Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk disponon raporte monitorimi dhe vlerësimi, mungojnë të dhënat në kohë reale të sëmundjeve tumorale dhe mosmiratimi i akteve administrative normative.
Në një kohë që numri i personave të diagnostikuar me sëmundje tumorale është në rritje, shpenzimet financiare në spitalet publike për trajtimin e tyre janë mbajtur prej vitesh në nivele “konstante”, madje mund të konstatohet edhe një lloj tendence uljeje. Spitali Onkologjik është struktura më e rëndësishme për trajtimin e tumoreve, ka mungesë stafi dhe, për rrjedhojë, rritet radha e pacientëve në pritje për shërbimet e specializuara dhe immediate. Njësitë e kimioterapisë pranë spitaleve rajonale kanë qenë pjesërisht efektiv në trajtimin e sëmundjeve tumorale si pasojë e mos hartimit të detyrave funksionale për mjekët onkolog, funksionojnë me kapacitete minimale, nuk adresohen të gjitha skemat e trajtimit në këto spitale, nuk kanë kapacitete spitalore të plota me burime njerëzore mjekë onkologë, pajisje dhe materiale mjekësore, shtretër të dedikuar, nuk përgatisin një plan kujdesi për të sëmurët paliativ, mungojnë sistemet informatizuara të raportimit, si dhe përballen me riskun e mungesës së medikamenteve të trajtimit të sëmundjeve tumorale. Mungesa e të dhënave të përditësuara, ndikon negativisht në planifikim të prioriteteve dhe monitorim të kontrollit të kancerit, si dhe nuk jep informacion të rëndësishëm për zhvillimin e politikave dhe masave parandaluese. Mos funksionimi i të gjithë këtij zinxhiri spitalor në raportim dhe në koordinim midis tyre tregon një performancë të dobët në statistikat zyrtare ndonëse politikat shëndetësore qeveritare reklamojnë menaxhim dhe monitorim në kohë të trajtimit të sëmurëve tumoralë deri në mortalitet. Mangësi në shtretërit e kimioterapisë
Spitali Onkologjik ka kërkuar në mënyrë të vazhdueshme nga drejtoria shtimin e të paktën 10 shtretërve/poltronave, pasi sasia, që kanë në dispozicion është i pamjaftueshëm për trajtimin në kohë dhe me cilësi për personat në nevojë. Mungesës së financimit, stafit dhe infrastrukturës tek Onkologjiku, i shtohen edhe mungesa e funksionimit për kohë të ndryshme të aparaturave mjekësore. Disa tumore që prekin organet riprodhuese tek gratë trajtohen me radioterapi me pajisjen Brakiterapi.Tek Onkologjiku për këtë trajtim kanë nevojë më së paku 200 pacientë në vit. KLSH konstaton se trajtimi me Brakiterapi nuk ka qenë funksional.
Mungesa e aparatit të Ortovoltazhit ka sjellë mostrajtimin 200 pacientëve, të cilët nuk e kanë marrë këtë shërbim me radioterapi, duke përbërë faktor risku për shëndetin e tyre”, -konstaton Kontrolli i Lartë i Shtetit.






















