Drejtori i ISSH, Hado sqaron procedurën, si do të bëhet rritja e pensioneve dhe kush përfiton

Nga muaji tetor qeveria ka premtuar se do të indeksojë pensionet, një detyrim ky ligjor që zbatohet çdo vit. Por sa do të jetë norma e indeksimit? Për këto dhe të tjera detaje ka folur drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, në një intervistë për “Vizion Plus”. Këtë vit indeksimi nis në muajin tetor, por sipas kreut të ISSH-së, qeveria po mendon që për vitin e ardhshëm ky proces të ndodhë në mes të vitit. Ndërkohë qeveria ka premtuar se edhe bonusi i fundvitit do të jetë edhe më i madh se 5 mijë lekë.

-Zoti Hado, flitet prej kohësh se indeksimi do të nis në muajin tetor por a kemi një shifër konkrete sa është inflacioni i shportës për kategorinë e pensionistëve?

Sigal

Sigurisht, është detyrim ligjor i INSTAT-it që të llogarisin çdo muaj deri në 10 tetor të llogarisin indeksin e çmimeve të konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve që konsumojnë pensionistët, i cili është një raport i çmimeve të një viti krahas vitit të mëparshëm për të treguar ndryshimin e çmimeve për një kategori të caktuar mallrash dhe shërbimesh që konsumojnë pensionistët. Në llogaritë që ka bërë INSTAT-i rezulton që indeksi i çmimeve të konsumit për tërë popullatën është 2.9%, ndërsa për pensionistët ky indeks është 4.1%, që do të thotë se çmimet janë 4.1% më të larta se një vit më parë. Bazuar në ligjin e sigurimeve shoqërore 7703, është sanksionuar që pensionet indeksohen çdo vit bazuar në normën që del nga INSTAT-i për indeksin e çmimit të konsumit dhe me datë 1 tetor do të bëjmë indeksimin e të gjithë përfitimeve që trajton Instituti i Sigurimeve Shoqërore me këtë masë.

-Është folur edhe më herët që pensionet të ketë mundësi të kalojnë në bankë dhe jo nëpërmjet postës, ka ndonjë gjë më konkrete?

Kjo ka të bëj me politikat që ka të bëj qeveria që të reduktoj me të drejtë cash-in në qarkullim dhe shumica e pagesave të realizohet nëpërmjet sistemit bankar. Ndaj në këtë kuadër ka dalë dhe ligji që ka miratuar Banka e Shqipërisë që hapja e llogarive utilitare, kategori të caktuara të cilat me kosto 0 ose komisione shumë të ulta. Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka vite tashmë që ka dy mënyra pagese pensioni, një nëpërmjet Postës Shqiptare dhe një nëpërmjet sistemit bankar. Ajo çka vihet re, vitet e fundit kemi një rritje të personave të cilët duan të marrin pensionin në bankë, sidomos personat që dalin rishtas në pension, janë të edukuar pasi kanë marrë pagën në bankë dhe janë të familjarizuar e të edukuar me atë lloj pagese. Ne kishim marrëveshje me nëntë banka e para dy javësh nënshkruam marrëveshje dhe me bankën ‘Procredit’, që do të thotë se i kemi të gjitha mundësitë dhe opsionet që qytetarët ta marrin pensionin në bankë. Jemi duke punuar dhe me Postën Shqiptare për një formatizim të pagesave, pasi ISSH është gati totalisht i formatizuar sa i përket pagesave nëpërmjet një sistemi informatik ku çdo gjë mund ta lidhin online.

-Indeksimi përse lihet në fund të vitit dhe vetëm tre muaj përfitojnë pensionistët kompesim nga çmimet e rritura ndërkohë që viti ka 12 muaj?

Më parë indeksimet bëheshin në muajin prill por prej vitit 2022 kaloi në muajin tetor pasi pati dy indeksime për shkak të rritjes së çmimeve si pasojë e luftës në Ukrainë, bëmë dy indeksime brenda vitit pasi pati një rritje të menjëhershme të çmimeve dhe bëmë indeksimin prej 3.3% në 1 Prill e nuk pritëm të kishte një tjetër rritje të çmimeve të ushqimeve e bëmë dhe një tjetër indeksim në tetor me qëllim për t’ju ardhur në ndihmë pensionistëve. Ajo që po mendojnë ne është të afrojmë datën e indeksimit dhe të mos e lëmë 1 Tetor. Problemi tjetër është rënia e inflacionit dhe indeksi i çmimeve në këto muajt e fundit shumë sepse ka filluar në Janar me 5.8% dhe ka arritur 4.1%.

-Në një deklaratë që mbajti në Asamble, kryeministri njoftoi për një plan kombëtar për të garantuar sigurimet shoqërore apo dhe skemën e pensioneve në tërësi ku fokusi do të ishte tregu i punës. A është kjo rruga e duhur për të rritur pensionet duke ndërmarrë aksionet e radhës?

Kjo jo vetëm është rruga e duhur por dhe e vetme që të rriten të ardhurat për fondet në Sigurime Shoqërore e për rrjedhojë të rritet edhe pensioni. Ka dhe një rrugë tjetër që qeveria të marrë para borxh, që do të thotë se do i paguajmë po ne e si e tillë kjo na rëndon. Sistemi i pensioneve nuk është shkaku por pasojë e drejtpërdrejtë e marrëdhënieve të punës dhe ecurisë së tregut të punës. Nëse ne kemi një treg pune me paga të ulta apo me paga të deklaruar në mënyrë fiktive, do të thotë që ne kemi më pak para për të paguar pensionet, personat që do të dalin në pension sigurisht që do iu dalë pensioni më i ulët dhe e vetmja rrugë është zhvillimi i tregut të punës, shtimi i numrit të kontribuuesve dhe deklarimi real i pagës.