Lavdosh Ferruni: TEC-et në Vlorë edhe më zi se inceneratorët

378
Sigal

Histori e zezë do mbetet historia e inceneratorëve në Shqipëri, por më zi akoma mund të jetë kjo e tece-ve dhe terminalit gjigand të gazit të lëngshëm në Vlorë, i cili do të përpunojë një kapacitet gjigand gazi për të furnizuar vende të tjera. Së pari, aq sa janë korruptive koncesionet e incenratorëve, por aq i madh është korrupsioni i TEC-it të Vlorës, i provuar me fakte. Janë paguar më shumë se 130 milion EUR deri tani dhe ai nuk punon, ashtu si edhe inceneratorët. Deapartamenti i Integritetit i Bankës Botërore ka investiguar dhe ka gjetur bashkëpunim të 2 kompanive A dhe B në vjedhjen me TEC- et e Vlorës. Komiteti i Përputhshmërisë i Konventës së Aahrus në Gjenevë ka gjetur në shkelje venndodhjen e TEC-it në Gji të Vlorës. Po kështu paneli i inspektimit të Bankës Botërore. Dhe skandali po thellohet tani nga qeveria e PS, që do të investojë edhe njëherë mbi 100 milion euro të tjera, gjoja për ta kthyer TEC-in me gaz, edhe pse kur u ndërtua, në studim të fisibilitetit është përcaktuar si TEC me cikël të kombinuar, që punon edhe me naftë edhe me gaz. Ajo që do ishte normale tani është që vendimmarrja e TEC – it Vlorë duhet të hetohet për korrupsion, shpërdorim detyre etj.

TEC-et lundrues

Në një spekullim të pastër me krizën e luftës në Ukrainë, në dhunim të ligjit të informimit të publikut dhe pjesëmarrjes së tij në vendimmarrje është bërë një kontratë për 2 TEC-e lundruese me kapacitet mbi 100 MË që do instalohen në bregdetin e Vlorës për të djegur naftë dhe për të prodhuar energji elektrike. Shteti shqiptar do t’i paguajë kompanisë së këtyre TEC-eve afro 40 milion Euro si qira për përdorimin e këtyre aseteve e më pas KESH do blejë energjinë e prodhuar me çmim më të ulët se çmimi në treg. Dhe këto anije pas mbarimit të kontratës i mbeten Shqipërisë, njësoj si inceneratorët. Kështu Metalurgjiku i Elbasani do ketë shtesa të konsiderueshme për skrap: 1. TEC-in e Vlorës, 2. TEC-et lundrues, 3. Inceneratorët (pardon 2 inceneratorë, se njëri nuk egziston). Jo rastësisht kjo kompani e TEC-eve lundruese do të jetë kompania që do marrë mbi 100 milion euro para nga buxheti i shtetit për të fshehur aferën me TEC-in e Vlorës. Ka të ngjarë, që njësoj, në vitet e ardhshme do hidhen përsëri miliona Euro për vënien në punë inceneratorët. Pra pasi ta ketë bërë m.. në gjirin turistik të Vlorës do thotë tani do keni TEC-in me gaz. Pra do lahet m..i me sh….

“Parfumimi” i Vlorës nga terminali i gazit të lëngshëm

Ashtu si inceneratori i Tiranës, që është përmbyllja e aferës së inceneratorëve edhe terminali i gazit të lëngshëm është finalizimi i shkatërrimit përfundimtar të gjirit turistik të Vlorës. Ky terminal do të shërbejë si një vendndodhje ku do bëhet ndotja fosile, që më pas të transportohet gazi në vendet, që kanë nevojë për të. Shqipëria nuk ka nevojë të bëjë gazifikim, ndërkohë që e gjithë Bota tenton t’i iki dhe duhet t’i iki përdorimit të fosileve, pasi është domosdoshmëri për të shpëtuar planetin, tashmë e vërtetuar nga shkenca dhe e pranuar nga udhëheqësit e Botës. Ajo që po ndodh është se industria fossile, po përdor këtë tranzicion të parashikuar deri në vitin 2050 për të patur zero neutralitet të karbonit në atmosferë, për të mbajtur nivelin e fitimeve të saj, duke përdorur vënde si Shqipëria, apo vënde me politika të dobëta, për të shkarkuar ndotjen që ato prodhojnë. Kapaciteti i terminalit të gazit në Vlorë është sa gjysma e volumit gjigand të gazsjellësit TAP, që shkon në Itali dhe më gjërë në Europë dhe Vlora do përdoret pikërisht për të pompuar po në Itali sasi shtesë gazi që do vijë me varg anijesh në gji të Vlorës për t’u përcjellë përmes zonës së mbrojtur Vjosë – Nartë me tubacione për në Seman e nga aty në Itali. Nuk e kuptojmë pse nuk instalohet ky terminal direkt në Itali, por duhet të kalojë nga Vlora? Kujtojmë këtu, se drejtori i TAP në prag të inagurimit të punimeve pat thënë publikisht në një takim të gjërë se TAP u çvendos nga plani fillestar prej Vlorës, për shkak të ndotjes që do shkaktonte në Gji të Vlorës terminali i gazit aty.

Nëse ky terminal lejohet të ndërtohet në gji të Vlorës duhet të jenë të qartë të gjithë shqiptarët se turizmi në Gji të Vlorës do i mbetet vetëm historisë. Nuk ka asnjë një gji detar në Botë, ku është instaluar industria fosile dhe të jetë njëherazi gji turistik. Ose naftë e gaz, ose turizëm.

Alternativa që përmbys planet e naftëzimit të Gjirit të Vlorës

Mjafton vetëm sasia 40 milion Euro, për 1 vit, që do paguhet qiraja për të ndotur Gjirin e Vlorës me TEC-et lundrues, të hidheshin në subvencionim të investimit për instalimin e paneleve fotovoltaike për familjet dhe bizneset e vogla e të mesme Shqipëria do të kishte vetëm brenda pak muajve shumëfish të energjisë që do gjenerohet nga TEC-et lundrues me djegje nafte në Vlorë, madje edhe me kosto  shumë më të ulët. Kjo kërkon vetëm disa rregullime të vogla ligjore për t’i lënë më shumë hapësirë atyre që nuk merren për të gjuajtur koncesione korruptive. Përshembull: bilanci i energjisë (metering) të bëhet vjetor, jo mujor, në mënyrë që secili prodhues i vogël të harmonizoëj më mirë nevojat me prodhimin prej tij. Për më tepër qytetarët do të aktivizojnë kapitalet e tyre dhe energjia diellore e prodhuar prej tyre (citizen energy) jo vetëm është e pastër, por edhe rritja do jetë eksponenciale, që koncesion dhënësit, ndoshta edhe nuk e imagjinojnë dot, ose thjesht duan ta mbajnë larg realitetit pasi për ta dhe për klientët e tyre të fosileve nuk është me leverdi.