Letra e inxhinjerëve për Kuvendin: Ndaloni monopolin e ndërtimeve

285
Sigal

Një projektligj i propozuar nga deputetja e PS-së, Luljeta Bozo dhe e mbështetur nga ministrja Balluku, ka provokuar akuzat e qindra inxhinierëve, që paralajmërojnë monopolizimin e tregut nga oligarkët nëpërmjet “Urdhrit Profesional të Inxhinierëve”. Kjo projekt i detyron inxhinierët të bëhen pjesë e regjistrit, përndryshe, firma e atyre që mbeten jashtë do jetë e pavlefshme. Urdhëri”, do përcaktojë se kush mund të punojë e kush jo, masat ndëshkuese për inxhinierët dhe kontrollin e punës së tyre.Pra disa oligarkë do bëhen padrino të parave të ndërtuesve shqiptar

Një projektligj i propozuar me firmën e deputetes së Partisë Socialiste Luljeta Bozo ka provokuar akuzat e një grupi inxhinierësh, që paralajmërojnë monopolizimin e tregut të ndërtimeve nga oligarkët nëpërmjet kontrollit të profesionistëve.

Bëhet fjalë për një nismë të mbështetur edhe nga Ministria e Infrastrukturës, e drejtuar nga Belinda Balluku dhe që parashikon ngritjen e Urdhrit Profesional të Inxhinierëve.

Kjo strukturë (Urdhri Profesional i Inxhinierëve) sipas projektligjit detyron inxhinierët të bëhen pjesë e një regjistri, përndryshe firma e atyre që mbeten jashtë do të rezultojë e pavlefshme brenda një viti, nga hyrja në fuqi e ligjit.

“Për të ushtruar profesionin e inxhinierit, duhet të kryhet regjistrimi në Regjistrin e inxhinierëve profesioniste. Vetëm inxhinierët që janë të regjistruar në Regjistër kanë të drejtë të firmosin si inxhinierë. Në rastin kur inxhinieri i paregjistruar firmos, firma e tij është e pavlefshme” thuhet në projektligjin që është propozuar nga Luljeta Bozo dhe për të cilin, ajo thotë se nisi punën që në vitin 2017.

Mënyra e punës së inxhinierëve ndryshon rrënjësisht me krijimin e regjistrit dhe ngritjen e Urdhrit, që më pas do të përcaktojë se kush mund të punojë e kush jo, masat ndëshkuese për inxhinierët, kontrollin e punës së tyre, etj. Në relacionin shpjegues, që shoqëron projekligjin, deputetja Luljeta Bozo shkruan:

“Komuniteti i inxhinierëve me vullnetin e tij të lirë, pa asnje lloj ndikimi, përfshi edhe atë të grupimeve ekonomiko-financiare, e sigurisht edhe atë politik, ka atributet ligjore jo vetëm për të marrë përsipër përgjegjësitë e tij, por edhe të mbrojë interesat e secilit inxhinier në veçanti” .

Por në një letër drejtuar parlamentit, një grup inxhinierësh të përfaqësuar nga Dëshira Mena hedhin akuza të forta, sipas të cilave tentohet monopolizimi i tregut të ndërtimeve. Kapja e profesionistëve do të shërbejë në të vërtetë për kapjen e tregut, shkruajnë inxhinierët.

“Qëllimi i këtij Projekt Ligji është vetëm monopolizimi i licensimit të profesionistëve, për pasojë edhe i tregut të ndërtimit në përgjithësi, pasi që këtu fillon menaxhimi i këtij sektori të rëndësishëm të ekonomisë në vendin tone”- shkruan Mena.

Mena përmend një seri problemesh me të cilat përballen inxhinierët sot, si për shembull puna me manualin e çmimeve të vitit 2015, kur çmimet kanë ndryshuar në mënyrë drastike.

“Asnjë justifikim tekniko-ligjor nuk keni për këtë iniciativë, përveç atij të monopolizimit dhe krijimit të një biznesi dhe kapjen e këtij sektori të ekonomisë nga oligarkët e rradhës” shkruan Meni në letër.

Efekte të tjera sipas saj do të jenë edhe fenomene të tjera si abuzimi me rryshfete, monopolizimi i licencave, dhënia me qera e liçensave ,pazaret për çertifikimin, përjashtimet nga e drejta e zhvillimit të profesionit, nga tenderat, presionet mbi profesionistët, dhe minimalisht heqjen e mundësisë për inxhinierët e rinj.

Gjatë vitit 2021, janë miratuar gjithsej 1.396 leje ndërtimi për ndërtesa të reja vetëm në Tiranë, duke shënuar një rritje prej 45,3% krahasuar me një vit më parë.

Gjatë vitit 2021, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja ishte 2 milion e 316 mijë metër katror.

Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 99,2 miliardë lekë në vitin 2021.