Krijimi i qytetit të ri të Patosit (1949-1991)

2927
Sigal

Në vitin 1949 filloi ngritja e qytetit të ri të Patosit

Emri Patos është një toponim i njohur në rrethin e Fierit. Patosi Fshat, nga është huazuar emri i këtij qyteti, shfaqet në dokumentet historike të vitit 1676 në variantin Patitos dhe ndryshimet e herëpashershme fonetike e kanë sjellë në ditët e sotme në variantin, Patos. Etimologjia e këtij toponimi, sipas studimeve gjuhësore të Eqerem Çabej, rrjedh nga greqishtja e vjetër “Pathos” që do të thotë fund, thëllim. “Pat” është përdorur edhe në kuptimin e kateve të banesave të vogla të asaj kohe. Legjendat dhe studiues të kohërave të ndryshme e lidhin emrin Pathos me zjarret që shpërthenin në rërat bituminoze të këtij fshati. Të tre vendbanimet me emrin Patos të quajtur Patosi Fshat, Patosi i Vjetër dhe Patosi i Ri, janë të lidhur ngushtë me zhvillimin e industrisë së naftës.

Para çlirimit, rreth viteve 1930, krahas investimeve në vendburimin vajguror të Patosit u ngritën gjithashtu godinat e punëtorëve italianë nga shoqëria “AIPA”, në lagjen më të vjetër të Patosit, 3 km në lindje të qytetit të ri. Në vitin 1949 filloi ngritja e qytetit të ri të Patosit i zgjedhur pranë fshatit Dukas, në një kodër të veshur me pyll dhe shkurre mesdhetare. Projekti i ndërtimit të qytetit të Patosit fillimisht i projektuar nga specialistët jugosllavë do të ndërtohej në luginën midis dy kodrave të Dukasit që përshkohej nga përroi me të njëjtin emër. Kështu u vendos që të nisin ndërtimet njëkatëshe në krahun verior të kodrës ku është sot. Nga e gjithë Shqipëria erdhën banorë të rinj, të cilët u pritën e u mbështetën me shumë bujari e dashuri nga banorët vendas të Margëlliçit, Kuqarit, Rerëzit e Dukasit me qëllimin e madh, të fuqizimit të vendit. Tashmë qyteti i ri i sapo ngritur përbëhej nga vendas dhe të ardhur nga zonat përreth të Mallakastrës, nga Skrapari, Labëria, nga krahinat e Dibrës komuniteti vlleh, komuniteti çam, nga minoriteti grek etj., të gjithë me kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e rajonit.

Numri i popullsisë në vitin 1955 ishte 2 997 banorë, ndërsa në vitin 1960 u dyfishua në 4 803 banorë. Me kalimin e viteve epiqendra e industrisë së naftës do të zhvendosej nga Kuçova në Patos, me ardhjen në qytet të Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës, duke i dhënë qytetit një rëndësi të veçantë. Në rajon numëroheshin 21 ndërmarrje shtetërore dhe në vite ka pasur dy institute: Institutin gjeologjik dhe atë teknologjik. Në vitin 1963 pranë qytetit u ngrit Uzina Mekanike, e cila prodhonte instrumente të precizionit të lartë për industrinë e naftës.

Në mbështetje të industrisë u ngrit shkolla e teknikumit të naftës, e cila përgatiste teknikë, mekanikë të mesëm për sektorin e naftës. Gjithashtu pranë qytetit u ngrit Parku i Trasnaftës nga më të mëdhenjtë në vend. Zhvillimi dhe fuqizimi i industrisë së naftës pas viteve ’60 ndikoi në arritjen e sukseseve në të gjitha drejtimet. Kështu u ngrit shkolla e mesme e përgjithshme dhe u zgjerua arsimi 7-vjeçar. Në vitin 1963 qyteti i Patosit arriti që të kishte një sistem urban të detajuar deri në hollësi për t’iu përgjigjur nevojave të kohës me shpejtësi. Tashmë infrastruktura e ngritur në Patosin e vjetër ose Patosin lart, siç thuhet edhe sot, u zhvendos këtu, nga ndërtimet njëkatëshe po ngriheshin 2-3 kate me infrastrukturë të plotë shërbimi tregtar, telekomunikacion, shërbim shëndetësor (spital me 20 shtretër), maternitet me 10 shtretër, poliklinikë, kinema, shkollë 1-vjeçare etj.

Në qershor të vitit 1963, Kryetari i Lokalitetit Riza Bregu porositi vulën me siglën “Qyteti i Patosit”. Pra, tani ai nuk quhej më lokalitet, por qytet që kishte marrë fizionominë e plotë, ndërmarrjet ishin shtuar në drejtim të nxjerrjes së naftës, ndërtimit dhe shërbimit. Tashmë Drejtoria e përgjithshme e Prodhimeve të Naftës që e kishte qendrën në Kuçovë (Qyteti Stalin) do të vendosej në Patos, duke shënuar edhe drejtimin administrativ nga Patosi të të gjithë rajonit të naftës në Shqipëri. Ardhja e Drejtorisë së Përgjithshme të Naftës në Patos pati efekte të mëdha, jo vetëm në shtimin e prodhimit, por dhe në nivelin arsimor e shkencor, sepse ky qytet tashmë kishte një armatë të madhe intelektualësh të fushave të ndryshme që padyshim ndikonin në gjallërimin e jetës arsimore, kulturore, shkencore, qytetare e ekonomike që do të sillnin vetëm përparim.

Lindita Qalliaj