2.6 mln shqiptar mbajnë në kurriz 200 mijë burokratë të administratës

351
Sigal

Eksperti Enriko Ceko/ Buxheti 2022 po varfëron qytetarët dhe rrezikon falimentimin e skemës së pensioneve. Pushtetarët janë në qiell tek satelitët, ndërsa poshtë shumica e qytetarëve jeton me 5.5 USD në ditë. Qeveria i merr taksapaguesve 4.8 mld lekë dhe nuk ua kthen mbrapsht. Korrupsioni, pagat e ulëta, përmbytjet, abuzimet me PPP, janë treguesit përse buxheti nuk do të jetë në favor të shtresave në nevojë

 

Buxheti antisocial 2022 në lupën e ekonomistit, Ceko: Nuk ka zgjidhje, duhet qeveri teknike!

Presidenti Ilir Meta ia ktheu mbrapsht Kuvendit,  Buxhetin e ri të vitit 2022 duke e konsideruar atë si një buxhet “antisocial”. Por çfarë emri i vë këtij projektligji, eksperti i ekonomisë, Dr.. Enriko Ceko në tryezën e “Kafe Shqeto” dhe a shpreson se pas ripunimit në parlament, buxheti do të jetë në favor të shtresave sociale që kanë më tepër nevojë?“Ky buxhet pretendon për 5,4  apo 5,5 miliardë euro shpenzime në një kohë që ka 4,7 miliardë euro të ardhura, para që vilen nga taksapaguesit, – shpjegoi me thjeshtësi Dr. Ceko.- Domethënë është si një dasmë. Do të bësh një dasmë me 100 të ftuar, po në fakt ke vetëm 84 pjata!!!” Dhe duke analizuar sesi qeveria po e trajton çështjen e varfërisë në vend, ku shumica e popullsisë jeton me më pak se 5,5 dollarë në ditë, Ceko qwndroi i prerë në mendimin e tij se “situata kështu siç është nuk ka zgjidhje! Duhet qeveri teknike!”Po shpresat, a duhen humbur shpresat tek reagimi i Shoqërisë Civile në Shqipëri? Po për këtë të fundit, profesori dha një konkluzion edhe më drastik: Shoqëria civile, shoqëria debile dhe shoqëria kopile!!!

Ndiqni qendrimin e ekspertit Enriko Ceko mbi Buxhetin 2022 që po debatohet, buxhet i hartuar nga qeveria Rama III, përballë gazetarëve Dori Daka dhe Flavio Qarri:

 “Antisocial” është termi për Presidentin, por cili është termi juaj për buxhetin 2022?

Ne  e kemi diskutuar edhe përpara kësaj historie, çështjen e Buxhetit 2022, në periudhën që diskutohej midis qytetarëve dhe të interesuarve të tjerë, e shoqërisë civile dhe e kemi shprehur që ky buxhet në total nuk plotëson objektivat për të cilat ndërtohet.Kur ndërtojmë një buxhet shteti ne e marrim gabim situatën.  Në 30 vitet e fundit në Shqipëri, buxheti është ndërtuar kështu: “Kaq lekë do të vjelim nga taksat dhe këto lekë do t’i përdorim në…1, 2, 3, 4, 5” në një kohë kur buxheti duhet ndërtuar në një mënyrë tjetër: cilat janë problemet që kemi dhe sa para na duhen për t’i zgjidhur ato. Pastaj, a i mbledhim këto para nga taksat apo nuk i mbledhim, është çështje tjetër. Dhe këtu pastaj del konkurenca në aspektin politik, të partive. Ajo parti që arrin të bëjë një buxhet të mirë dhe i mbledh taksat aq sa duhet, ajo parti vjen në pushtet. Këtu në Shqipëri funksionon ndryshe,  nuk vjen në pushtet partia për shkak të konkurencës.Në qoftë se flasim konkretisht, ky buxhet pretendon për 5,4  apo 5,5 miliardë euro shpenzime në një kohë që ka 4,7 miliardë euro të ardhura, para që vilen nga taksapaguesit. Ky buxhet domethënë është si një dasmë: do të bësh një dasmë me 100 të ftuar, po në fakt ke vetëm 84 pjata!!! Tani, si mund të bësh dasmë ti me 100 të ftuar, kur ke pjata vetëm për 84 persona?! Si mund të bësh ti shpenzime 5,7 miliardë euro, kur ti vet thua se do të mbledhësh 4,7 miliardë euro nga taksat dhe të ardhura të tjera?! Këtu duket paaftësia, sepse duke marrë parasysh popullsinë e Shqipërisë, duke marrë parasysh mënyrën se si ndërtohet biznesi në Shqipëri dhe duke marrë parasysh atë që thonë ndërkombëtarët  dhe që ne e themi, hajt se është bërë si modë kjo “e thonë ndërkombëtarët” që në Shqipëri ka ekonomi të zezë, ekonomi gri dhe ka korrupsion, atëherë Buxheti i shtetit të Shqipërisë duhej të ishte 8-9 miliardë euro minimalisht , për të mos thënë 11- 12 miliardë euro. Në qoftë se themi se 50% e ekonomisë shqiptare është ekonomi që nuk futet në sistemin ligjor, në ekonominë legale, ekonominë që duket, atëherë qeveria duhet të bëjë përpjekje të luftojë korrupsionin, që është plaga më e madhe në Shqipëri, korrupsionin që na sjell gjithë këto.

Është një buxhet që ka shumë paqartësi dhe përsa i takon mbrojtjes sociale, kur duhet më shumë se kurrë duhet që të gjitha shtresat sociale të kenë një mbrojtje. Duke qenë se Presidenti e ka kthyer këtë ligj në Kuvend dhe ai do t’i nënshtrohet një procedure parlamentare, a ka ndonjë shans që të kemi një lloj kompromisi apo ndryshimi nga ana e qeverisë në lidhje me këtë ligj?

Unë nuk mendoj se palët kanë ndonjë dëshirë të mirë për të bërë kompromis. Jemi në një situatë ku të gjithë lojtarët “e rëndësishëm” politikë në Shqipëri, nuk janë të aftë që të kuptojnë problematikën që ka vendi. Nuk janë të aftë të kuptojnë hallet që kanë njerëzit e thjeshtë. Kemi një hapësirë shumë të madhe midis qytetarëve dhe pushtetarëve. Pushtetarët janë aty tek ata satelitët që do të bëjë Kryeministri, janë në qiell, kanë ikur lart dhe as e kanë idenë se çfarë ndodh këtu poshtë tek ne. Në momentin që ti jep në Buxhetin e Shtetit, 100 milionë euro për investim, për infrastrukturë e të tjera dhe pastaj del të nesërmen  e thua do të bëj dy satelitë që kushtojnë 100 milionë euro, ku vajtën investimet për infrastrukturë?! Se atë 100-milionwshin ti e do për satelitë. Në qoftë se marrim këtë çështje për të cilën diskutojmë sot , FMN jo më vonë se javën që kaloi deklaroi se në Shqipëri një pjesë e mirë e popullsisë jeton me 5,5 dollarë në ditë. Ne morëm 5,5 dollarë, po në fakt pas kësaj fshihet një shifër shumë e tmerrshme: 5,5 është mesatarja, se në Shqipëri kemi 25% të popullsisë që jeton me më pak se 1 dollar në ditë, atë që tha edhe Presidenti . Kemi 25%-ësh tjetër të popullsisë që jeton me nga 3-5 dollarë në ditë, më pak se 5,5 dollarët e FMN-së dhe kemi një pjesë tjetër të popullsisë, 25% që jeton me 5-7 dollarë në ditë! Pjesa e madhe është ajo që jeton me 5,5 dollarë në ditë dhe kemi shumë pak të popullsisë që … ata që janë atje tek satelitët. Pra, kemi 75% të popullsisë shqiptare që vuan. Në qoftë se do të marrim çështjen e pandemisë , 99% e ndërmarrjeve në Shqipëri janë të vogla dhe të mesme. Ndërmarrjet e vogla në Shqipëri janë ato që u prekën më shumë nga pandemia dhe ato katër paketat qeveritare që u premtuan gjatë periudhës së pandemisë, nuk e dimë se ku përfunduan. Vetëm për paketën e parë u bë një farë transparence. Mungon transparenca, sepse ka korrupsion dhe meqenëse ka korrupsion, shqiptarët janë të varfër. Korrupsioni është plaga më e madhe që shkatërron jetën politike ekonomike e sociale në një vend. Kryeministri i Luigjit XIV , Rishëljeja, kur e çuan në gijotinë, për korrupsion -ishte kryeministri më i suksesshëm i gjithë historisë së Francës. E çuan në gijotinë për korrupsion, sepse abuzoi me pushtetin, abuzoi me detyrën, abuzoi me paratë e buxhetit të shtetit.

Gijotinë fatkeqësisht nuk presim zoti Ceko në këtë vend, një gijotinë politike nuk do të ishte e keqe.

Do të ishte më se normale dhe shumë e  pranueshme nga qytetarët. Tani, të bësh, një buxhet shteti  duke reduktuar numrin e atyre që përfitojnë ndihmë ekonomike apo pagesën e papunësisë dhe pastaj të mos e shtosh masën e atyre që ngelen, atëherë kjo është abuzim fare. Domethënë ne kemi pasur në skemë, e zëmë 100 persona;  këta 100 persona i bëjmë 50 dhe atyre 50-ve që ngelen në skemë, përsëri nuk ua shtojmë paratë!!!

Nëse kemi në Kuvend një opozitë  që pavarësisht përplasjeve i kalon manovrat e rëndësishme ligjore të qeverisë , nëse kemi një President që maksimumi, që mund të bëjë është vetëm që ta rikthejë për rishqyrtim, po shoqërisë shqiptare çfarë mekanizmash e ngelen që të ushtrojë një presion efiçent për ta ndryshuar një buxhet që e vret bujqësinë, i lë të ngordhin për bukë një pjesë e madhe e njerëzve dhe të tjerëve u jep llokmat e mëdha të koncesioneve?

Ju, me 3-4 fjali e përmblodhët atë që është historia e tetë viteve të fundit të Shqipërisë dhe  e bëtë me shumë profesionalizëm. Por e mbani mend çështjen e Teatrit besoj. Tek çështja e Teatrit u ngrit një pjesë e Shoqërisë Civile ta mbronte Teatrin. Pastaj, politika, ata të Shoqërisë Civile që dolën atje, dalëngadalë i përpunoi, i mashtroi, i eliminoi, i shpërndau, i bleu dhe Teatri u prish. Unë kam bërë një shkrim para 15 vjetësh me titull “Shoqëria civile, shoqëria debile dhe shoqëria kopile”. Tani, Shoqëria Civile në Shqipëri nuk ekziston. Shoqëria është një shoqëri debile që kujton se i di të gjitha, por në fakt injoranca dhe vet Kryeministri aktual e ka pranuar që ka një injorancë shumë të madhe në Shqipëri. Unë po citoj Kryeministrin këtu, s’po e them vet këtë – dhe shoqëria kopile, që janë ata që shkojnë pas bishtit të Kryeministrit dhe me ato paratë e fondacioneve që bëjnë sikur bëjnë projekte, sikur ndihmojnë Shqipërinë, në fakt i futin në xhepin e tyre, marrin nga një rrogë apo blejnë nga një makinë. Me këtë konfigurim të shoqërisë shqiptare është e vështirë që të bësh atë shkollën për lopçarët . Si tha ai “është e vështirë”! Po, është e vështirë në të vërtetë, por nuk është puna të bësh shkollë për barinj. Akademi për barinj është shumë e lehtë për të bërë, sepse është akademia, është universiteti bujqësor i Tiranës që bën edhe trajnime e kualifikime, se s’po them që barinjtë t’i nxjerrim me diplomë doktorature.  Po puna është që në radhë të parë të rregullojmë këtë çështjen e Buxhetit të Shtetit, sepse i marrim qytetarëve shqiptarëve 4,8 miliardë euro dhe bizneseve (se del nga xhepi i bizneseve ajo) dhe nuk ua kthejnë mbrapsht. Buxheti ndërtohet që t’u kthehet mbrapsht qytetarëve, jo që të abuzohet.Shiko çfarë ndodh. Ne kemi një skemë pensionesh të falimentuar. Nxjerrim 800 milionë euro nga Buxheti i Shtetit që ia japim pensionistëve. Pse? Sepse nuk ka punëtorë në Shqipëri që të punojnë që të paguajnë pensionet e tyre, që të qëndrojë skema e pensionistëve, sepse pjesa më e shëndetshme, më e arsimuar e popullsisë është larguar. Ne bëjmë fjalë për moshë punë 18 vjeç deri në 65 vjeç, po në fakt janë larguar ata që janë 30-45 vjeç. Këta punojnë në Gjermani, Itali… U mbahen atyre sigurimet shoqërore dhe me paratë e tyre paguhen pensionistët gjermanë, pensionistët italianë. Sa mjekë kanë ikur nga Shqipëria për në Gjermani? Le që na lanë bosh sistemin shëndetësor, por me paratë që iu mbahen atyre për sigurime shoqërore, paguhet një pensionist gjerman, jo një pension shqiptarë. Unë mora shembull vetëm mjekët, po profesionet e tjera?!

  1. Ceko, a është një situatë që zgjidhet kjo në këto momente apo duhet të dorëzohemi?

Jo, nuk duhet të dorëzohemi, po situata kështu siç është nuk ka zgjidhje. Duhet qeveri teknike. Shqipërinë e zgjidh një qeveri teknike, që t’i jepet një hapësirë disa mujore që të përgatisë kushtet për zgjedhje të lira, të drejta dhe të barabarta. Nëse më keni dëgjuar me kujdes unë nuk thashë zgjedhje të ndershme. Zgjedhje të ndershme nuk ka në asnjë vend të botës, kurrë nuk ka zgjedhje të ndershme, por nëse zgjedhjet janë të lira, të drejta, të barabarta dhe me standarde, ka mundësi që zgjedhjet të jenë të ndershme.