Edhe sistemi kombëtar i pagesave do jepet me PPP

112
Sigal

Monopoli/ Pagesat e të gjitha shërbimeve që marrin sot qytetarët nga e-Albania do të jepen me PPP tek një kompani private. Koncesioni i jep të drejtë kompanisë private, të përfshijë edhe pagesën e taksave, tarifave dhe çdo detyrimi, pra të gjithë buxhetin e shtetit. Ky koncesion mund të shkojë 300, 400, 500 milionë euro në 10 vjet. Por kjo vlerë mund të rritet edhe më shumë pasi gjithçka varet nga numri i shërbimeve për të cilat qeveria do të bëjë me detyrim nënshkrimin apo vulosjen elektronike. Ky shërbim pritet tu jepet kompanive që kanë marrë deri tani 480 mln euro për e-albanian, klient të familjes politike dhe që nuk gargantuan dot hakerimin

Nga Klodian Tomorri

Mendoni për një moment situatën, ku një kompani private kontrollon të gjithë sistemin e pagesave publike të një vendi. Pra nëse një qytetar merr një shërbim nga një institucion shtetëror duhet t’a kryejë pagesën përmes kompanisë private. Nëse kërkon një certifikatë pronësie në Kadastër duhet të kalojë po ashtu nga koncesionari privat.

Kjo është ajo që po bën qeveria. Pagesat e të gjitha shërbimeve që marrin sot qytetarët shqiptarë nga e-Albania do të jepen me koncesion monopol tek një kompani private. Por nuk mbaron këtu. Koncesioni i jep të drejtë kompanisë private, që të përfshijë edhe pagesën e taksave, tarifave dhe çdo detyrimi. Potencialisht të gjithë buxhetin e shtetit.

“Platforma duhet të ofrojë mundësinë e kryerjes së pagesave për të gjithë shërbimet publike, taksa, tarifa, detyrime, etj., ndaj të gjithë autoriteteve publike,” thuhet në studimin e fizibilitetit të koncesionit.

Për çdo pagesë që do të kryhet nga qytetarët apo bizneset në drejtim të shtetit, kompania koncesionare do të mbajë komision. Ky është një biznes gjigand. Shumë i madh.

 Një koncesion monstruoz

 Pak ditë më parë u publikua lajmi se ministria e Financave ka nisur procedurën për dhënien me koncesion të infrastrukturës së çelësave publikë.Për shkak se i gjithë procesi po kryhet në mënyrë të fshehtë, portali kishte informacion të sigurtë se koncesioni do të përmbante certifikatën e fiskalizimit dhe nënshkrimin elektronik, një shërbim që llogaritet rreth 10 milionë euro në vit.“Certifikata e fiskalizimit dhe nënshkrimi elektronik janë pjesa më e vogël e këtij koncesioni. Llokma më e madhe është monopoli i sistemit kombëtar të pagesave publike,” tha një burim i mirëinformuar për çështjen në kushtet e anonimatit.

Por sa i madh është koncesioni në vlerë?

“Limiti është qielli. Ky koncesion mund të shkojë 300, 400, 500 milionë euro në 10 vjet. Por edhe më shumë. Gjithçka varet nga numri i shërbimeve për të cilat qeveria do të bëjë me detyrim nënshkrimin apo vulosjen elektronike. Dhe kjo nuk ka kufij” tha burimi i mësipërm.Përtej kësaj, vlera e koncesionit varet edhe nga komisioni që kompania koncesionare do të vendosë mbi pagesat, që qytetarët dhe biznesi bëjnë në favor të shtetit.

Studim paraprak fizibiliteti

Tani Kapitali.al zotëron dokumentacion më të gjerë, përfshirë studimin paraprak të fizibilitetit të koncesionit dhe ftesën për ofertë që ministria e Financave u ka dërguar 6 kompanive shqiptare.

Bëhet fjalë për kompanitë Fastech, Horizon, BNT Electronics, Image & Communications Development, Communications Progress dhe Soft & Solutions.Kjo e fundit është kompania favorite për të shtënë në dorë koncesionin multimiliarder, që i bën të gjitha koncesionet e shëndetësisë bashkë të duken si biznese tezgash. Në ftesën e MF drejtuar 6 kompanive thuhet:“Sa më sipër kërkojmë ofertën tuaj ekonomike për çmim /njësi në lekë (pa/me TVSH) sipas specifikimeve të pajisjeve/shërbimeve në fjalë. Informacionin e kërkuar të na e dërgoni brenda datës 27.09.2023.”Kapitali.al iu drejtua zyrtarisht ministrisë së Financave për informacion, nëse kompanitë i kanë dorëzuar ofertat paraprake deri në datën 27 shtator, siç thuhet në ftesë, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk arriti të marrë dot një përgjigje zyrtare.Por këto janë detaje që tani kanë pak rëndësi. E sigurtë është se tashmë ka filluar të ngjizet zyrtarisht një koncesion monstruoz, në heshtje dhe larg syve të publikut.

INFO

Të gjitha pagesa e centralizuara  te e-albania do i  jepen  kompanive private

 

  • Pritet falimentimi i shumë bankave , të cilat nuk do kenë më shërbime, pasi këto shërbime do të jenë monopol i kësaj kompanie të cilët e kryejnë shërbimin nëpërmjet e-albanias dhe në momentin që do kryesh shërbimin, ajo do të kërkojë dhe para , pra do bësh dhe pagesën.

 

  • Nga ana tjetër, nëqoftëse do ketë banka që do bëjnë marrëveshje me e-albanian si për nënkontraktorë qytetarët si taksapagues do rëndohet, sepse përveç pagesave që do i bësh te e-albiania do bësh dhe një pagesë tjetër. Do rritet pagesa dhe këtë pagesë do ta fitojë përsëri banka, nëpërmjet rritjes  së çmimit monopol që krijohet nga e-albania. Pra, e-albania merr të gjithë shërbimet , monopolizon të gjitha shërbimet , të gjitha pagesat , i centralizon që të kalojnë  të gjitha vetëm e-albanias  dhe të mos ketë asnjë mundësi tjetër alterntive,  do kryhen veprime me nënkontraktorë  të e-albanias do kryhen me banka të të gjithave niveleve brenda dhe jashtë vendit , çka do të thotë që do rritet përsëri kostot ekstra , që të gjitha këto të lartpërmendura bien në kurriz të qytetarëve.
  • Pak a shumë është e njëjta situatë  siç po veprohet so ku shteti rrit taksat dhe tatimin mbi biznesin e ndërtimit , shton 3% për të pastrehët, 8% për taksë  qyteti , 20% TVSH, tatime të tjera, sigurime shoqërore, shëndetësore etj.  Dhe prandaj dalin çmimet e tyre në kosto marramendëse , sepse shteti nuk ia ndjen, pasi e di shumë mirë  s’do i pagujnë pronarët pasi përndryshe do falimentojë, por i pagujnë qytetarët. Shteti nga ana tjetër bënë rolin e  hipokritit dhe u thotë kompanivë ç’janë këto çmime  të shtrenjta.