Krerët e Kadastrës nuk pyesin për ligjin, nuk zbatohen mbi 300 rekomandime

“Kadastra vijon të mbetet një nga institucionet më problematike në Shqipëri. Qytetarët çdo ditë kërkojnë zgjidhjen e problemit me pronat në dyert e kadastrës, e cila i zvarrit me vite për legalizimet. Në shumicën e rasteve nuk u zgjidh problemi, madje i ngatërron më keq. Kësaj radhe Kontrolli i Lartë i Shtetit është përplasur me Kadastrën.”

Kontrolli i Lartë i Shtetit i është rikthyer edhe një herë zbatimit të rekomandimeve të lëna për shtatë drejtori vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Pavarësisht se një pjesë e mirë e rekomandimeve janë pranuar vetëm një pjesë e vogël e tyre janë zbatuar sipas KLSH.

NOA

Konkretisht të audituara ishin Drejtoritë Vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Tirana Jug, Tirana Veri, Tirana Rurale I, Tirana Rurale II, Kamëz – Vorë, Shkodër, Durrës.

KLSH konstaton se këto të fundit lidhur me detyrimin ligjor të subjekteve të audituara për të raportuar në KLSH rreth hartimit të programit të tyre për të zbatuar rekomandimet e lëna, brenda afatit 20 ditor ka rezultuar asnjë prej tyre nuk ka kthyer përgjigje brenda afatit 20 ditor. Po kështu asnjë prej tyre nuk ka kthyer përgjigje sa i takon ecurisë së zbatimit.

“Referuar auditimeve të përputhshmërisë në këto subjekte, janë rekomanduar gjithsej 359 masa (Tirana Jug: 47; Tirana Veri: 49; Tirana Rurale I: 52: Tirana Rurale II: 78; Kamëz-Vorë: 50; Shkodër: 42; Durrës: 41). Referuar auditimeve tematik për zbatimin e rekomandimeve në këto subjekte (përveç DV ASHK Kamëz – Vorë, për të cilën nuk është kryer auditim i mëparshëm për zbatimin e rekomandimeve), është konstatuar se janë pranuar gjithsej 303 nga 309 rekomandime ose 98%. Zbatueshmëria e rekomandimeve të lëna nga KLSH në këto subjekte ka qenë: 66 rekomandime të zbatuara ose 21.3%; 29 rekomandime në proces zbatimi ose 9.4%; 21 rekomandime në proces zbatimi ose 6.8%; 193 rekomandime të pazbatuar ose 62.5%” thuhet në raportin e fundit të KLSH.

KLSH nënvizon se është rikërkuar zbatimi i 300 rekomandimeve (në këtë vlerë janë përfshirë dhe rekomandimet e lëna nga KLSH gjatë auditimit të përputhshmërisë në DV ASHK Kamëz – Vorë). Sipas llojit të masave dhe statusit të zbatimit të rekomandimeve, është konstatuar se: Masa për përmirësime/ndryshime legjislacioni: Janë rekomanduar dy masa, të cilat janë pranuar, por nuk janë zbatuar.

Masa organizative: Nga 135 masa të rekomanduara, të cilat janë pranuar të gjitha, janë batuar 25 masa ose 18.5%, janë zbatuar pjesërisht 20 masa ose 14.8%, janë në proces zbatimi 13 masa ose 9.6%, ndërsa 77 masa ose 57.1% nuk janë zbatuar.

Masa për përdorimin e fondeve me efektivitet, efikasitet dhe ekonomicitet: Nga 21 masa të rekomanduara, të cilat janë pranuar të gjitha, është zbatuar 1 masë ose 4.7%, 4 masa janë zbatuar pjesërisht ose 19%, 16 masa nuk janë zbatuar ose 76.3%; Masa disiplinore: Nga 142 masa të rekomanduara, të cilat janë pranuar të gjitha, është zbatuar 1 masë ose 0.7%, ndërsa 141 masa ose 99.3% nuk janë zbatuar.