Fermerët e Korçës dhe Myzeqesë po falimentojnë

367
Sigal

Reportazh/ Flasin fermerët e qarkut të Korçës dhe Myzeqesë: Pesticidet që blejmë ose janë të skaduara, ose të cilësisë së ulët. Pemtoret i bëjmë me ilaç njëherë në javë, por nuk ka rezultat. Në fushat e Myzeqesë kultivuesit e shalqinit janë në krizë, nuk ka treg, prodhimi na mbetet stok, ndërsa tregtarët e marrin me çmim të ulët dhe e shesin 500% më shtrenjtë. Shpenzimet rriten, strukturat e bujqësisë bëjnë sehir

 

Fermerët Korçës:
Pesticidet që blejmë ose janë të skaduara, ose të cilësisë së ulët
Pemtoret i bëjmë me ilaç njëherë në javë, rezultate nuk kemi fare


Nga Vepror Hasani

Fermerët e qarkut Korçë që merren me kultivimin e drurëve frutorë, kryesisht me mollën, por dhe pemë të tjera, kanë nisur të dyshojnë se pesticidet që tregtohen në vendin tonë ose janë të skaduara, ose të cilësisë jo të duhur, pasi nuk japin efektin që pritet. Sipas fermerëve, blerja e kimikatave rrit ndjeshëm koston e prodhimit të frutave, sepse për mbrojtjen e drurfrutorëve  blihet një sasi e madhe kimikatesh që përdoren jo vetëm në stinën e pranverës, por edhe në atë të dimrit. Gjithashtu, për femerët e qarkut Korçë, efikasiteti i preparative nuk ka qenë në shkallën e duhur as kur ato janë përdorur sipas të gjitha udhëzimeve të specialistëve të Drejtorisë së Bujqësisë, të Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore Korçë dhe as kur kanë qenë të informuar nga stacionet e prognozë-sinjalizimit për kryerjen e trajtimeve për parandalimin e sëmundjeve të ndryshme. Gjithsesi, nga ana e specialistëve është kërkuar që para përdorimit të pesticideve të shihet koha efektive që ka pesticidi për mbrojtjen e bimës, gjithashtu të jetë kryer  edhe kolaudimi i pompave të spërkatjes me qëllim mbulimin me preparat të të gjithë kurorës së pemës për luftimin e patogjenëve, por sipas fermerëve, të gjitha këto janë bërë, ndërsa rezultatet nuk kanë qenë ato të dëshiruarat, edhe pse prej kohësh është hequr dorë nga metodat tradicionale të kujdesit dhe mbrojtjes së drurëve frutorë, me synimin vënien në përdorim të metodave bashkëkohore.

Këshillat e specialistëve

Për fermerët e kultivimit të drurëve frutorë, shpenzimet për pesticide janë një llogari më vetë për ta. Trajtimet kimike fokusohen te luftimi i sëmundjes së kromës, hirit, morrit, merimagës, krimbit, kërpudhës, barërave të këqija etj. Siç e theksuam edhe më sipër, trajtimet kryhen përgjatë pranverës deri në fund të qershorit dhe në stinën e dimrit. Edhe në këtë rast fermerët nuk lënë pa përmendur faktin se sëmundja e kromës vjen nga reshjet e shumta, ndërsa  ilaçet janë shumë të dobëta: “Ne i bëjmë njëherë në javë me ilaç  dhe as që japin rezultat fare”. Të ndodhur në këto kushte specialistët e pemëve frutore pohojnë se tashmë fermerët kanë kohë që përballen me sëmundjen e kromës dhe zgjidhja e vetme është kujdesi që duhet të tregojnë ata ndaj pemëve, duke i spërkatur ato në mënyrë konstante, por jo të dendur për të parandaluar prekjen e pemëve nga sëmundja në fjalë. Për luftën ndaj kësaj sëmundjeje, fermerët bëjnë jo  më pak se 10 trajtime, duke filluar nga nisja e vegjetacionit, pra fillimi i muajit prill dhe deri nga fundi i muajit qershor që është dhe rreziku më i madh, por sipas specialistëve, e rëndësishme është që fermeri të aplikojë alternim të preparative, pra jo një preparat disa herë, pasi sëmundja fiton rezistencë. Dhe sa herë të ketë rreshje shiu mbi 15 mm duhet të përsëritet trajtimi, por pa bërë trajtime të tepëruara sepse shpeshherë fermerët të trembur nga sëmundja e kromës dhe e hirit apo dhe nga dëmtuesit e ndryshëm, si krimbi, merimaga etj bëjnë trajtime, mbase pak më të dendura.

Trajtimet kimike të bëhen të alternuara

Fermerët e kultivimit të drurëve frutorë në qarkun e Korçës janë të shumtë, molla është një nga frutat që zë peshën më të madhe në krahasim me frutat e tjera. Ajo kultivohet në gjithë hapësirën e qarkut Korçë, pa lënë mënjanë drufrutorët e tjerë të cilat favorizohen nga klima e këtij rajoni. Sipërfaqe të mëdha pemësh shtrihen rrëzë Mali të Thatë në fshatrat e Shëngjergjit, në Zëmblak, Orman- Pojan dhe në shumë fshatra e zona të tjera të këtij qarku. Ndërsa lidhur me shqetësimin e fermerëve për efikasitetin e preparative, specialistët e pemtarisë këshillojnë që trajtimet të bëhen të kombinuara me alternim të preparateve, me qëllim rritjen e efektivitit të pesticidit dhe aftësisë mbrojtëse totale të bimës prej patogjenëve, pasi fermerët ngulmojnë se ilaçet që përdorin, nuk janë të cilësisë së duhur për çmimin që paguajnë dhe mbi të gjitha askush nuk e mban përgjegjësi për efikasitetin e tyre. Ndërkaq fermerët pohojnë se nuk shpenzojnë vetëm për spërkatje, por edhe për punime dhe ujitje. Të gjitha këto, sipas fermerëve, bëjnë që kostoja të jetë shumë më e lartë se fitimi. Për shkak të sëmundjes së kromës gjatë viteve të fundit, shpjegojnë ata kemi qenë të detyruar ta shesin mollën me 20 lekë, por me këtë çmim nuk arrijnë të blejnë dot as ilaçet për pemtoret.

Shpenzimet rriten gjatë gjithë vitin

Me përmirësimin e kushteve atmosferike, shpjegojnë fermerët, starton dhe nisjen e shërbimeve që duhet të kryhen në pemtore. Gjatë dimrit janë një sërë procesesh të cilat duhet të ndiqen për të pasur një prodhim të mbarë, si krasitja, plehërimi dhe trajtimet e ndryshme për të shmangur prekjen e pemtoreve nga sëmundjet e dimrit. Kurse specialistët e Agjencisë Rajonale të Ekstensionit bujqësor, porosisin kryerjen e plehërimit bazë dhe atë organik në rrënjë, në mënyrë që pema të ketë mundësi të përthithë gjithë elementët e duhur ushqyes për rritjen e saj. Ndërsa nga dhjetori e në vijimësi, gjatë periudhës së qetësisë së pemtores duhet të kryhen shërbimet dimërore në pemtari: krasitje dimërore, plerimin kimik ose organik, punime në pemtore dhe trajtime dimërore kundër fazave dimëruese të sëmundjeve dëmtuese të ndryshme të pemtarisë, pra, kjo është një periudhë tepër e ngjeshur për fermerët e frutikulturës për kryerjen e shërbimeve dimërore të cilat duhet të përfundojnë brenda muajit mars. Gjithashtu muaji dhjetor është tepër i përshtatshëm për mbjelljen e kulturave drufrutore duke përdorur teknologjitë bashkëkohore me distancë të shkurtura, me numër bimësh 2000-3000 për ha. Të gjitha këto, fermerët i bëjnë çdo vit, që do të thotë se janë në punë përgjatë gjjithë vitit dhe për këtë gjë nuk ankohen, pasi e vetmja ankesë e tyre është cilësia e dobët e kimikatave. Për këtë arsye ata kërkojnë që të jenë më të qartë në këtë drejtim.

Kultivuesit e shalqinit në krizë: S’ka treg të jashtëm, na mbetet stok

Në Divjakë si çdo vit tjetër, ka nisur edhe nxjerrja në treg e shalqinit, si një nga produktet që prodhohet më së shumti në këtë zonë. Këtë vit, rreth 40% e tokës bujqësore në Divjakë është mbjellë me shalqi, ndërsa për shkak të mungesës së eksporteve, fermerët planifikojnë që prodhimin e tyre ta shesin kryesisht në tregun vendas. “Aktualisht sot shitet me 200 lekë të vjetra. Ky shalqi quhet bio, për treg të brendshëm. Është shumë cilësor, por duhet të ketë tërheqje, sepse është mbjellë në masë,” thotë fermeri. “E ka koston me 200 lekë po nuk ka treg të jashtëm. Po nuk u hap tregu i jashtëm, ky ngeli në tokë, kështu. Për momentin nuk kemi ku ta çojmë, na ngel stok,” thotë fermeri. Çmimi i ulët për këtë vit ka bërë që ata të jenë të penalizuar, ndërsa edhe mungesa e tregjeve rajonale e ndërkombëtare është një shkak për krizën që është shkaktuar. Situata aktuale mund të përkeqësohet për shkak të kalimit të ditëve dhe prishjes së shalqinit.

Mungesa e ndihmës dhe pasojat

Sezoni i prodhimit në zonën e Myzeqesë është në kulmin e tij ku domatet, kastravecat, shalqini dhe pjepri, presin të dalin në treg. E megjithatë, rruga për të arritur deri atje duket të jetë e gjatë. Çdo vit përsëritet e njëjta situatë, ku prodhimet hidhen në tokë, pasi nuk gjejnë dot mundësi për t’i shitur prodhimet e fushës.

Duke qenë se ende shteti nuk ka krijuar mundësi dhe kushte frigoriferike për mbrojtjen dhe mos çuarjen dëm të tyre, një nga mënyrat do ishte krijimi i një tregu të përbashkët me vendet përreth si Maqedonia, Kosova, Mali i Zi , Serbia. Të merret përsipër nga shteti që një pjesë e mirë e prodhimit vendas të jetë kusht në prokurimet që bëhen nga shkolla, konvikte, reparte ushtarake, hoteleri etj..Në këtë mënyrë do të lehtësoheshin hoteleritë nga ulja e taksave dhe fermërët nuk do detyroheshin të hidhin në lumë prodhimet.

Përballë kësaj situate aktuale, nëse fermerët nuk vadisin serat me ujë dhe nëse nuk gjendet treg, prodhimi do të prishet dhe dëmi për këta fermerë, do të jetë i pashmangshëm.

Ndërkohë që fushat janë plot me produkte bio, qytetarët në tryezat e tyre paguajnë çmime të kripura për produkte bazë të sezonit si domate dhe kastraveca. Pyetëm disa fermërë, ata shprehen se mezi po ia dalin të ndajnë koston me prodhimit dhe shitjes, pasi i shesin shumë lirë. Sakaq konsumatori, i blen shumë herë më shtrenjtë.