Korça mes mjerimit, papunësisë dhe dhunës në familje

774
Sigal

Të rinjtë braktisin qytetin: Nuk duam të ikim, por jemi pa të ardhme!

 

Kolonja, e harruar mes papunësisë dhe mjerimit

 

Mjerimi, papunësia, mungesa e shpresës për një të nesërme më të mirë, po e çon Kolonjën drejt një braktisjeje të madhe. Pasqyra e këtij trishtimi është qyteti i Ersekës, i cila ka një shesh të bukur në qendër, por që rri bosh nga mëngjesi deri në mbrëmje. Janë të paktë ata që sheh të kalojnë aty dhe shumë më pak të rinjtë. Këta të fundit po pakësohen nga viti në vit, ashtu siç rrallohen edhe pleqtë. Por të rinjtë detyrohen ta lënë Kolonjën për një jetë më të mirë, pasi ndihen të pashpresë dhe pa të ardhme. E vetmja mundësi e tyre për mbijetesë është ikja drejt qyteteve të tjera, edhe pse lëvizjet brenda vendit nuk ofrojnë shumë mundësi. Kudo që të shkosh gjen të rinj pa të ardhme. Të trishtuar ndihen djemtë, të trishtuara janë edhe vajzat. Studimet që kanë kryer nuk u vlejnë për asgjë. Punë nuk ka. E vetmja shpresë mbetet emigracioni, ashtu siç ndodhte me Kolonjën qëmoti, njëqind e ca vjet më parë. Aktualisht bashkisë së Kolonjës i kanë mbetur vetëm 6000 banorë rezidentë. Edhe më pak kanë për të mbetur pas disa vitesh. Asnjë shpresë nuk duket në horizont.

 

Sipas burimeve zyrtare, 873 punëkërkues të papunë

Papunësia ndihet në çdo cep të Kolonjës. Te Zyra Vendore e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, në Bashkinë e Kolonjës regjistrohen si punëkërkues të papunë vetëm të rinjtë e të rejat e qytetit. Edhe ata nuk shkojnë të gjithë, sepse nuk shpresojnë në asgjë. Për banorët e rrethinave nuk bëhet fjalë, pasi dihet në ç’gjendje është punësimi. Prej vitesh Kolonja qëndron në prehje. Për këtë vit numri i punëkërkuesve të papunë në Bashkinë e Kolonjës, sipas burimeve zyrtare, është 873 vetë. Kaq ka qenë edhe në vitet e mëparshme. Kjo do të thotë se ndryshim gjendjeje nuk ka. Punësimi më i mundshëm është vetëm ai sezonal për disa muaj të verës dhe për shumë pak njerëz, kurse punësimet afatgjata mungojnë. Po të kemi parasysh që Bashkia e Kolonjës ka 6 mijë banorë rezidentë, numri i të papunëve është alarmant. Gjatë këtij viti, deri më tani, janë punësuar vetëm 50 vetë, përfshi këtu edhe Leskovikum, pasi edhe ky qytet mbulohet nga kjo zyrë punësimi. Gjithashtu, rreth 30 punëkërkues kanë punësim të përkohshëm te privatët që merren me përpunimin e qumështit. Janë po ata të punësuar që merren çdo vit me këtë aktivitet. Megjithatë nuk mund të thuhet se Zyra Vendore e Shërbimit Kombëtar të Punësimit në Kolonjë nuk bën maksimumin për gjetjen e një vendi pune, por atje ku nuk investohet nuk mund të ketë punësim dhe zyra e punësimit nuk ka shkop magjik.

 

Të rinjtë: Mos na lini të ikim!

 

Këdo që mund të pyesësh në qytetin e Ersekës, djalë apo vajzë, përgjigjja është e njëjtë: “Do të largohemi nga Kolonja, nuk e përballojmë dot jetën. Do të shkojmë jashtë vendit”. Përgjigjja e tyre përmes një zëri të trishtuar të mbetet në mendje. Duket sikur të thonë: “Mos na lini të ikim”! Por kush mund ta bëjë këtë? As prindi nuk i thotë dot mos shko, sepse e kupton ç’gjendje përjeton fëmija i vet. Ndaj detyrohet ta përcjellë mes lotëve, e t’i thotë: Të qoftë udha e mbarë”! Në qytetin e Ersekës nuk gjen asnjë mundësi argëtimi, përveç kafeneve, dhe të rinjve të dëshpëruar që dalin të dehur nga lokalet. Dhe e vërteta është se ata po ikin. Po ikin të gjithë. Kjo nuk është hamendje, por e vërtetë trishtuese. Qyteti i Kolonjës do të mbetet gjithnjë e më i shkretë. Kënga “Kolonjë e bukur Kolonjë” do të këndohet gjithnjë me më shumë dëshpërim. Statistikat pranë Zyrës së Gjendjes Civile në Bashkinë e Kolonjës flasin për rënien e numrit të martesave, dhe kjo ndodh, sepse djemtë dhe vajzat po ikin në vende të tjera të botës. Gjatë vitit 2016 u regjistruan 82 martesa, shumë më pak me martesat e viteve të shkuara, në viti 2017 vetëm 69 martesa, rënie pati edhe për vitin 2018. Pakësimi në vijimësi i martesave tregon se për ku është nisur dhe po shkon Kolonja.