Bashkia Klos i fal kontratën 574 milionë lekë ish-deputetit për të suvatuar 10 klasa në një shkollë

225
Sigal

Suvatimi i një shkolle me 10 klasa kushton 574 milionë lekë në Klos. Këtë shifër e mësuam pas përfundimit të një tenderi të firmosur nga kryetarja e Bashkisë, Valbona Kola. Tani, që jemi edhe pak javë nga fillimi i shkollës, Kola është kujtuar të bëjë riparimin e godinës mësimore.

Konkretisht po flasim për tenderin me objekt ‘ Rikonstruksion i Shkollës 9-vjeçare “Gurrë e Madhe” Gurrë, Bashkia Klos’. Bëhet fjalë për shkollën në foton më poshtë, që në total ka 10 klasa, zyrën e drejtorisë dhe tualetet.

Me punimet përmes këtij tenderi nuk do të bëhet asnjë ndryshim strukture, por vetëm rehabilitim i godinës dhe ndërtimi i një fushe sporti përbri shkollës. Për këto punime suvatimi, lyerje, riparimi, kryetarja Kola ka planifikuar të shpenzojë 478 milionë lekë dhe kontratat zgjat 6 muaj.

Fondi limit na duket i fryrë, por për këtë do të dëgjojmë më vonë nga auditimet që kryen KLSH. Prandaj për momentin do të përqendrohemi tek procedura e prokurimit. Shohim që kanë shfaqur interes dhe kanë aplikuar firmat  ULZA” Sh.p.k dhe “COMPANY RIVIERA 2008” Sh.p.k. Kjo e fundit është skualifikuar që në fazën e parë me arsyen se nuk ka deklaruar 3 punonjës. Me largimin e kësaj oferte, Kola ja dhuroi kontratën firmës që mbeti e vetme në “garë” ULZA” Sh.p.k.  Kështu pra, lekët për shkollën xhirojnë në llogarinë e biznesmenit Ndue Shpani.

Sakaq, vlen të informojmë se kompania “ULZA”, më parë me emrin “Ulëza Ndërtim” është në pronësi të dy vëllezërve Shpani, njëri ish-deputet i Partisë Demokratike dhe tjetri i kërkuar dikur nga Policia për mashtrim me rimbursimin me TVSh.

Nikolin Shpani rezulton se në vitin 2019 ka qenë mes dhjetëra biznesmenëve, që janë arrestuar e shpallur në kërkim nga Prokuroria e Tiranës, pas zbulimit të një skeme të madhe mashtrimi me rimbursimin e TVSH. Kompani që kishin tjetër fushë aktiviteti dhe prisnin fatura për produkte e shërbime që as i ofronin.

Duke rimbursuar fatura false, Nikolin Shpani arriti të fitonte 90 milionë lekë nga rimbursimi i TVSH, duke i shkaktuar dëm direkt buxhetit të shtetit.

Dhe pavarësisht këtyre mashtrimeve me dëme ekonomike, kjo firmë gjen bashkëpunëtore se kryetarja Valbona Kola që e favorizojnë me kontrata qindra milionë lekëshe.

Le të shpresojmë që shkolla të mos mbetet gjatë e mbyllur nën llaçin e këtij tenderi, sepse kryetarja e ka zakon që i lë punët përgjysmë. Një shembull për këtë është fshati Rripë, në Njësinë Administrative Gurrë në Bashkinë e Klosit. Para zgjedhjeve lokale të vitit 2023, Bashkia e Klosit dërgoi atje 80 tonë me çimento, si “premtim” për bërjen e asaj rruge. Në janar 2024 çimentoja, sipas konstatimit të bërë nga mediat, qëndronte akoma në qiell të hapur, sepse kryetarja kishte harruar të mbante premtimin.