MASR, pasi hodhi në kosh 3.5 mln euro për “klasa inteligjente” edhe AKSHI ‘hap thesin’ me 4 mld lekë të tjera për tableta

218
Sigal

 

Një ide “gjeniale” e atyre që na drejtojnë vite më parë, duke synuar “botën dixhitale”u shpenzuan plot 3.5 milionë euro, por që këto para u hodhën në kosh, pasi askush nuk mësoi me tableta. Madje, klasat dixhitale të kryeministrit edhe sot e kësaj dite nuk funksionojnë

 

Faksimile: Noftimi i kontratës së shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik, për hapjen e tenderit

Pak vite më parë, një projekt i qeverisë parashikonte që nxënësit të mësonin me tableta. Një ide “gjeniale” e atyre që na drejtojnë, duke synuar “botën dixhitale”. Madje, për këtë projekt u shpenzuan plot 3.5 milionë euro, por që këto para u hodhën në kosh, pasi askush nuk mësoi me tableta. Madje, klasat dixhitale të kryeministrit edhe sot e kësaj dite nuk funksionojnë, pasi shkollat nuk kanë as laboratorë informatike. Investimet kanë qenë gjysmake, megjithëse janë shpenzuar miliona euro ndër vite, apo nga ministrat e Arsimit. Por, disa kohë pas këtij projekti, qeveria ka akorduar të njëjtën shumë, kësaj herë për të blerë mini kompjutera. Pra, nga tabletat nxënësit do të mësojnë me mini kompjuterë.

Sipas Boldneës.al, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, ka hapur tenderin me objekt “Implementimi i laboratorëve TIK në shkolla”, me fondet e buxhetit të shtetit, fondet e parashikuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, si institucion përfitues. Fondi limit i këtij tenderi është 333,333,340 lekë pa TVSH, ose me TVSH rreth 3.3 milionë euro, ndërsa në dokumente thuhet se kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është 6 muaj implementim nga nënshkrimi i kontratës. Tenderi pritet të zhvillohet në datën 18.07.2022 në orën 14:00.U hulumtua edhe dokumentet shoqëruese, teksa në to shkruhet se “Shqipëria është në momentin e duhur për investimin në teknologjinë që i vjen në ndihmë kodimit”. Sipas tyre, E ardhmja i përket teknologjisë dhe programimi kompjuterik ose kodimi është pjesë e pandarë e teknologjisë.

“Aktualisht ne shkollat 9-vjecare në Republikën e Shqipërisë kurrikula për Teknologjinë e Informacionit fillojnë nga klasa e 4-rt dhe trajtohen tematika të përgjithshme lidhur me këtë fushë, për të marrë njohuri bazike elementare nga nxënësit e shkollës. Këto tema mësimore zhvillohen pa baza materiale të teknologjisë së informacionit, por vetëm me tekste shkollore dhe shpjegohen verbalisht nga mësuesit e shkollës ne shumicën e rasteve pa pasur mundësinë për një mësim më praktik” shkruhet në këto dokumente. Vërtetë?! Po, a nuk është investuar për vite me radhë për këto laboratorë?!

Sipas vetë dokumenteve të Ministrisë së Arsimit, në shumë prej shkollave nuk ka laboratorë të mirëfillta TIK ku nxënësit mund të praktikojnë temat bazë të Informatikës. “Në rastet e ekzistencës të një laboratori të tillë, kushtet infrastrukturore nuk janë te përshtatshme për zhvillimin e orës mësimore në mënyrë ineraktive dhe inovative. Pajisjet ekzistuese janë të vjetra dhe jo të përshtatshme për hapat e teknologjisë së informacionit në ditët e sotme” thotë ministria. Në dokumentet e këtij tenderi, ministria thotë se ka lindur nevoja për laboratorë TIK, në mënyrë që nxënësit e shkollave 9-vjeçare të kenë kushtet e përshtatshme për të mësuar bazat e teknologjisë se informacionit dhe kodimit sipas kurrikulës që do të implementohet nga Ministria. “Me anë të këtij projekti synohet që të ndërtohen laboratorë që do i vijnë në ndihmë mësimdhënies së kodimit në shkollat 9 vjeçare, duke filluar qe nga klasa e I-re. Kontraktori duhet të krijojë 100 laboratorë për 100 shkolla. Duhet të furnizojë laboratorët me pajisjet: tabelë digjitale interaktive, mini kompjutera të konfigurueshem etj” thuhet në këto dokumente.

Megjithatë, ky nuk është investimi i vetëm. Pas vitit 2015, sipas mediave, qeveria ka shpenzuar 3.5 milionë euro duke blerë 5850 tableta me justifikimin e përfshirjes së teknologjisë në mësimdhënie. Ky projekt përfshinte 120 klasa dixhitale në 60 shkolla. Kjo nisëm u shoqërua edhe nga një tender i dytë për dixhitalizimin e teksteve shkollore të klasave të 10 ku kompania fituese u përfol për lidhje të ngushta me Ministren e Arsimit të asaj kohe e cila ishte autore librash në këtë shtëpi botuese dhe ndryshoi Udhëzimin Nr. 20, 16/06/2015 për të favorizuar këtë operator”.