A ka dashuri të pastër?

1965
Sigal

Sevo Tarifa

Dashurisë, rinisë, pleqërisë dhe vdekjes s’ka njeri që t’u shpëtojë.

Në vetvete, në përmbajtje, dashuria është e pastër. Kjo sepse në themel të saj qëndrojnë besimi dhe besnikëria e dy partnerëve që dashurohen. Për të kanë shkruar pena të fuqishme e të ndritura, personalitete botërore. Po të flasim me gjuhën e tyre, dashuria  është  një fryt në të gjitha stinët, ilaç shpirtëror, nga e cila buron jeta; motor, që çon gjithçka përpara; është nevojë, dëshirë, adhurim; është si një ëmbëlsirë, si një këngë, si një lule që duhet ta lësh të rritet, të “këputet” në kohën e duhur. Është një “sëmundje” e mirë, që pushton njëherësh shpirtin, zemrën, mendjen, trupin e njeriut. Është si një vegël muzikore, që edhe zemrën e plakut e bën të kërcejë valle; dashurisë, pleqërisë dhe vdekjes nuk ka njeri që t’u shpëtojë.  “Ai që të do me gjithë shpirt, t’i pranon dhe gabimet”. (Molier) Ja pse në përmbajtjen e saj dashuria është e pastër si loti, e ëmbël si mjalti, e bukur si lulet, e fortë si diamanti. Megjithëse thuhet se “dashuria është e pastër”, e përgjigjja është “Po”, ka dhe një “Jo”! Si shpjegohet kjo?

E para, Dashuria nuk është gjithnjë dhe tek të gjithë e pastër. Ka momente që tek ajo duken edhe gërvishtje, grimca, shenja e njolla, që e cenojnë dhe lënë gjurma papastërtie në përmbajtjen e saj. Kjo nuk na çudit, se të tilla ka edhe dielli, megjithatë ai nuk pengohet që të shkëlqejë me rrezet e tij të arta e të fuqishme, jetëdhënëse. Ka edhe hëna, por as kjo nuk pengohet të ndriçojë dhe të ‘ngrohë’ natën, sidomos kur është e plotë. Kështu është edhe dashuria, grimcat e këqija të së cilës nuk i vënë dot asaj gurë në rrota. Ajo s’lë njeri “pa prekur”, “pa kapur”, “pa mbërthyer”! “Ai që nuk dashuron është si një i vdekur, i ardhur me leje”. Dashurisë, rinisë, pleqërisë dhe vdekjes s’ka njeri që t’u shpëtojë.  

E dyta, “Njollat” e dashurisë janë aq të vogla, sa ajo s’do t’ia dijë ose e lëndojnë fare pak. Ato të pakta e fare të vogla pika të pista që rëndojnë mbi dashurinë, janë njerëz që ia krijojnë, ia shtojnë. Ndaj thuhet se “nuk ka dashuri të pastër”, “nuk ka dashuri të kulluar”. Kush e bën dashurinë që në brendinë e saj mos të jetë gjithnjë e pastër, ashtu siç ka vetë përmbajtjen? E bëjnë një numër njerëzish, gabimet e tyre në koncepte e në praktikë, në dashuri e në vazhdim pas martesës e bashkëjetesës,  madje dhe në pleqërinë e tyre.

E treta, Janë të njohura ato që “e vrasin” dashurinë:

  • njohja e përciptë e çiftit që bashkohet, martesë pa njohje, pa dëshirë;
  • dashuri me sy “të verbër” e jo me zemër;
  • “dhelpëria” e disave që e shohin atë për interes vetjak;
  • mbeturina patriarkale në familje;
  • mosmarrëveshje për administrimin e të ardhurave;
  • shfaqje xhelozie të sëmurë, raporte jo të mira nuse-vjehrrë, zënie e grindje si “mbylle dritën”, “mos e mba shumë hapur kondicionerin”, “nuk m’i ke hekurosur mirë pantallonat”, “s’më bëre një dhuratë për datëlindje”, e të tjera si këto xhingla-mingla.

Çifti ka të drejtat e veta të barabarta, si njëri dhe tjetri. E mira është që të vendoset raporti i drejtë, harmonia mes tij dhe gjithë familjes. Dhe në qoftë se merr fund dashuria midis dy partnerëve, kur nuk ka mundësi vazhdimi i saj, kjo është më normale të ndodhë në kohën e duhur dhe jo kur çifti bëhet me fëmijë, të cilët mbeten rrugëve. Aq më tepër kur gjëra të tilla ndodhin në mosha të mëdha, kur njerëzit kanë më shumë nevojë për njëri-tjetrin. Dashuria nuk njeh moshë. Në kushte të caktuara dashuria kthehet atje ku lindi, në miqësi, por jo të vritet, ose miqësia të shndërrohet në armiqësi e më keq akoma….  Pikërisht këto e të tjera e bëjnë njeriun që të shprehet se “s’ka dashuri të pastër”.  Përvoja e mjaft çifteve tregon se s’ka gjë që nuk zgjidhet midis të dashuruarve. Ulet së pari një nga partnerët, që ka më shumë kulturë, që është tolerant dhe bisedohet me dashuri, me respekt, me mirëkuptim. Bëhen të gjitha përpjekjet për ta mbrojtur e konsoliduar dashurinë, ndryshe ajo “plagoset”, kthehet në urrejtje, çështja shkon deri në shkurorëzim në gjykatë (të cilat sot rëndom janë të pasura me ngjarje pune e veprimtari të tilla të papëlqyera). Disa gjëra të vogla nuk kanë ç’t’i bëjnë dashurisë. Burri e gruaja jetojnë bashkë një kohë të gjatë. Midis tyre do të ketë edhe ndonjë zënkë të vogël, ndonjë mosmarrëveshje, por këto sqarohen e  zgjidhen me lehtësi. Nuk mund të kërkohet që mes dy partnerëve të ketë gjithmonë qetësi, të mos ketë fare ndonjë gërvishtje midis tyre. Pyetjes “A grindeni shpesh me gruan”, Dritëro Agolli i përgjigjet: “Ata që duhen torturojnë njëri-tjetrin. Ka periudha kur nuk grindemi fare. Atëherë më pushton një trishtim, pasi më duket sikur nuk e dua më. Kur filloj të grindem, qetësohem dhe them me vete: E dua!…Doemos unë nuk them që jeta të kalojë me grindje, vetëm se pa çaste zënkash, s’ka dashuri”.