INSTAT: Rritet me 11,7 % papunësia e të rinjve në Shqipëri

1345
Sigal

 

Papunësia shënoi rritje në vitin 2020-s, si rrjedhojë e pasojave të pandemisë në aktivitetet ekonomike, por ndërkohë paga mesatare vijoi rritjen. INSTAT ka publikuar raportin mbi tregun e punës 2020. Shkalla zyrtare e papunësisë në vitin 2020, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 11,7%  dhe shënon një rritje me 0,2 pikë përqindje krahasuar me vitin 2019. Për meshkujt, shkalla e papunësisë është 0,4 pikë përqindje më e ulët sesa për femrat. Bazuar në vlerësimet e Anketës së Forcave të Punës, gjatë vitit 2020, numri i personave në forcën e punës është 1.407.934 persona. Femrat përbëjnë 44,6 % të forcës së punës dhe meshkujt 55,4 %. Të punësuar janë 1.243.345 persona, ku femrat përbëjnë 44,5 % të të punësuarve dhe meshkujt 55,5 %.

Numri i të papunëve vlerësohet të jetë 164.613 persona, ndër të cilët 45,5 % janë femra dhe 54,5 % janë meshkuj. Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15–64 vjeç është 69,1%. Për meshkujt e moshës 15–64 vjeç shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 15,9 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat. Shkalla e punësimit për popullsinë 15–64 vjeç është 60,6 %. Shkalla e punësimit për femrat është 53,6 % dhe për meshkujt 67,8 %.

 

 

Numri i të papunëve vlerësohet të jetë 164.613 persona, ndër të cilët, 45,5 % janë femra dhe 54,5 %, janë meshkuj

 

Hendeku gjinor në punësim për këtë grup–moshë është 14,2 pikë përqindje në favor të meshkujve. Sektori i shërbimeve dhe sektori bujqësor kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 43,4 % dhe 36,1 % të të punësuarve gjithsej. Në vitin 2020, rezulton se 46,1 % e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 33,3 % janë të vetë–punësuar (punëdhënës ose të vetë–punësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 20,6 % janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes.

 

Pagat në rritje

Në vitin 2020, paga mesatare bruto për një të punësuar me pagë në Shqipëri është  53.662 lekë. Krahasuar me vitin 2019, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar në Shqipëri u rrit me 2,4%. Paga mesatare mujore bruto është mbi nivelin mesatar për aktivitetet ekonomike si: aktivitetet  financiare dhe të sigurimit, Informacioni dhe komunikacioni, administrata publike dhe mbrojtja; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale. Ndërsa aktivitetet ekonomike me pagë poshtë nivelit mesatar janë:

Tregtia me shumicë dhe me pakicë; riparimi i automjeteve dhe motoçikletave; transporti dhe magazinimi; aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor; dhe Bujqësia, Silvikultura dhe Peshkimi. Hendeku gjinor në paga është 6,6%. Hendeku gjinor në paga është më i theksuar mes punonjësve që janë të punësuar në ndërmarrjet ekonomike që i përkasin grup-aktivitetit ekonomik “Industria nxjerrëse; përpunuese; energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të  kondicionuar; furnizimi me ujë; aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave, rehabilitimit”, ku arrin vlerën 31,9%. Gjatë vitit 2020, 26,2% e kontribuesve në kategorinë e të punësuave me pagë marrin një pagë mesatare mujore bruto deri në nivelin e pagës minimale zyrtare. Për vitin 2020, paga minimale zyrtare  është 26.000 lekë.