Shtyhet afati për shqyrtimin e dosjeve deri në 2028-ën
INFO
Raporti: Qeveria 857 mln euro borxh ish-pronarëve
Qeveria shqiptare ka njohur borxh për t’u kthyer prej gati 860 milionë euro për pronarët, të cilëve iu është konfiskuar prona gjatë diktaturës komuniste.Shifra është bërë e ditur në raportin vjetor të avokatit të popullit, i cili është dorëzuar në Kuvend. Në raport AP ngre kritika të forta mbi procesin e kompensimit të pronarëve, i cili sipas ligjit të vitit 2015 duhet të përfundonte brenda dhjetë vitesh.Po ashtu, Avokati i Popullit konstaton se procesi i kompensimit financiar vazhdon të jetë mjaft i ngadaltë. Sipas raportit, agjencia e trajtimit të pronave ka lëshuar 26.092 vendime për kompensim, ndërsa nga 2018-2022 është kryer pagesa vetëm për 398 vendime.
Afati për shqyrtimin e aplikimeve për ish-pronarët dhe shtrirja e fondit të kompensimit pritet të zgjasë përtej viteve të parashikuara aktualisht nga ligji në fuqi. Ministria e Drejtësisë ka propozuar një projektligj të ri, me argumentin se Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) nuk mund të respektojë afatet aktuale për përfundimin e shqyrtimit të dosjeve deri në fund të këtij viti dhe realizimin e pagesave deri në fund të vitit 2026.Sipas relacionit që shoqëron draftin e nxjerrë për konsultim në nenin 1 të projektligjit përcaktohet ndryshimi i afatit të shtrirjes në kohë të fondit të kompensimit deri në vitin 2028. “Aktualisht, sipas parashikimeve ligjore, fondi i kompensimit prej 50 miliardë lekësh është i shpërndarë në 10 vite pas hyrjes në fuqi të ligjit, pra deri në vitin 2026. Kjo shtyrje diktohet nga një sërë faktorësh:Sipas relacionit, faktorët janë se në përputhje me ligjin nr.133/2015, të ndryshuar, Agjencia e Trajtimit të Pronave është e ngarkuar për zbatimin e vendimeve kur ato të marrin formë përfundimtare në kuptim të ligjit, sa i takon vlerësimit financiar të së drejtës së kompensimit apo për ekzekutimin e vlerësimit sipas vendimit gjyqësor. Një tjetër faktor mbetet prapambetja e dosjeve pranë sistemit gjyqësor. Në lidhje me procesin e vendimmarrjes, ATP ka përmbyllur aktualisht procedimin administrativ, duke marrë vendim për 115 dosje ose 1.6% të kërkesave ende të patrajtuara, ndërsa ka filluar procedurat e njoftimit për plotësim dokumentacioni për rreth 2900 kërkesa për njohje pronësie ose 41.4% të dosjeve/praktikave. Sipas parashikimeve ligjore, fondi i kompensimit prej 50 miliardë lekësh është i shpërndarë në 10 vite pas hyrjes në fuqi të ligjit, pra deri në vitin 2026.
Këto përfundime, mbështeten në faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, të cilët kanë kushtëzuar vendimmarrjen e ATP-së, duke projektuar si objektiv të arritshëm maksimalisht rreth 700 vendime deri në fund të vitit 2024, ose 10% të dosjeve të patrajtuara” thuhet në relacion.
Shkelja e ligjit dhe zvarritja shumëvjeçare e kthimit të pronave, veç kaosit të krijuar ka nga pas edhe dëm financiar, të cilin e paguajnë qytetarët. Fatura e gjyqeve që Qeveria humb me pronarët në Strasburg vazhdon të rritet çdo ditë duke rënduar financat e drobitura të vendit.
Banka Botërore dhe institucionet e tjera ndërkombëtare prej vitesh i kanë bërë thirrje Qeverisë të zgjidhë kaosin me pronat, që sipas tyre dekurajon investimet e huaja dhe frenon zhvillimin ekonomik të vendit.