Një skemë kriminale, një llogari bankare në Vjenë, që po tret miliardat e naftës shqiptare analizon gazetari Klodian Tomorri ku ndër të tjera nxjerr në pah se: Në kryeqytetin austriak, në njërën nga degët e shumta të Bankës Raiffeisen atje, është hapur një llogari bankare. Zotëruesi i llogarisë është kompania Bankers Petroleum Albania. E gjitha kjo bëhet me bekimin e autoriteteve shqiptare dhe thelbi i skemës kriminale është i thjeshtë. Bankers Petroleum arkëton miliarda euro nga shitja e naftës që nxjerr në Marinzë, por në Shqipëri nuk vjen asnjë qindarkë. Të gjitha paratë shkojnë në llogarinë e Austrisë dhe prej aty treten duke i pamundësuar qeverisë shqiptare dhe kreditorëve të tjerë të ekzekutojnë borxhet që Bankers nuk paguan.
Raiffeisen Bank Vjenë
Në katër vitet e fundit, Bankers Petroleum Albania arkëtoi rreth 900 milionë dollarë nga shitja e naftës së nxjerrë në Patos-Marinzë. Për çdo pagesë eksporti, paratë derdhen në llogarinë e Vienës dhe prej aty Bankers i administron si të dojë. Problemi është se Bankers ka qindra milionë dollarë borxhe në Shqipëri në formën e taksave të papaguara ndaj buxhetit të shtetit dhe detyrimeve për nënkontraktorët privatë.Por për shkak se paratë shkojnë në Austri përmbaruesit xhirojnë bosh me vendimet e gjykatave dhe titujt ekzekutivë në duar. Sepse në Shqipëri Bankers nuk ka asnjë llogari me gjendje parash që të mund të bllokohet për te ekzekutuar borxhin.Situata është rënduar së tepërmi veçanërisht gjatë vitit të fundit, kur Bankers filloi të mos paguajë praktikisht asgjë dhe askënd duke akumuluar me shejtësi borxhe të mëdha
Mal me borxhe
Aktualisht Bankers Petroleum ka 80 milionë dollarë borxhe të papaguara ndaj nënkontraktorëve shqiptarë, të cilët kanë kryer punime në puset e Patos Marinzës. Bankers Petroleum duhet të paguajë minimalisht 100 milionë dollarë për buxhetin e shtetit. Kjo faturë është finale, e certifikuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhin në verën e vitit 2024. Mosmarrëveshja, e çuar në arbitrazh nga Bankers, lidhej me procedurën e rikuperimit të kostove në lidhje me operacionet në fushën naftëmbajtëse të Patos Marinzës. Vendimi i Gjykatës refuzoi mbi 236 milionë dollarë kosto të pretenduara nga Bankers dhe të kundërshtuara nga AKBN. Por përtej kësaj fature që është borxh final, autoritetet fiskale shqiptare kanë pretendime edhe për 300 milionë dollarë të tjera, që Bankers duhet të paguajë në shtet. Këtu bëhet fjalë për gjobën e famshme të doganave, e konstatuar në vitin 2019, por e zyrtarizuar vetëm në tetor të vitit të kaluar. Detyrimi buron nga mospagesa e akcizës për holluesin e përdorur në nxjerrjen e naftës. Së bashku me gjobën e doganave dhe detyrimet e llogaritura nga Tatimet bëhet fjalë për plot 300 milionë dollarë.Por qeveria shqiptare nuk mbledh dot asnjë qindarkë nga këto borxhe, sepse paratë nga shitja e naftës shkojnë në Austri.






















