 50 për qind e sondave që janë nisur drejt Marsit kanë arritur ta përfundojnë udhëtimin me sukses. Kështu që mënyra e vetme për të qenë të susksesshëm, janë provat e vazhdueshme”, thotë Allouis.

Atmosfera e Marsit u jep pak mbrojtje nga rrezatimi diellor materialeve organike, kështu që shkencëtarët besojnë se në qoftë se ata do të gjejnë prova të jetës nga e kaluara ose të pranishme tani, shanset më të mëdha për t’i gjetuar ato janë nën sipërfaqen e planetit.

“Nëse do të mund të gjejmë shenja jete në Mars, atëherë do të jetë më e lehtë për të çuar atje gjallesa ose për të krijuar jetë. Dhe kjo do të ishte edhe më emocionuese, sepse ka shumë vende të tjera, disa në sistemin tonë diellor, të cilat kanë oqeane dhe nëse mund të gjenden shenja jete në Mars, do të jetë e mundur të krijohet, apo ndoshta ketë jetë edhe në vende të tjera”, thotë Schwenzer.

Shkencëtarët planifikojnë të vazhdojnë provën nga distanca të instrumenteve të sondës, një projekt i quajtur “ExoFit”, që është i lidhur me misionin ExoMars, në shkretëtirën Atacama të Kilit, vitin e ardhshëm. /VOA/