68 fëmijë të huaj të pashoqëruar, të zhdukur në Shqipëri. Autoritetet i shmangen përgjegjësisë ligjore, duke i bërë kurban të krimit

67

Zyrtarët shkelin VKM, thuajse në të gjitha rastet e fëmijëve të huaj të pashoqëruar institucioneve shtetërore, nuk janë ndjekur procedurat ligjore të kërkuara për t’u garantuar sigurinë. Policia nuk ka deklaruar humbjen e fëmijëve të huaj. Kemi të bëjmë me një krim të organizuar, që ka shtrirë kontrollin e tij tek të gjithë fëmijët e huaj të pashoqëruar, që hyjnë në Shqipëri.

Sigal

Gjatë viteve 2019-2022 në Shqipëri janë identifikuar 68 fëmijë të huaj të pashoqëruar, ndërkohë që të gjithë këta fëmijë sot rezultojnë të zhdukur. Në raportin “Të zhdukur në drejtim të paditur”, CRCA bën të ditur se këta fëmijë e kanë kaluar kufirin shqiptar në mënyrë jo të rregullt. CRCA Shqipëri gjatë periudhës prill-qershor 2023 realizoi një mision fakt-mbledhës në disa qarqe të vendit.“U intervistuan zyrtarët publikë nga institucionet përgjegjëse për fëmijët e huaj të pashoqëruar, si nga policia e shtetit, institucionet qendrore dhe vendore në mbrojtje të fëmijëve, ashtu edhe nga organizata kombëtare dhe ndërkombëtare që punojnë për mbrojtjen e fëmijëve. Në të njëjtën kohë ekipi ynë ka qenë në kontakt me autoritetet e Malit të Zi dhe Kosovës po në lidhje me këtë çështje. Si gjatë vizitave tona ashtu edhe nga intervistat e realizuara, rezulton se Shqipëria, pavarësisht përpjekjeve, nuk ka ndërtuar një sistem të sigurt, të aftë dhe funksional që do të bënte të mundur mbrojtjen dhe kujdesin për fëmijët e huaj të pashoqëruar”,- thotë Altin Hazizaj, drejtor i CRCA.
Nga të dhënat zyrtare të Policisë së Shtetit, rezulton se gjatë periudhës 2019-2022, autoritete ligj-zbatuese ka arritur të identifikojë 68 fëmijë të huaj të pashoqëruar, të cilët kanë kaluar kufirin shqiptar në mënyrë jo të rregullt. Të gjithë këta fëmijë sot rezultojnë të zhdukur dhe asnjë zyrtar publik nuk ka informacion se ku janë këta fëmijë. Sipas Raportit, si në aspektin ligjor, ashtu edhe atë organizativ, përpjekjet e ndërmarra deri më tani nga autoritetet përgjegjëse, rezulton të jenë në mospërputhje ose në shkelje të hapur të legjislacionit vendas si dhe të VKM 111/2019. Ndonëse ligji për të drejtat e fëmijës, ligji për të huajt dhe VKM 111/2019 përcaktojnë qartazi detyrat dhe përgjegjësitë e institucioneve shtetërore, thuajse në të gjitha rastet e fëmijëve të huaj të pashoqëruar nuk janë ndjekur procedurat ligjore të kërkuara.

“Fëmijët e huaj të pashoqëruar, në kundërshtim me ligjin, nuk janë vendosur në një mjedis të sigurt në Bashkinë ku ata identifikohen (Gjirokastër dhe Devoll thuajse në të gjitha rastet), nuk ju është caktuar kujdestari ligjore dhe nuk ju janë ofruar shërbimet e garantuara nga ligji. Në kundërshtim me kërkesat e VKM 111/2019, të gjithë fëmijët janë shoqëruar për në Tiranë dhe janë lënë nën kujdesin e një Qendër Emergjence, që drejtohet nga një organizatë joqeveritare, që nga intervistat me zyrtarët publikë rezulton se nuk është e autorizuar sipas legjislacionit shqiptar nga autoritetet vendase për të ofruar kujdes, siguri dhe mbrojtje për fëmijët e huaj të pashoqëruar”, -shkruhet në raportin e CRCA.
“Nuk ka asnjë të dhënë apo informacion zyrtar se çfarë ndodh me fëmijët e huaj të pashoqëruar pas vendosjes së tyre në Tiranë. Disa profesionistë besojnë se fëmijët janë zhvendosur drejt Malit të Zi dhe Kosovës, por kjo do të thotë se autoritetet në mënyrë të heshtur e kanë pranuar se ekziston një rrjet i mirë-organizuar i trafikantëve të fëmijëve brenda Shqipërisë, një e dhënë që mungon në raportet shtetërore mbi trafikimin e brendshëm të fëmijëve. Sidoqoftë, zyrtarisht përtej denoncimit të bërë nga ana e organizatës mbi zhdukjen e fëmijëve, autoritetet policore nuk kanë deklaruar humbjen e fëmijëve të huaj të pashoqëruar apo shpalljen e tyre në kërkim kombëtar, ose ndërkombëtar, sipas kërkesave të ligjit. Kemi të bëjmë me një krim të organizuar, që ka shtrirë kontrollin e tij tek të gjithë fëmijët e huaj të pashoqëruar, që hyjnë në Shqipëri. Të gjithë këto fëmijë janë të rrezikuar nga trafikimi për qëllime të shfrytëzimit seksual, për skllavëri, marrjen e paligjshme të organeve apo edhe akte të terrorrizmit.