Ferit Shqefni: Oligarkët “mësyjnë” edhe paketën e maleve!

Toka me 1 euro/m², privilegj për të fortët – fshati mbetet spektator në grabitjen e radhës shtetërore.
Oligarkët, pasi kanë pushtuar fushat, kanë betonizuar bregdetin, kanë kapur ndërtimin, infrastrukturën rrugore, resortet, hotelet dhe tenderat qindra milionëshe, tani po përgatiten të pushtojnë edhe malet shqiptare. “Paketa e maleve” është thjesht instrumenti ligjor që i hap rrugën këtij pushtimi.
Vendimi i fundit i qeverisë për të ashtuquajturën “paketa e maleve” po shitet si një nismë zhvillimi për zonat rurale dhe ringjallje e fshatit shqiptar. Në realitet, kjo paketë po shndërrohet në një tjetër skemë klasike favorizimi për të njëjtët aktorë të zakonshëm: oligarkët dhe klientët e pushtetit.
Sipas këtij vendimi, toka publike në zonat malore mund të jepet me qira ose madje të shitet me çmimin simbolik 1 euro për metër katror për bujtina apo biznese turistike. Në letër duket si politikë zhvillimi. Në praktikë, është një iluzion i rrezikshëm dhe i qëllimshëm.
Sepse dihet fare mirë: jo kushdo ka mundësi të investojë. Banorët e zonave rurale, ata që i kanë ruajtur këto toka ndër breza, nuk kanë kapital, nuk kanë akses në kredi dhe nuk kanë mbështetje reale nga shteti. Ndërkohë, “investitorët strategjikë”, të lidhur politikisht dhe ekonomikisht me pushtetin, janë gati me dosje, para, ndikim dhe dyer të hapura në çdo institucion.
Kjo paketë nuk po hap dyert për fshatarin, por për oreksin e të fuqishmëve. Toka publike dhe malore po kthehet në mall pazari, ku fitues janë vetëm ata që kanë lidhje me qeverinë. Me çmimin qesharak 1 euro/m², pasuri të tëra natyrore po kalojnë në duar private, ndërsa komunitetet lokale përjashtohen, pa zë, pa pronësi dhe pa përfitim.
Në fakt, ky është vetëm kapitulli i radhës i një pushtimi të mirëorganizuar. Retorika e zhvillimit nuk mund ta fshehë të vërtetën: kjo nuk është politikë sociale apo ekonomike, por një tjetër kapitull i kapjes së shtetit. Shqipëria po shitet copë-copë, nën petkun e investimeve dhe premtimeve boshe.
Me vendim qeverie, toka malore, pronë e përbashkët kombëtare, po jepet me qira ose po shitet me çmimin absurd 1 euro/m², duke krijuar dyshime të forta për shpërdorim detyre, favorizim klientelist dhe shkelje flagrante të interesit publik. Kjo nuk është politikë ekonomike, por mekanizëm transferimi pasurie nga shteti te oligarkët.
Vendimi krijon kushte të pabarabarta dhe diskriminuese, duke përjashtuar në mënyrë faktike banorët e zonave rurale. Fshatarët nuk kanë kapital, nuk kanë akses në kredi dhe nuk kanë dokumentacion pronësie të rregulluar, pikërisht sepse vetë shteti ka dështuar qëllimisht që ta bëjë këtë për dekada. Ndërkohë, përfituesit realë janë të njëjtët aktorë të lidhur me pushtetin.
Ky model përmbush elementët klasikë të kapjes së shtetit: pasuri publike që tjetërsohet me çmim simbolik, mungesë gare reale, përjashtim i komuniteteve lokale, përfitues të paracaktuar dhe vendimmarrje e centralizuar pa transparencë.
Këtu nuk kemi thjesht politikë të gabuar, por dyshim të arsyeshëm për shkelje penale. Kur pasuria publike jepet pa interes publik të provuar, kur përfituesit janë të njëjtët persona të lidhur me pushtetin dhe kur komunitetet përjashtohen, atëherë kemi elementë të qartë për hetim penal.
SPAK nuk mund të heshtë.
Duhet të hetohet kush e hartoi këtë paketë, kush përfiton realisht prej saj, mbi çfarë kriteresh jepet toka dhe nëse ky vendim përbën shpërdorim detyre, korrupsion apo favorizim të paligjshëm ekonomik.
Nëse kjo qeveri do vërtetë një zhvillim rural, atëherë do të investonte te njerëzit dhe jo te klientët e saj: do garantonte pronësinë për banorët, do krijonte kredi të buta dhe grante për familjet, do përfshinte komunitetet lokale në vendimmarrje dhe do vendoste transparencë reale. Por kjo qeveri nuk po qeveris për qytetarët por për oligarkët.
“Paketa e maleve” nuk është reformë dhe as
zhvillim por
grabitje e ligjëruar me firmë shteti.
Është mekanizëm transferimi pasurie publike nga shqiptarët te një grusht klientësh të pushtetit. Është një tjetër hallkë në zinxhirin e kapjes së shtetit, ku qeveria nuk sillet më si administruese e interesit publik, por si sekser i oligarkëve.
SPAK ka përpara një provë serioze.
Nëse drejtësia hesht sot, nesër nuk do të ketë më as pasuri publike për të mbrojtur, as shtet për të hetuar.
Sot janë malet,
nesër do të jenë pyjet, kullotat dhe burimet ujore.
Shqipëria po shitet copë-copë dhe fshati po zhduket në heshtje por koha do të gjykojë shkaktarët …!

NOA