Problematikat në këtë sezon veror në plazhet e vendit nuk kanë munguar. Edhe pse pretendohen të arrihen standardet për të thithur turistë të huaj, problematikat në vend janë kërcënuese duke nisur nga mungesa e vrojtuesve në plazhet publike të Vlorës duke marrë shkas nga rasti më i fundit në Vilë-Boshtovë që u kthye në një tragjedi. Babai dhe 2 fëmijët e mitur humbën jetën, pasi nuk u arrit të shpëtoheshin në kohë. Duke vijuar në plazhin e Shëngjinit në këtë zonë qentë endacak kanë përhapur panik pasi mund të bijën pre e sulmit të tyre. Ndërkohë në mes të sezonit turistik në Durrës janë sekuestruar 1870 shezlong për t’i kthyer qytetarëve hapësirat publike, por sa garanci kanë këta të fundit pasi pronarët e vetë shpallur nuk lejojnë qytetarët të aksesojnë këto hapësira madje kanë qenë publike rastet ku turistët nuk janë lejuar as të qëndrojnë në rërë. Por shezlongët kanë qenë mollë sherri edhe më herët në vitin 2021. Katër veta u vranë dhe 2 të tjerë mbetën të plagosur.
Plazhet publike në Vlorë pa vrojtues, pushuesit: Të merren masa
Në plazhet publike të Vlorës mungojnë vrojtuesit, teksa bashkia është kujdesur vetëm për vendosjen e tabelës, që nuk njofton mungesën e vrojtuesve. Ndërkohë sa i përket hapësirave, që posedojnë plazhet private, rolin e vrojtuesit e bëjnë punonjësit e shezlongjeve, të cilët janë të patrajnuar. Tragjedia në plazhin e Vilë Bashtovës ku humbën jetën në det babai me dy djemtë adoleshentë do të duhej të shërbente si kambanë alarmi për sigurinë në bregdet, por panorama paraqitet krejt tjetër. Në hapësirat publike të plazhit të Vlorës nuk ka vrojtues të plazhit, teksa bashkia e Vlorës, është kujdesur vetëm për vendosjen e tabelës, që nuk njofton mungesën e vrojtuesve. Ndërkohë, sa i përket hapësirave që posedojnë plazhet private, rolin e vrojtuesit e bëjnë punonjësit e shezlongjeve, të cilat janë të patrajnuar. Pushuesit ndihen të frikësuar, pasi në raste të papritura askush nuk i vjen në ndihmë. Gjithashtu një problem ndër vite ne plazhet e qytetit të Vlorës në zonën e Akademisë së Marinës dhe në plazhin e vjetër vijon të jetë derdhja e ujërave të zeza dhe të bardha në det.
Qentë endacakë ‘pushtojnë’ plazhin në Shëngjin, qytetarët: Kemi frikë, na sulmojnë.
Qentë e rrugëve janë kthyer në një shqetësim për banorët e zonës së Shëngjinit dhe turistëve. Ata thonë se një numër i madh qensh lëvizin në rrugët e qytetit dhe plazhit dhe ndihen të frikësuar pasi disa herë janë sulmuar. Qytetarët u kërkojnë autoriteteve largimin e tyre nga rruga, ndërsa bashkia ka bërë me dije se mungojnë hapësirat për strehimin e qenve. Këto kafshë endacakë janë kthyer në shqetësim për qytetarët dhe pushuesit përgjatë këtij sezoni në plazhin e Shëngjinit. Siç duket edhe nga pamjet prania e tyre është e vazhdueshme si në qytet ashtu dhe në zonën e plazhit.
Prania e madhe e qenve ka shtuar frikën e qytetarëve, të cilët thonë se nuk mund të lëvizin lirisht, të cilët janë agresivë dhe nuk kanë munguar rastet që i kanë sulmuar. Ata kërkojnë nga autoritetet marrjen e masave për largimin e tyre nga rruga.
Qentë endacakë mendohet se kanë ardhur nga fshatrat apo qytete të tjera, ndërsa në bashkinë e Lezhës bëhet e ditur se qentë janë trajtuar prej tyre, por nuk mund t’i grumbullojnë pasi mungojnë hapësirat. Kjo situatë sjell një pamje aspak të këndshme në Shëngjin për turistët vendas e të huaj.
Vendosën 183 shezlongë dhe çadra pa leje në plazhin Rinia, nën hetim dy administratorë
Policia ka sekuestruar 183 shezlongë dhe çadra, që ishin vënë pa leje në plazhin Rinia në Durrës. Në kuadër të operacionit “Plazh i lirë”, policia ka evidentuar që dy subjekte kishin vendosur në hapësirën e plazhit çadra dhe shezlongë pa leje.
Për këtë arsye, ka nisur hetimi për dy administratorët E. B., 35 vjeç, pasi kishte vendosur 42 shezlongë dhe 21 çadra, si edhe F. Gj., 46 vjeç, pasi kishte vendosur 80 shezlongë dhe 40 çadra. Ndaj tyre rëndon akuza për veprën penale “Pushtimi i tokës”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.




















