Biba harron që Autoriteti i Konkurrencës nuk është as prokurori, as polici, as agjenci inteligjente. Ndoshta Autoriteti i Konkurrencës duhet të përmirësojë mënyrën se si i mbledh provat, si i monitoron çmimet, ndëshkon subjektet dhe parandalon abuzimet që çdo qytetar i ndjen në faturën e përditshme.
Kreu i Autoriteti të Konkurrencës, Denar Biba ka raportuar pothuajse për 4 orë në Komisionin e Ekonomisë.Përpara deputetëve, Biba kërkoi më shumë hapësira ligjore për të kryer hetime në disa tregje sensitive, pasi verifikimi i të dhënave për të faktuar se ka abuzime, në shumicën e rasteve është i pamundur, dhe si rezultat edhe masa apo ndëshkime nuk ka.Kështu, në një tentativë për të justifikuar rezultatet e Autoritetit, Biba deklaroi me një seriozitet të admirueshëm se “homologët tanë ju marrin celularët”, dhe se, edhe ai do të donte t’i kishte këto “hapësira ligjore”, për të hetuar më mirë tregjet problematike.E meqë “celulari është tradhtari më i madh”, sipas tij, ndoshta në emër të konkurrencës së ndershme do të na duhej t’i dorëzonim telefonat bashkë me kodin PIN… për çdo rast.“Homologët tanë ju marrin celularët. Ky (celulari) është tradhtari më i madh për çdo lloj gjëje. Nëse do realisht të bësh punë skrupuloze hetimore, kjo është. Edhe ata zotërinjtë e SPAK-ut apo të prokurorisë në Shqipëri shumicën e sukseseve të tyre e kanë pasur nga sky nga Encrochat. Ne nuk e kemi këtë mundësi. Polakët e kanë, turqit e kanë, italianët, gjermane, të gjithë vendet e BE-së i kanë”, tha Denar Biba.Megjithatë, ideja që një institucion administrativ kërkon akses në telefonat privatë të subjekteve që monitoron, ngre më shumë pyetje sesa përgjigje.Biba harron që Autoriteti i Konkurrencës nuk është as prokurori, as polici, as agjenci inteligjente. Hetimet që ky institucion kryen mbeten në kuadër dhe në kufijtë e kompetencave të këtij institucioni. Sipas Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Kodit të Procedurës Penale, ndërhyrja në komunikimet elektronike lejohet vetëm nga organet e ndjekjes penale, me autorizim të gjykatës, në raste hetimesh për vepra penale, jo për analiza tregu apo çmime qumështi.Asnjë rregullore e BE-së apo direktivë e saj nuk lejon mbledhjen e të dhënave private pa autorizim gjyqësor. Në vend që të kërkojë më shumë kompetenca për të hyjë në celularët e kompanive, ndoshta Autoriteti i Konkurrencës duhet të përmirësojë mënyrën se si i mbledh provat, si i monitoron çmimet, ndëshkon subjektet dhe parandalon abuzimet që çdo qytetar i ndjen në faturën e përditshme.
01
One dhe VDF sërish nën hetim të thelluar

Konkurrenca ka vendosur të hapë një hetim të thelluar mbi tregun me pakicë të shërbimeve celulare, pas konstatimeve të para që tregojnë mundësi për kufizim të konkurrencës.
Kryetari i Komisionit të Konkurrencës, Denar Biba, deklaroi në Kuvend se hetimi paraprak, i nisur në janar 2025, ka evidentuar të dhëna që justifikojnë ndërhyrjen e mëtejshme.
Sipas Autoritetit, procedura nisi pas ankesave të qytetarëve për rritjen e çmimeve të paketave me parapagesë dhe kontratë. Gjatë analizës për periudhën 2022–2024, u konstatua se sjellja e operatorëve celularë në treg mund të ketë ndikuar në kufizimin e konkurrencës, në kundërshtim me ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës”.Tregu i telefonisë celulare mbetet një ndër sektorët më të ndjeshëm për konsumatorët.Të dhënat e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare tregojnë se shpenzimet mesatare për komunikime celulare janë rritur për të katërtin vit radhazi, duke arritur në rreth 9 200 lekë për përdorues, ose 16% më shumë se një vit më parë.
Edhe kostoja për çdo minutë thirrje është rritur ndjeshëm, duke arritur në 5.54 lekë për minutë, çka tregon një rritje të vazhdueshme të të ardhurave të kompanive për njësi komunikimi.
Rritja e çmimeve është shoqëruar edhe me ulje të njësive të përfshira në paketat mujore, duke krijuar një efekt real shtrenjtimi për përdoruesit.
Autoriteti thekson se reduktimi i numrit të operatorëve aktivë në treg ka kufizuar konkurrencën dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve.
Sipas të dhënave financiare të raportuara, fitimet e kompanive celulare u rritën ndjeshëm në vitin 2024, me një total prej 1.68 miliardë lekësh, krahasuar me 370 milionë lekë një vit më parë.
Të ardhurat nga komunikimet elektronike arritën në 27.9 miliardë lekë, në rritje me pothuajse 9%, duke treguar se tregu i telefonisë celulare mbetet një nga më fitimprurësit në vend.
Hetimi i thelluar pritet të vlerësojë nëse rritja e çmimeve dhe fitimeve është rezultat i kushteve reale të tregut apo i praktikave që kufizojnë konkurrencën dhe dëmtojnë konsumatorët.






















