Mungesa e Gjykatës Administrative mban peng 1 miliard euro padi të bizneseve ndaj tatimeve

344
Sigal

Raporti: Paditë e bizneseve ndaj tatimeve mbajnë peng 1 miliard euro

 Në detyrimet prej 122.5 mld lekë, i cili ndiqet deri më 31 dhjetor 2020, është e përfshirë edhe vlera prej 13.7 mld lekë, e cila është në proces gjyqësor, ku deri në fund të dhjetor 2020, zë 11% të stokut të detyrimeve të papaguara

 

Biznesi është kategoria që duket se më shumë se të tjerat po vuan mungesën e gjyqtarëve, veçanërisht në gjykatat administrative. Bizneset në gjithë vendin janë të përfshira në një mori përplasjesh me administratën tatimore, për një vlerë rekord prej rreth 130 milionë dollarësh. E dhëna vjen përmes administratës tatimore, e cila e ka kategorizuar këtë shifër si detyrim të papaguar nga biznesi, i cili zë më shumë se 10% të totalit detyrimeve të papaguara për vitin 2020.

“Në detyrimet prej 122.5 mld lekë, i cili ndiqet deri më 31 Dhjetor 2020, është e përfshirë edhe vlera prej 13.7 mld lekë, e cila është në proces gjyqësor, ku deri në fund të dhjetor 2020 zë 11% të stokut të detyrimeve të papaguara”, thekson Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në analizën që i bën detyrimeve të papaguara për vitin e shkuar.

Shifra shumë e lartë e detyrimeve për të cilat biznesi ka paditur administratën tatimore, vjen në një çast kur, veçanërisht gjykatat administrative, po vuajnë mungesën e gjyqtarëve për shkak të shkarkimeve nga Vetting-u.

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pranuar tashmë se, një subjekt mund të presë edhe 5 vite për të marrë vendimin në Apelin e Tiranës. Nga 78 gjyqtarë që duhet të kenë në total apelet, aktualisht kanë 25. Ndërkohë që edhe më e rëndë është situata në të dyja shkallët e gjykatave administrative, shkak për të cilin, LKGJ po studion mundësinë edhe për rigrupimin e tyre, ndërkohë që apelet mund të përmblidhen në një gjykatë të vetme. Ndërkaq, biznesi, ashtu si dhe avokatë të shumtë, akuzojnë se në pritje të Vetting-ut, një numër i konsiderueshëm gjyqtarësh kanë prirjen të favorizojnë administratën publike, në dëm të bizneseve.

Ndërkohë që një tjetër alarm vjen nga institucioni i Avokatit të Popullit, i cili përtej zvarritjes me vite të gjyqeve, evidenton se, biznesi vuan edhe pamundësinë e ekzekutimit të vendimeve që i kanë konsideruar fitues përballë institucioneve shtetërore.

Avokati i Popullit, akuzon shtetin se jo vetëm zvarrit, por edhe pengon me vetëdije ekzekutimin e vendimeve gjyqësore me palë humbëse institucionet shtetërore përmes një udhëzimi që rregullon lëvrimin e fondeve nga institucionet publike. Përgjatë vitit 2020, institucioni i Avokatit të Popullit ka konstatuar qartësisht se zbatimi i titujve ekzekutivë me palë debitore një organ të administratës publike, mbetet një çështje problematike. Kjo, sipas Avokatit të Popullit, bëhet përmes një akti nënligjor të Qeverisë, lëshuar në vitin 2014, i cili u lë shteg institucioneve të zvarrisin sa të duan ekzekutimin e vendimeve të gjykatave, në favor të bizneseve e individëve.