Një medikament që prodhohet në Gjermani shitet më lirë në Shqipëri. Bëhet fjalë për Grippostad C, i cili në vendin ku prodhohet shitet 13 euro, ndërsa në Shqipëri kushton 470 lekë. Denoncimi është bërë në faqen ‘Lolita’, shkruan boldnews.al ndërsa hidhen dyshime se medikamenti që tregtohet në Shqipëri është një ilaç i falsifikuar ose në prag skadence.
Denoncimi
Si ka mundësi që Grippostad C është më i lirë në Shqipëri se në Gjermani? U bëra kurioz dhe nisa një kërkim të thjeshtë. Në Gjermani kushton 13 euro, në Shqipëri kushton 470 lekë. Si ka mundësi që këtu gjendet më lirë se në vendin ku prodhohet? (Të paktën kështu thuhet në reklama “produkt gjerman”). Kontrollova edhe një herë kutinë e ilaçit të blerë në Gjermani (të cilin ia kërkova një shoku të ma dërgonte me gjithë faturë në foto) dhe shikoj që logot e markës nuk janë njëlloj. Është si të krahasosh një palë atlete Adidas me një palë të tjera Abibas! Ndryshon forma e shkronjave, ngjyrat…ajo në Gjermani me 2 harqe, ndërsa kjo e Shqipërisë me 1 hark! Dhe të gjithë e dimë, që nëse ka një gjë që nuk cenohet kurrë nga firmat prodhuese është logoja.