“Na marrin tokën ku kemi jetuar 30 vite. Si të mbijetojmë tani?!”- kjo është ulërima e 14 familjeve të Shtyllasit, që sot shohin t’u merret para syve i vetmi mjet jetese: Toka e bukës.
Prej vitit 1997 ata kanë AMTP, kanë punuar arat vit për vit, kanë paguar taksa deri në 2025, por sot tokat e tyre po shndërrohen në park fotovoltaik nga Salillari, një kompani që, sipas banorëve, “ka marrë certifikatë pronësie brenda një viti, në tokën që nuk e ka punuar kurrë”.
Në tokat ku mbillej grurë e jonxhë, sot hidhet çakull. “Vjen policia e më thotë: s’ke të drejtë, kompania ka certifikatë. Po unë kam 30 vite që paguaj taksë!” thotë një fermer.
Të tjerë tregojnë se certifikatat e premtuara nga shteti nuk u janë dhënë kurrë: “Kam paguar miliona lekë në hipotekë. S’na e nxjerrin. Ndërsa Salillarit ia japin brenda vitit.”
Banorët flasin për një skemë korrupsioni dhe mbivendosje të pronave: “Jemi dy pronarë për të njëjtën tokë. Na kanë nxjerrë tokën prodhuese si tokë jo frut. Ky është tjetërsim.”





















