E-Albania dhe ALEAT si shtëpia me gjethe e Sigurimit të Shtetit

894
Sigal

Para pak ditësh drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Linda Karçanaj deklaroi  se që  nga momenti që  shërbim online në “e-Albania” ka hyrë në funksion të dhënies së miratimit për karta identiteti dhe pasaporta biometrike janë realizuar  rreth 59 mijë aplikime. Dhe kjo sipas drejtoreshës  Karccanaj, ka bërë që  “e-Albania”,  t’u japë fund radhëve e pritjeve të gjata në këtë vapë përvëluese, e cila po ndihmon edhe frenimin e pandemisë”. Pra sipas “shefes” së  “e-Albania” u është kursyer shumë kohë qytetarëve dhe mijëra emigrantëve shqiptarë të cilët dikur vinin në Shqipëri vetëm për të rinovuar pasaportën dhe humbnin javë të tëra nëpër zyra, derisa mbaronin punë. Por këto që thotë “shefe” Karçanaj ose i ka me të dëgjuar ose dëshiron që situata të jetë e tillë, edhe pse para se të fliste këto broçkulla do bënte mirë të shikonte realitetin. Dhe e vërteta është krejt ndryshe, radhë pa fund, njerëz që sorollaten në pikë të diellit në mes të trotuarve dhe mungesë përgjegjësie dhe kulture ndaj qytetarëve të cilët kanë blerë shërbimin dy herë. Një herë me koncesionin të cilit i mbaroi afati dhe po zgjatet për llogari të oligarkëve qeveritarë dhe njëherë duke blerë kuponin 70 mijë lekë të vjetra nga 50 mijë që ishte në marrëveshjen koncesionare. Pra, edhe se shërbimi blihet sa frëngu -pulën “shefe” Karçanaj është në gjumin e saj, në zyrat komode dhe ajër të ftohtë kondicioneri, por që paguhen nga qytetarët e varfër të Shqipërisë. Me sa duket  “e-Albania”,  vazhdon të grumbullojë të dhënat personale të qytetarëve dhe ua dërgon për përpunim policies, duke na kujtuar sistemin e vjetër të diktaturës, ku nën moton në “shërbim të popullit”,  zyrat komode por gjakatare të gjethit të Sigurimit të Shtetit thurrnin masakrat e radhës. Pra aplikimet tek “e-Albania” janë bërë monopol, jo për qëllime shërbimi, por për qëllime elektorale dhe këtë e tregon fakti që njerëzit gënjehen me nga një sms prej bashkëpunëtorit ALEAT dhe sorollaten me ditë, nëpër zyrat e koncesionarit, i cili jo vetëm që nuk i sqaron, por u thotë gjejeni tek “e-Albania”. Sipas  drejtoreshës  Karçanaj, pas shqyrtimit të aplikimit, ju do të njoftoheni brenda afatit 1-3 ditë për aplikim emergjente dhe 1-8 ditë për aplikim normal nga Policia e Shtetit, dhe më pas duhet të vijoni me rezervimin e takimit pranë zyrave të ALEAT. Por edhe ky është një mashtrim, pasi ka javë të tëra që zyrat e “e-Albanias” dhe ato të ALEAT janë të çakorduar dhe një rrumpallë e vërtetë. Por pasojat i vuajnë qytetarët, dhe kozmetika e shitur nga këto dy institucione kthehet në  mashtrim helmues por gjithësesi i pabesueshëm nga ata që çdo ditë po përplasen në ekranin e “e-Albanias” dhe  bunkerin ALEAT. Dhe në këto raste e vetmja zgjidhje përballë marrëzisë shtetërore që bllokon pajisjen e qytetarve me pasaporta janë proceset gjyqësore tek të cilat do të kërkohet  edhe dëmshpërblime dhe ndëshkime për personelin e dyshes qeveritaro-koncesionar. Shefe Karçanajt po i kujtojmë se  më datën 22 qershor,  është bërë aplikimi pranë  “e-Albanias” , me numër aplikimi DPPSH-2020-R15000858-QN. Edhe pse sot data është 9 korrik, pra kanë kaluar 19 ditë, është e pamundur të gjesh një përgjigje, edhe pse është tentuar disa herë të meret një përgjigje nga “e-Albania” dhe nga zyra e ALEAT ( në L.A.Demi Tiranë) tek e cila është kërkuar zgjidhje dy herë brenda 10 ditëve. Përgjigja e ALEAT është se që kur ka hyrë në “lojë”, situata është bërë më e vështirë dhe ne nuk dimë t’ju japim dot një zgjidhje qytetarëve, si dhe në rastin konkret. Por nga ana tjetër ALEAT, dërgon sms në telefona dhe cakton edhe datë dhe orë takimi, por shërbim nuk të jep ?! Dhe kur i thua se përse e dërguat sms kur nuk kryeni shërbim ndaj qytetarve, ata  nuk kthejnë përgjigje,  por të riadresojnë tek  “e-Albania”?!  Me sa duket pasi morën me PPP, pasaportat Kuq e Zi, shqiptarëve po u kërkohet t’u bllokohen edhe pasaportat biometrike dhe dhënia e tyre të bëhet ose preferenciale, ose me kosto shtesë nga vetë qytetarët. Këto quhen duar të pista…