Kadastra është kthyer në pronë private e patronazhistëve

33
Sigal

Anëtari i kryesisë së PD-së, Grigel Muçollari ka vazhduar denoncimet e tij në lidhje me pronat shtetërore që Edi Rama do të ja falë privatit që të ndërtohen kulla.

Këtë herë, Muçollari ka denoncuar se si toka ku ndodhet drejtoria e kadastrës, pranë liqenit dhe ish-gardës do të shembet dhe do t’i jepet një ndërtuesi për të ngritur kullën e radhës.

Deklarata e anëtarit të kryesisë së PD, Grigels Muçollari:

Jemi këtu shumë pranë liqenit, zonës së parkut të madh, ku janë dhe trojet e apartamentet më të shtrenjta në vend. Kjo godina këtu, ku janë zyrat e Kadastrës, është në planet e Edi Ramës për t’ia dhënë një klienti të tij, një miku. Do të shembet.

Kadastra meriton të shembet për arsye të tjera, për shkak se është një prej institucioneve më të korruptuara në vend, dhe ku njerëzit nuk gjejnë zgjidhje.

Por, do të shembet për një tjetër arsye korruptive. Sepse dikush, një fitues i paracaktuar, i ka vënë syrin këtij ambienti për të bërë një grataçelë.

Qytetarët nuk do të përfitojnë asgjë nga ky projekt, pasi çmimi i apartamenteve këtu do të jetë shumë i lartë, i paprekshëm nga njerëzit e zakonshëm.

Është thjesht një tjetër mundësi që dikush të pasurohet, dhe një shumë e madhe e parave të pista të pastrohen.

Edi Rama nuk është pronar i kësaj godine. Këto janë objekte shtetërore, publike, dhe janë pasuri e të gjithë atyre që kanë punuar e kanë kontribuar prej vitesh në këtë vend.

Qytetarët nuk mund të lejojnë që kryeministri të sillet si monark a feudal.

Duhet transparencë, duhet llogaridhënie. Njerëzit duhet të jenë pjesë e këtij procesi, të thonë fjalën e tyre, të shohin kostot dhe përfitimet. Pasi çdo gjë në këtë plan është e qytetarëve, dhe çdo gjë do të bëhet me taksat e tyre.

Sjellja e Edi Ramës si pronar, dhe një aferë e tij e re me klientelën e preferuar, duhet ndalur.

Qytetarët kanë pushtetin e vërtetë dhe të drejtën e tyre të patjetërsueshme. Po të bashkohemi e të ngremë zërin mund ta ndalim qeverisjen e keqe, mund ta ndalim korrupsionin. Të bëhemi bashkë të premten para bashkisë së Tiranës, të bëhemi bashkë nga çdo cep i Shqipërisë më 11 korrik ora 20:00 në Bulevard.