Fenomen i çuditshëm në Kuçovë: Pas zhurmës së fortë bie nga qielli një copë akulli 100 kg

38
Sigal

Një fenomen jo i zakonshëm është regjistruar në një fshat të Kuçovës më datë 8 prill 2025, kur banorët e zonës u tronditën nga një zhurmë e fortë, e cila zgjati rreth 10 minuta.

Pas kësaj zhurme, u gjet një copë akulli e madhe e rënë në tokë, e cila sipas vlerësimeve paraprake kishte një peshë që varionte nga 50 deri në 100 kilogramë. Akulli ishte copëtuar në disa pjesë për shkak të forcës së madhe me të cilën kishte rënë.

Një prej copave të akullit që kishte mbetur i pa thërrmuar, peshonte rreth 10 kilogramë dhe duket nga foto se si mbahet në duar nga një banor i fshatit. Sipas të dhënave që janë gjetur në internet dhe nga kërkimet paraprake, ky lloj fenomeni është jashtëzakonisht i rrallë dhe ka ndodhur vetëm rreth 100 herë në të gjithë botën.

Në përpjekje për të kuptuar më shumë rreth këtij fenomeni, qytetari ka kontaktuar Institutin e Gjeologjisë në Shqipëri, por deri tani nuk ka marrë asnjë përgjigje. Për më tepër, ai është i bindur se bëhet fjalë për një Megacryometeor – një fenomen atmosferik mjaft i rrallë që ndodh kur copëza akulli të mëdha bien nga qielli dhe shpesh janë të lidhura me ndryshime të papritura të presionit atmosferik.

Mesazhi i dërguar nga qytetari JOQ-së:
“Përshëndetje JOQ, dua t’ju informoj për një fenomen të çuditshëm që ndodhi në një fshat të Kuçovës. Më datë 8 prill 2025, rreth orës 06:00 të mëngjesit, u dëgjua një zhurmë shumë e fortë që zgjati rreth 10 minuta. Pas kësaj, u gjet një copë akulli e madhe e rënë në tokë. Sipas vlerësimeve tona, pesha e akullit varionte nga 50 deri në 100 kilogramë. Për shkak të fuqisë së madhe me të cilën ra, akulli ishte thërrmuar në disa pjesë. Sipas të gjitha të dhënave në internet dhe kudo, kjo dukuri është shumë e rrallë dhe ka ndodhur vetëm 100 herë në të gjithë botën. Copa e akullit që ka personi në dorë ishte rreth 10 kile. I kam shkruajtur dhe Institutit të Gjeologjisë në Shqipëri, por asnjë përgjigje. Nuk iu duk interesante një fenomen kaq i rrallë në botë. Mendoj se bëhet fjalë për Megacryometeor.”

Çfarë është Megacryometeor?

Megacryometeor është një fenomen natyror që ndodh kur copëza të mëdha akulli bien nga qielli, duke shkaktuar shpesh zhurma të forta. Ky fenomen është kaq i rrallë, sa është regjistruar vetëm në rreth 100 raste në të gjithë botën, dhe ndodh kryesisht në kushte të papritura atmosferike. Akulli që formohet është shumë i dendur dhe ka një madhësi që mund të variojë nga disa kilogramë deri në disa qindra kilogramë. Megacryometeorat janë shpesh të lidhura me krijimin e shira të papritur dhe ndryshime të forta të presionit atmosferik që krijojnë kushte të pazakonta për formimin e këtyre masave akulli.