Qytetarët shqiptarë paguajnë fatura të larta të energjisë elektrikë, kurse institucionet publike të vetë shtetit nga ana tjetër janë borxhlinjtë më të mëdhenj të energjisë. Bashkitë vjedhin taksat e qytetarëve për të paguar inceneratorët, por nuk kanë të ardhura për të shlyer borxhet e energjisë elektrike .Konkretisht, institucionet jobuxhetore kishin deri në fund të dhjetorit 2024 një borxh prej 19.5 miliardë lekësh.
Kanë kaluar plot 11 vite që nga koha kur në vitin 2014, në kuadër të një Plani për Rimëkëmbjen e Sektorit të Energjisë, qeveria nisi një fushatë “pa kompromis”, siç do ta cilësonin asokohe, kundër vjedhjes së energjisë elektrike. Për pasojë u ndërprenë mijëra lidhje të paligjshme në rrjetin e shpërndarjes, por, nga ana tjetër, qindra qytetarë përfunduan pas hekurave.
Ndërkohë që miliona euro borxhe të papaguara i përkasin institucioneve shtetërore 11 vite pas pas reformës së energjisë duket sikur spiralja e disiplinës kërkon të vendoset vetëm te filli më i dobët i sistemit, konsumatori familjar, që pritet ta paguajë edhe më shtrenjtë energjinë elektrike.
Shteti i trajton qytetarët e saj si të “njerkës”, ndërsa administratën që ka shpërdoruar miliarda lekë si të “nënës parti”. Nëse familjeve shqiptare të cilat kalojnë tre muaj pa shlyer faturat e energjisë elektrike apo të ujësjellsit menjëherë u ndërprehet furnizimi me ujë apo me energji.
Nga viti 2015 deri në 2022 u janë vënë prangat 1489 qytetarëve dhe janë proceduar nga Task Forca 6665 persona, por asnji drejtues nga ministritë, administrata, kompanitë energjitike, bashkitë, ujësjellësat nuk është ndëshkuar.
Tendenca 800 milionë euro
Borxhi i akumuluar i energjisë, që institucionet publike, familjarët dhe bizneset kishin ndaj kompanisë shtetërore të shpërndarjes OSHEE Group, arriti në fund të dhjetorit 2024 në 80. 4 miliardë lekë apo rreth 800 milionë euro. Në raport me një vit më parë ky borxh rezulton me një ulje vetëm 0.5 për qind duke mbetur kështu në nivele të larta, pavarësisht nxitjes që është dhënë përmes aplikimit të vazhdueshëm të skemave të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura.Tendenca edhe pse rënëse në total, është shfaqur e ndryshme mes grupeve që kanë detyrime të prapambetura. Kështu, sipas shifrave zyrtare të Entit Rregullator të Energjisë, (ERE) institucionet si ato buxhetore edhe ato jobuxhetore kanë shfaqur rritje të detyrimeve në raport me fundin e vitit 2023. Konkretisht, institucionet jobuxhetore kishin deri në fund të dhjetorit 2024 një borxh prej 19.5 miliardë lekësh me një rritje prej 3 për qind të detyrimeve ndaj OSHEE Group krahasuar me dhjetorin e vitit 2023.Në institucionet jobuxhetore bëjnë pjesë ujësjellësit që kanë edhe detyrimet më të mëdha në këtë zë, por bëjnë pjesë gjithashtu ndërmarrjet e ndriçimit të bashkive, apo kopshtet. Institucionet buxhetore duket se gjithashtu kanë rritur detyrimet e tyre ndaj kompanisë së energjisë me një vlerë prej rreth 2 milionë euro. Në fund të vitit 2023 këto institucione kishin 4.83 miliardë lekë borxh teksa në fund të vitit 2024 ky detyrim i akumuluar arriti 5 miliardë lekë. Familjarët që janë mbajtësit e 56.5 për qind e detyrimeve totale të prapambetura ndaj kompanisë OSHEE kanë shfaqur gjithashtu një rritje të lehtë të këtij borxhi në fund të 2024. Kjo rritje ishte 0.16 për qind apo pak a shumë një vlerë prej rreth 740 mijë euro. I vetmi grup që duket se ka pasur ecuri pozitive në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të energjisë është biznesi. Në fund të dhjetorit borxhi për këtë grup ishte 10.3 miliardë lekë duke shënuar kështu një rënie me 11.5 për qind në raport me dhjetorin e vitit 2023.






















