Bill Gates: Ne nuk do të kthehemi në normalitet për një deri në dy vjet

503
Intervistë / Filantropi miliarder beson se kjo është koha për “bashkëpunim”, jo për denoncimin të nxituar ndaj Kinës.
Sigal

“Njerëzit do të shqetësohen shumë nga ideja e infektimit dhe do të ndryshojnë në mënyrë drastike sjelljen e tyre, (…) derisa të vërtetohet se terapitë ose një vaksinë bëjnë që të mbetet rreziku i vdekjes”, thotë Bill Gates (këtu në 2018, në Nju Jork).

Që prej fillimit të kësaj pandemie, të cilën e kishit parashikuar me shumë saktësi, duket se ju jeni në kontakt me të gjithë botën për të strukturuar një përgjigje globale ndaj sfidës së COVID-19. Një thirrje për veprim nisi këtë të shtunë me nismën e OBSH-së, fondacionit tuaj dhe shumë shtete, përfshirë Francën. Për çfarë po shpresoni?

Është e vërtetë që dhashë një konferencë në vitin 2015, duke parashikuar pandeminë dhe të përshkruar në detaje, në New England Review of Medicine, për masat që duhej të ishin marrë. Ideja ishte që të bëheshim gati, kur të vinte koha, të rrisnim shpejt kapacitetin tonë të testimit dhe të përfshinim industrinë në mënyrë që të mund të prodhonte shpejt terapi dhe më pas vaksina.

Por, përfundimisht, u bë shumë pak. Dy fondacione, Wellcome Trust dhe Fondacioni Gates, si dhe një numër shtetesh, dhuruan një shumë modeste në Qendrën e Përgatitjes për Epidemitë (Cepi), e cila ka investuar në disa kërkime mbi vaksinat, të cilat ne i konsiderojmë shumë, duke premtuar jo vetëm për të mundur këtë pandemi, por për të kuruar sëmundje të tjera.

Por mbetet shumë për të bërë. Sot vuajmë një humbje që prek tërë botën, me shumë vuajtje dhe dëme ekonomike. Në fondacionin Bill dhe Melinda Gates, ne sjellim disa nga ekspertizat që ndihmojnë për të kuptuar platformat e vaksinave dhe për të bashkëvepruar me sektorin privat, për të ndihmuar të dallojmë midis qindra vaksinave që janë në zhvillim – dhe ato që mund të zhvillohen në një shkallë të gjerë.

Pothuajse e gjithë puna kërkimore për vaksinat bëhet në sektorin privat, dhe meqenëse jemi aktorë neutralë dhe kemi akses tek të gjithë ekspertët – unë jam në kontakt me shumicën e CEO-ve të kompanive, i pyesim për të vënë në dispozicion kapacitetet e tyre prodhuese. Unë u kërkoj edhe të mendojnë mënyrën se si të prodhojnë 7 miliardë doza vaksina, madje 14 miliardë.

Duke lexuar shënimin tuaj të botuar në COVID-19, duket se ju vini bast më shumë për një vaksinë sesa për terapitë. Pse?

Është me rëndësi të punohet mbi terapitë, të cilat mund të vihen në shërbim më lehtë sesa vaksinat, sepse nuk kanë nevojë të testohen në një shkallë kaq të madhe. Britania e Madhe është duke punuar veçanërisht mbi terapitë që ne kemi identifikuar si premtuese. Ato janë futur tashmë në sistemin shëndetësor NHS, i cili shikon nëse mund të ndryshojnë rrjedhën e zhvillimit të sëmundjes.

Vaksina është e rëndësishme, sepse pa dyshim është mënyra me të cilën do të kthehemi në normalitet…

Nëse disa nga terapitë që janë në krye të listës dështojnë, gjithmonë ekzistojnë disa që mbeten premtuese, siç është për shembull përdorimi i hiperimunoglobulinës, të cilin e marrim nga gjaku i pacientëve të kuruar dhe që injektohet sërish te të sëmurët. Por që bota të kthehet në normale, do të na duhen ose terapi jashtëzakonisht efektive, ose një vaksinë. Vaksina është shumë e rëndësishme, sepse pa dyshim kështu do të kthehemi në normalitet.

Në shkrimin tuaj, ju thoni se mbyllja pa dyshim ka shpëtuar “miliona jetë”. Por shtoni se me siguri do të jetojmë me COVID-19 për një kohë të gjatë, veçanërisht nëse një vaksinë kërkon muaj, madje edhe vite…

Është e vërtetë. Ne nuk do të kthehemi në normalitet për një deri në dy vjet. Ne mund të dalim nga kjo fazë e parë, duke vendosur një sistem aktiviteti që funksionon pa rrezikun e kthimit në fazën eksponenciale të përparimit që nga fillimi. Me një sistem testimi dhe gjurmimi, ne mund të jemi në gjendje të identifikojmë shpejt zonat e infeksionit dhe t’i ndalojmë ato.

Por ne nuk do të kthehemi në një aktivitet plotësisht normal, sepse njerëzit do të shqetësohen shumë për idenë e infektimit dhe do të ndryshojnë në mënyrë drastike sjelljen e tyre. Edhe vendimet e qeverisë nuk do t’i rikthejnë ata në stadiume derisa të provohet se terapitë ose një vaksinë bëjnë që të mbetet rreziku i vdekjes.

Ju folët në telefon me Presidentin Macron për përpjekjen globale të nisur këtë të shtunë me nismën e OBSH. Shtetet e Bashkuara nuk iu bashkuan. A po flisni ju me Presidentin Trump?

Unë nuk kam folur me Presidentin Trump, por disa herë me Dr. Fauci (i cili këshillon Shtëpinë e Bardhë për strategjinë e shëndetit, NDLR), me sekretarin e Shëndetësisë, Alex Azar, dhe me zv.presidentin. Edhe nëse Shtetet e Bashkuara nuk marrin pjesë në këtë fazë në përpjekjen globale të nisur të shtunën e shkuar, mendoj se ata do të jenë pjesëmarrës vendimtarë, për shkak të rëndësisë së kërkimit mjekësor amerikan, për rolin e tyre historik në kërkimet për vaksinat dhe Sida-s. Ne duhet t’i japim fund kësaj sëmundje në rang global, jo vetëm sepse kujdesemi për njerëzit e tjerë, por edhe sepse duam që ekonomia globale të rikuperohet dhe nuk duam që importet të rrezikojnë provokimin e një kthimi dramatik të epidemisë.

Do të vijë sigurisht koha e bilancit, por të drejtosh gishtin te fajtorët sot nuk është një qasje konstruktive…

Ju e keni kritikuar ngrirjen e kontributit financiar të Shteteve të Bashkuara në OBSH, por a e kuptoni zemërimin amerikan, duke pasur parasysh vetëkënaqësinë e dukshme të OBSH drejt Kinës?

Nuk ka lidhje më të fortë midis një agjencie dhe një vendi se sa ajo që ekziston midis Shteteve të Bashkuara dhe Organizatës Botërore të Shëndetit. Nëse shikoni përbërjen aktuale të OBSH-së, do të shihni që përqindja e njerëzve që punojnë në OBSH, që janë ose kanë qenë të punësuar nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), është shumë e lartë.

Kjo është një gjë e mirë, sepse CDC ka qenë historikisht një organizatë shumë efektive, e cila ka luajtur një rol të madh në çrrënjosjen e lisë së dhenve, dhe në përpjekjet kundër poliomielitit. Kështu që nuk e kuptoj pse ulja e kontributit amerikan në OBSH është e shqetësuese sot, në mes të një pandemie. Sigurisht, do të vijë koha për të vlerësuar të gjitha përgjigjet tona. Jam i sigurt se do të shohim që OBSH do të kishte mundur të menaxhonte gjërat ndryshe. Por ideja që ajo ka shtrembëruar realitetin në përfitim të një shteti nuk është e saktë.

A duhet të mbajë përgjegjësi Pekini për fshehje të së vërtetës në lidhje me epideminë?

Është shumë e vështirë të jesh shteti ku deklarohet një epidemi. Duke nisur nga një pikë e caktuar, Kina përdori metoda të ashpra për të ndalur virusin dhe nuk është më një burim i përhapjes së infeksionit. Do të vijë sigurisht koha e bilancit, por të drejtosh gishtin te fajtorët sot nuk është një qasje konstruktive. Ekonomia jonë ka ndaluar, bota po vuan, përparësia duhet të jetë bashkëpunimi.

A nuk mendoni se është thelbësore të dimë se nga vjen ky virus, nga një laborator, nga një treg, për të gjetur kurën?

Ne realizuam sekuencën e këtij virusi në kohë rekord! Kinezët i bënë të gjitha të dhënat e arritshme. Gjithçka që kishin, na i dhanë.

Pavarësisht bujarisë së projekteve tuaja filantrope, ju shkaktoni urrejtje. Teoricienët e komplotit ju akuzojnë se keni shpikur virusin për të shitur “vaksinat tuaja”! Pse kaq shumë virulencë?

Ky virus ka shkaktuar shkatërrime shumë të mëdha, në një shkallë të pabesueshme. Edhe unë, që e kisha parashikuar këtë lloj pandemie, u befasova nga masa e dëmtimeve. Që njerëzit të mendojnë se mund të kem bërë një gjë të tillë, është me të vërtetë marrëzi. Fondacioni ynë është përdorur për të dhuruar para, për të shpëtuar jetë, ne nuk fitojmë para me projektet tona.

Fondi juaj i Investimeve Strategjike ngjall thashetheme dhe kureshtje. A mund të shpjegoni si funksionon?

Ne jemi në gjendje të ulim çmimin e vaksinës kundër poliomielitit, sepse jemi të përkushtuar të blejmë vëllime domethënëse gjatë disa viteve. Kjo i lejon kompanitë të cilave u japim këtë garanci të ndërtojnë uzina, vëllimi i prodhimit të të cilave do të ketë treg të garantuar. Nga ana tjetër, nëse shohim një kompani që ka teknologji, e cila mund të shpëtojë shumë jetë në vendet në zhvillim, ne mbështesim punën e saj duke investuar në të. Nëse këto investime prodhojnë fitime, ne i riinvestojmë ato 100% në fondacion, gjë që na jep fonde për të zhdukur malarien, poliomielitin…

 Që prej vitit 2000, ne dhe partnerët tanë kemi ulur numrin e vdekjeve nga sëmundjet infektive nga 10 milionë në 5 milionë në vit.

A jeni ju, një biznesmen, një filantrop apo te dyja?

Unë nuk jam më një biznesmen, nëse të jesh biznesmen do të thotë të rrisësh fitimin tënd. Unë rris numrin e jetëve të shpëtuara ose të përmirësuara. Që prej vitit 2000, ne dhe partnerët tanë kemi ulur numrin e vdekjeve nga sëmundjet infektive nga 10 milionë në 5 milionë në vit. Kriteret tona janë jetët e shpëtuara. Unë mund ta bëj, sepse po shpenzoj para që kam fituar në karrierën time të mëparshme.

Si i zgjidhni projektet tuaja? Janë bërë shumë kritika që ju e keni kompaninë Monsanto partner…

Ne jemi kundër kequshqyerjes, sepse është një nga arsyet pse fëmijët në vendet në zhvillim kanë më shumë të ngjarë të vdesin, sesa në Francë ose Shtetet e Bashkuara. Ndihma për t’u siguruar fermerëve farëra që mund t’i rezistojnë thatësirës dhe fatkeqësive të tjera natyrore na duket se është një shkak i denjë interesi.

Aplikacionet e krijuara për gjurmim (tracking), për të luftuar COVID-19 po shkaktojnë shqetësim të vërtetë mbi faktin se ne mund të sakrifikojmë privatësinë tonë. A mund të shtrihet ferri me qëllime të mira teknologjike?

Lexoni përsëri memon time! Unë nuk jam aspak i përfshirë në teknikat e ndjekjes dhe madje them se vendet perëndimore nuk do të pranojnë të dorëzojnë të dhënat e tyre të GPS te qeveritë. Në memon time, i referohem metodës gjermane (e cila konsiston në gjetjen e çdo personi të infektuar individualisht për të zbuluar me kë ka qenë në kontakt) si metodë për t’u ndjekur.

Ekzistojnë gjithashtu mjete të bazuara në vullnetarizëm, në mënyrë që teknologjitë të mund të rifreskojnë kujtimet e njerëzve. Por nuk mendoj se vendet perëndimore do të përdorin metodën e Koresë së Jugut. Është në dorën e qeverive të vendosin. Parashikimi im është që ata nuk do ta bëjnë. Kontrollimi i të dhënave të GPS nuk është një zgjidhje magjike.

Kina ka përparuar shumë në kërkimet mjekësore dhe Inteligjencën Artificiale, dhe shumë kompani farmaceutike janë tërhequr nga aftësia e saj për të mbledhur të dhëna. A jeni i shqetësuar për këtë pozicionim kinez, duke pasur parasysh natyrën totalitare të regjimit?

Nëse mund të ndihmoni në kurimin e kancerit, mendoj se do të shihet si një gjë e mirë, çfarëdo qoftë natyra e qeverisjes. Kina do të jetë një kontribuuese e madhe e shkencës mjekësore, edhe pse nuk është aspak në nivelin e Shteteve të Bashkuara. Përballë sëmundjes, ne jemi të gjithë në të njëjtën anije. Nëse jam në fazën e fundit të kancerit, nuk do të pyes veten nëse pilula që po marr vjen nga një vend, sistemi politik i të cilit nuk më pëlqen. Ne duhet t’i gëzohemi faktit që bota po bëhet më e zgjuar dhe informacioni rreth koronavirusit ndahet midis vendeve. Sepse në këtë mënyrë do ta mposhtim.

Flasim për një krizë të arsimit në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë mungesë të studentëve që diplomohen në studime inxhinierike ose kërkime mjekësore. Jeni i shqetësuar?

Natyrisht, jam shumë i shqetësuar nga ky problem. COVID-19 ka vëmendjen e plotë të Fondacionit, madje edhe në aspektet e tij jomjekësore. Në projektet tona arsimore, kemi menduar edhe se si të zhvillojmë procesin e mësimit në internet. Tre muaj të plotë shkolle kanë shkuar dëm. Dhe për fat të keq janë shkollat për shtresat e pafavorizuara, të cilat kanë më pak kapacitet për t’u lidhur me internetin dhe nuk kanë mjetet e duhura, ndërkohë që lagjet e pasura po ia dalin shumë herë më mirë. Si zakonisht, lajmet e këqija prekin kryesisht njerëzit me të ardhurat më të ulëta…                                                Kina është në të vërtetë furnizuesi më i besueshëm i këtyre përbërësve krahasuar me vendet perëndimore, të cilat nuk iu përgjigjën aq shpejt krizës.

Shumë besojnë se kjo krizë ka ekspozuar kurthet e globalizmit dhe rreziqet e varësisë së tepërt nga Kina për produkte të caktuara strategjike, siç janë ilaçet. A jeni dakord se globalizimi duhet të ndalet? A duhet të deglobalizojmë dhe riatdhesojmë prodhime të caktuara?

Më duket e çuditshme që të gjithë duan të shfrytëzojnë këtë epidemi për të zhvilluar idetë e tyre, edhe nëse nuk ka asnjë lidhje me të. Ne nuk patëm asnjë ndërprerje të tregut gjatë kësaj pandemie për përbërësit mjekësorë! Kina është sot furnizuesi më i besueshëm i këtyre përbërësve në krahasim me vendet perëndimore, të cilat nuk mundën t’i përgjigjen aq shpejt krizës.

Jo, nuk mendoj se përdorimi i kësaj krize për të promovuar pikëpamje ksenofobe është i justifikuar. Ideja që çdo qytet i vogël do të fillojë të prodhojë makinat e veta!… Duhen fakte për ta diskutuar këtë. Cilat produkte janë zhdukur globalisht për shkak të krizës? Në Fondacionin Gates, ne jemi përqendruar te pandemina dhe bashkëpunimi, jo në kritikat politike.

Çfarë ëndërroni të përmbushni në jetën tuaj?

Tani për tani, e gjithë vëmendja ime është përqendruar në mënyrën se si të luftojmë COVID-19. Ai ndërhyn në kaq shumë gjëra dhe shkakton po aq shumë dëme ekonomike dhe çrregullime mendore, saqë vështirë se mund të imagjinojmë konturet e tij. Është vërtet dramatike dhe çfarëdo që mund të bëjmë për të ndihmuar, ne do ta bëjmë.

Burimi: Le Figaro