Bulqiza të ndryshojë pamje, në harmonizim me vlerat pasurore që ka

1453
Sigal

Nga Halil RAMA

Apeli i inxhinierëve që punuan ndër vite në minierën më të madhe të kromit në vend

Miniera e Bulqizës është një vepër gjigante me pasuri përrallore. Shpresojmë që kjo miniere të drejtohet me profesionalizëm edhe në të ardhmen dhe qyteti i Bulqizës të ndryshojë pamje e të harmonizohet me vlerat pasurore që ka

“Bulqiza të ndryshojë pamje në harmonizim me vlerat pasurore që ka”. Ky ka qenë apeli i qindra inxhinierëve nga i gjithë vendi, që kanë punuar për vite e dekada të tëra në minierën më të madhe të kromit në vend. Nga miniera e Bulqizës, që nga viti 1948, janë nxjerrë mbi 15 milion ton krom dhe për të nxjerrë këtë sasi janë kryer mbi 100 mijë km punime minerare. Në vitet 1975-1990 intensiteti punës dhe trysnia për rritjen e prodhimit kanë qenë në kulmin e veprimtarisë. Në këto vite pushtetarët e të gjitha rangjeve qëndronin në Bulqizë dhe kërkonin rritje të prodhimit sepse përbënte të ardhurat kryesore për ekonominë e vendit Pikërisht, inxhinierët që kanë punuar ndër vite në minierën e kromit Bulqizë, që i ka dhënë kaq shumë Shqipërisë, pa marrë gjë në këmbim u mblodhën në një takim mbresëlënës në qytetin minator, të shtunën më 10 nëntor 2018. Ishte një takim brezash i personelit inxhinierik që kanë punuar në minierë që nga viti 1948. Ky personel ka mundin dhe djersën e tij dhe mbi të gjitha mendimin shkencor për investimin e kryer në minierën më të madhe të kromit në vend. Njëri nga ish-kryeinxhinierët e minierës, Ing.Kurt Skarra, (ndër organizatorët e këtij takimi”, thotë se emrat e gjithë secilit janë të gdhendur në muret e galerive dhe të salduar në materialin grafik të minierës. Ndoshta edhe për këtë fakt, pjesëmarrja në këtë takim dhe interesimi ishte shumë i lartë. U mblodhën ata si miq të vjetër në këtë takim brezash, pikërisht në këtë vend, ku gjithsecili ka një pjesë të jetës dhe të punës së tij, të rinisë dhe të ëndrrave, duke kontribuar për t’i dhënë jetë kësaj miniere dhe këtij qyteti, kontribut që ende ushqen memorien me kujtimet më të mrekullueshme. Një orë para takimit, në qytetin e Bulqizës mbërritën inxhinierët veteranë që kaluan një pjesë të jetës së tyre në këtë qytet. Ritakohen kështu ata që i dhanë jetë e gjallëri dhe që me punën e tyre ndikuan në zhvillimin dhe rritjen e prodhimit të kromit në Bulqizë, duke e radhitur minierën e Bulqizës ndër minierat më të mëdha në botë për prodhimin e kromit. Qytetarë të Bulqizës e të fshatrave të këtij rrethi, që kanë punuar dhe ata që punojnë edhe sot në minierë, mirëpritën këtë takim brezash, duke u takuar me ta dhe duke kujtuar punën e bëre në minierë. Të binte në sy takimi i përzemërt me ish – drejtorin legjendar të minierës, Martin Cukalla, inxhinierin Vasil Jovani, me ish-drejtuesit Ismail Losha, Ismail Mema e shumë të tjerë, të cilët u çmallen me qytetin ku ata u përballën me vështirësitë e asaj kohe, në një moshë fare të re. Ata vinin në Bulqizë nga e gjithë Shqipëria. Rreth orës 11 ata u mblodhën në sallën e shfaqjeve të Qendrës Kulturore për të zhvilluar një takim përkujtimor, ku morën pjesë, krahas të ardhurve nga rrethet e tjera edhe pasardhës, inxhinierë, teknikë e minatorë që punojnë aktualisht në minierën e Bulqizës. Morën pjesë në takim edhe kryetari i Bashkisë Bulqizë, Melaim Damzi dhe drejtori i minierës Petrit Cara.

Homazh për të rënët në minierë

Në fillim, pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar, takimin, në emër të grupit organizator e hapi inxhinieri Kurt Skarra, i cili e nisi duke bërë një apel simbolik për veteranët dhe të gjithë të rënët në minierë, duke i thirrur në apel dhe ndezur nga një qiri pranë emrave të tyre. U nderuan me një homazh ata që kanë dhënë kontribut, por që nuk jetojnë më. “Koha bën të sajën dhe ne reflektojmë e nderojmë sot me shumë respekt ata që nuk jetojnë fizikisht por që jetojnë shpirtërisht në kujtimet tona të paharruara. Ata janë të gjallë dhe midis nesh si dekada më parë dhe për efekt të pjesëmarrjes, respekti dhe dashuria për to më thotë THIRRI NË APEL”, u shpreh ndër të tjera ing.Kurt Skarra. Dhe vërtetë nuk janë fizikisht, por në kujtesën e gjithsecilit rrojnë e do të rrojnë: Todo Manço, Bujar Pata, Thanas Dede, Artan Ceka, Hamza Gurra, Jashar Dema, Sotir Dodona, Zyhdi Tafili, Fatmir Beqiri, Niko Qirici, Imer Tonuzi, Andrea Xega, Ilir Çorja, Niko Lula, Ferit Bruçi, Bajram Bruçi dhe gjithë të rënët në minierën e kromit Bulqizë. Ndërkohë, pjesëmarrësit vlerësuan kontributin e disa personaliteteve, si Jorgo Kola, Llambi Gegeprifti, Noc Uci. Engjëll Hoxha, etj, të cilët nuk patën mundësi të vijnë në takim për arsye shëndetësore, por që gjithsesi u kujtuan dhe u nderuan nga të pranishmit.

Në takim përshëndetën disa inxhinierë nga brezi më i vjetër, si Vasil Jovani, Edmond Goskolli, Afrim Okshtuni, Sokol Asllani etj. Përshëndeti edhe Martin Cukalla, i cili ka qenë drejtor për 10 vjet, me një kontribut shumë të madh. Po ashtu, pjesëmarrësit vlerësuan praninë dhe përshëndetjen e kryetarit të bashkisë Bulqizë, z.Melaim Damzi. Kryetari i bashkisë Bulqizë, Melaim Damzi, në fjalën e tij përshëndetëse, falënderoi të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre ndër vite në këtë minierë. Edhe drejtori i minierës, Petrit Cara, në emër të personelit inxhiniero – teknik dhe të gjithë minatorëve të minierës përshëndeti pjesëmarrësit, duke bërë edhe një prezantim të punës që bëhet sot në minierë dhe duke u garantuar ardhmërinë e minierës atyre që sakrifikuan e kontribuan në fillimet e punës së saj. Më pas gjatë këtij takimi të pranishmit risollën edhe njëherë në memorie gjithë ecurinë e kësaj miniere, që nga hapja e saj e deri në ditët e sotme. Në fund të takimit të gjithë të pranishmit drekuan në ambientet e Hotel Bulqiza, ku edhe këtu ata sollën grimca të veçanta nga puna e atyre viteve në minierë, te cilat ngjallën shumë emocione për të pranishmit. Inxhinierët që shërbyen ndër vite në galeritë e thella të nëntokës së Bulqizës u mblodhën kështu në një takim pa ndonjë protokoll zyrtar të caktuar, në një takim të lirë ku shkëmbyen me njëri-tjetrin kujtimet e tyre. U ritakuan ata pas shumë vitesh e pas shumë kohësh, u çmallën me njëri-tjetrin, kujtuan atë punë të madhe që kanë bërë së bashku për t’i dhënë jetë dhe qëndrueshmëri shfrytëzimit të kësaj miniere.
Në fund për të pranishmit u shtrua një drekë pune, gjatë së cilës u përkujtuan momente dhe çaste nga ajo periudhë kohore kur secili dha kontributin e tij në këtë minierë.

Në Bulqizë minatorët, inxhinierët dhe teknikët janë gjatë gjithë kohës me ‘këmbë nën tokë’

Shumë thonë që njerëzit bien në gabime kur nuk janë me ‘këmbë në tokë’, por në Bulqizë minatorët, inxhinierët dhe teknikët janë gjatë gjithë kohës me ‘këmbë nën tokë’. Bulqiza është një trevë e cila shtrihet në pjesën verilindore të vendit dhe përfshihet në prefekturën e Dibrës. Jeta në këtë zonë zhvillohet në dy dimensione. Në të vërtetë janë dy Bulqiza, Bulqiza që shtrihet gjeografikisht dhe Bulqiza e nëntokës. Nëntoka e Bulqizës përfaqëson, pjesë të jetës dhe dinamizmit të punës ku ushtrojnë profesionalizmin e tyre mbi 3000 punonjës të cilët ushqejnë mbi 15 000 jetë njerëzish, gjithashtu i ka dhënë Bulqizës, emër dhe zhgënjim. i ka dhënë emër sepse minerali kromit i nxjerrë nga nëntoka ka pushtuar tregjet e botës dhe ka krijuar tek të huajt, imazhin e një qyteti dhe treve shumë të zhvilluar, zhgënjimi qëndron në faktin se minerali kromit është përdorur për të investuar në zonat e tjera të vendit dhe jo në vetë Minierën dhe Bulqizën. Miniera e kromit Bulqizë është unikale në botë për pozicionin gjeografik të saj, për sasinë dhe cilësinë e rezervave, për pozicionin dhe formën e shtrirjes mineralizimit të kromit, për metodat hapjes së vendburimit si dhe për mënyrën e shfrytëzimit, është vendburimi më i madh i Shqipërisë dhe ndër më të mëdhenjtë në botë. Miniera e Bulqizës është një vepër gjigante me pasuri përrallore. Shpresojmë që kjo miniere të drejtohet me profesionalizëm edhe në të ardhmen dhe qyteti i Bulqizës të ndryshojë pamje e të harmonizohet me vlerat pasurore që ka.