Fëmijët hanë në pjatën e babëzisë së krimit ushqimor të certifikuar nga AKU dhe institucionet

28
Sigal

“Nelsa shpk” helmoi 70 fëmijë me salmonelë në një kopsht në Gramsh,analizat zbuluan prani të bakterit të salmonelës, që përfundoi në stomakun e fëmijëve. Prindërit kanë paralajmëruar protestë sot para kopshtit numër 1, fëmijët të vjella e temperature 39

 

Helmimi i 70 fëmijëve nga ushqimi me salmonelë në një kopsht publik në qytetin e Gramshit është një këmbanë alarmi lidhur me sigurinë ushqimore në institucionet publike si çerdhe, kopshte e spitale. Më e rëndë bëhet situata jo vetëm nga mungesa e reagimit nga institucionet, por dhe nga tentativat për të fshehur ngjarjen, ndërkohë që 70 familje e kanë kaluar natën e 22 Majit në spital.

INFO

Si pesticidet, Aflatoksina dhe Salmonela po helmojnë shqiptarët!

  • Në fund të muajit mars, u zbulua se rreth 8 tonë mish pule nga Brazili, me përmbajtje të lartë Salmonele, u tregtua në vendin tonë. Mishi arriti të hidhej në treg dhe u konsumua i gjithi
  • Para pak javësh doli që edhe qumështi që tregtohet në vend ka përmbajtje aflatoksine. Dy kompani të njohura rezultuan se tregtonin qumësht me përmbajtje të rrezikshme.
  • Në shkurt, Kroacia ktheu mbrapsht rreth 10 tonë mandarina me pesticide.
  • Po ashtu, u zbulua se dhe luleshtrydhet që vinin nga Greqia kishin përmbajtje të lartë pesticidesh
  • Ministria e Bujqësisë pranoi në media se vetëm gjatë vitit 2024 janë konstatuar nga analizat laboratorike në fruta e perime 7 pesticide të ndaluara si: “chlorpyriphos, chlorfenapyr, chlorpyriphos methyl, linuron, dimethoate, myclobutanil dhe omethoate”
  • Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore bllokon mishin me grip shpendësh, salmonelë dhe sëmundje të rrezikshme. Shqipëria vazhdon ta importojë dhe e shpërndan në tregje

 

Një tjetër skandal ushqimor ka shpërthyer në vend. Pas mandarinave e luleshtrydheve me pesticide dhe mishit me Salmonelë, pasiguria ushqimore ka prekur dhe fëmijët.Në një kopsht shtetëror në Gramsh, afro 70 fëmijë janë helmuar nga ushqimi që u është shërbyer dhe dyshimet janë për prezencë të Salmonelës. Bëhet fjalë për një bakter, që ndodhet te mishi, kryesisht ai i pulës, vezët, por edhe te perimet dhe ushqime të tjera.

6 nga fëmijët që shfaqën shenja më të rënda helmimi u paraqitën në spital gjatë javës me diarre, temperaturë të lartë, të vjella dhe dehidratim. Fillimisht, Instituti i Higjienës bëri analizat për njërin nga fëmijët që kishte shenja më të rënda helmimi, i cili rezultoi me bakterin salmonelë – një bakter mjaft i rrezikshëm që zakonisht përhapet përmes ushqimit të kontaminuar ose higjienës së dobët. Më pas, u morën 76 mostra për të gjithë fëmijët dhe stafin e kopshtit, nën dyshimin se janë helmuar me të njëjtin bakter, ndërsa priten përgjigjet e analizave laboratorike. Nga ana e tyre, vetë prindërit pretendojnë se të gjithë fëmijët kanë pasur të njëjtat simptoma, diarre, të vjella temperaturë.

Prokuroria nis hetimin, policia reagon 5 ditë me vonesë, prindërit në protestë

Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimin për helmimin e fëmijëve të kopshtit shtetëror në Gramsh.Policia ka reaguar për ngjarjen e rëndë pesë ditë me vonesë, duke pretenduar se ishte informuar nga rrjetet sociale dhe jo nga autoritetet përgjegjëse.Ngjarja u mbajt e fshehtë nga Ministria e Arsimit dhe Shëndetësisë për katër ditë, derisa u denoncua nga prindërit e fëmijëve të helmuar. Të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve të tyre në kopsht dhe për mbulimin e rastit nga institucionet, prindërit kanë paralajmëruar një protestë ditën e hënë përballë Kopshtit Nr. 1 në Gramsh.

Kompania që furnizoi kopshtin ku u helmuan fëmijë, furnizues edhe për spitalet e burgjet

Një nga pistat kryesore të hetimit është furnizuesi i ushqimeve me katering për institucionin parashkollor shtetëror.Sipas dokumenteve të siguruara, kompania “Nelsa shpk” ka fituar tenderin nga Bashkia Gramsh që në vitin 2023 për përgatitjen dhe shpërndarjen e ushqimit në kopsht. Ky subjekt dyshohet se ka rezultuar më parë me shkelje të rregullave higjeno-sanitare gjatë një inspektimi të AKU-së në vitin 2023, por ka vijuar të operojë normalisht. Skandali me këtë kompani thellohet edhe më shumë, pasi në disa nga tenderat e tjerë të saj, të fituar nga bashki të tjera, ka rezultuar me “flamur të kuq” në sistemin e prokurimeve publike – një sinjal paralajmërues për mungesë transparence, konkurrencë të dobët ose dyshime për parregullsi në procedura.Gjithashtu, kjo kompani rezulton të jetë aktualisht në pronësi të Elsa Kamberi (Balla), por themelues dhe pronar fillestar është babai i saj, Nexhmi Balla, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare.Administratorja e “Nelsa SHPK”, kompanisë që furnizon me ushqime kopshtin ku u helmuan fëmijët në Gramsh ka folur në lidhje me ngjarjen. Në një prononcim telefonik për ZËRI-n, Elsa Kamberi Balla shprehet se ata furnizojnë me ushqimet bazë kopshtin në fjalë, si bulmetra, mishi, etj. Ajo shton se për produktet e ofruara janë të kontrolluara. Në numrat në vijim do të bëjmë publike investigimin e kompanisë që po helmon fëmijët, punonjësit e reparteve ushtarake dhe qytetarët.