Fëmijët po rriten në një vend ku ushqimi nuk kontrollohet, por kontraktohet. Ku mbrojtja e shëndetit nuk është prioritet shtetëror. Dhe ku përgjegjësit janë gjithmonë “duke u hetuar”, por asnjëherë në burg. Në Shqipëri nuk ka më kontroll ushqimor; ka licenca për vrasje të heshtura, të firmosura nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit AKU është shtëpia e dytë e drejtuesve militantë: “mbyll sytë ose mbyll dosjen”. Nuk kanë fund skandalet me mishin e pulës, mishin nag Brazili, qumështin, apo luleshtrydhet dhe mandarinat, pjeshkët dhe domatet që prodhohen këtu janë të mbytura në pesticide.
01
INSTAT: Importet e pesticideve, rritje në krahasim me një dekadë më parë
Me gjithë rënien e prodhimit bujqësor, importet e pesticideve po vijnë në rritje vit pas viti. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në vitin 2023, importi i pesticideve shënoi 1,480 tonë, me rritje vjetore prej 6.8%.
Përdorimi i pesticideve në vend ka pësuar luhatje të forta gjatë periudhës 2010–2023, duke arritur kulmin në vitin 2020, kur importet e tyre kaluan 2,000 tonë. Në vitin 2010, sipas të dhënave të INSTAT, ishin importuar 1,356 tonë.
Nga grupet e publikuara nga INSTAT (insekticide, fungicide, herbicide, dezinfektantë), insekticidet konsiderohen përgjithësisht më të dëmshme për shëndetin e njeriut, pasi mund të shkaktojnë helmime akute edhe me doza të vogla.
Fungicidet zakonisht kanë toksicitet më të ulët akut, por disa kanë efekte kancerogjene ose endokrine në përdorim afatgjatë. Herbicidet, në përgjithësi, janë më pak toksike sesa insekticidet.
02
Prof. Lush Susaj: Korrupsioni injoron insitucionet e kontrollit

Pasojat nga pesticidet janë të mëdha në shëndet dhe imazhin e vendit. Një pjesë e pesticideve flitet se vijnë në mënyrë ilegale me çanta nga dogana. Klorpirifosi, Oksamili, apo edhe Metirami hyjnë fshehtas nga Greqia, Italia dhe Maqedonia e Veriut, apo aktualishtë Falconi nga Kosova. Meqënëse armata e AKU-së dhe e doganave nuk e di ta mësojë nga “Telegraf” që në intervistën me një nga zërat më të fuqishëm në mbrojtje të bujqësisë dhe konsumatorit shqiptar, Prof. Lush Susaj.
Ndër të tjera Profesori u shpreh se:përgjegjës kryesor për këtë demontim dhe çorganizim të sistemit të bujqësisë është Ministria e Bujqësisë. Në një sistem të tillë të korruptuar e nepotikë, nuk është pyetur fare eksperti, as profesori, as universiteti. Janë spostuar specialistët e bujqësisë, e gjitha për nevojat korruptive të disa OJF-ve. Edhe pse OJF-të e shokëve të partive, nuk i njohin fare këto profesione delikate e me rëndësi jetike, ata kanë marrë projekte, sjellin pesticide dhe nuk bëjnë trajnime. Për pasojë, përmbajtja e lartë e pesticideve në fruta dhe perime do të na shfaqet kudo ku mungon agronomi me përvojë dhe dije bashkëkohore.
03
Auron Tare: “Çfarë hamë sot në Shqipëri apo kur nuk prodhojmë dot as hudhra”

Ky është një dyqan normal në një nga lagjet historike të Gjirokastrës. E pyeta të zotin çfarë prodhimesh ka nga fshati? Po ja më tregoi me gisht shikoi vetë – Përveç spinaqit asgjë nuk është e jona. Janë bërë perimet si turistë.
Hudhrat nga Kina.Patllixhanet nga Bullgaria.Portokalle Greke.Gështenjat Greke
Arrat greke.Kumbullat e mëdha italiane, të voglat maqedonase.Pjeshkët Italiane. Shegët Turke.
Aaa prit – i thashë kur mbaroi së numëruari, patatet dhe qepët janë tonat.Jo – më tha vijnë nga Gjermania. Nuk ka mundësi i thashë – Kolonja është mbushur me patate dhe qepë.
Jo jo gjermane i ke më tha. Vijnë më lirë se tonat. Zotëria që shiste në dyqan dukshëm një person i lexuar me një psherëtimë të gjatë vazhdoi më tej. E di kur ka marrë ferra uratën në këtë vendin tonë? Kur fshatarët vijnë këtu dhe blejne një thes me patate gjermane, apo një varg qepësh. E kupton ku jemi katandisur? Të vijë fshatari tek unë të blejë patate nga Gjermania.
Jemi më keq se në kohën e dikurshme kur vinin fshatarët dhe blinin bukë gruri në qytet.
Në fakt përtej dëshpërimit të një qytetari normal në një qytet si Gjirokastra një situatë e tillë në bujqësi është tejet alarmant.
Ne sot jemi një shoqëri që jo vetëm nuk prodhojmë më asgjë në fushën e bujqësisë, por konsumojmë në përgjithësi produkte të ardhura nga jashtë.
Tregu ynë i mbushur me prodhime që shkëlqejnë nga dylli dhe kimikatet që kanë për t’i rezistuar kohës, tregojnë degradimin e bujqësisë, e cila përtej rrezikut të madh shëndetësor ka një kosto shumë të lartë ekonomike. Valuta e futur tek ne nga turizmi në fakt del jashtë për të blerë prodhimet ushqimore, të cilat futen në treg për të ushqyer numrin e turistëve që vijnë në vend.
Ndërkohë një bujqësi e fortë jo vetëm do të siguronte një kualitet në prodhimet tona të cilat do të mbështesnin të gjithë sektorin e turizmit duke mbajtur valutën në vend. Sigurisht një koncept shumë i thjeshtë për t’u kuptuar, por i pa administruar deri më sot. Përtej mburjes me numrin e lartë të turistëve që vizitojnë vendin, askush nuk flet dhe nuk mban përgjegjësi se përse sot bujqësia jonë nuk prodhon dot as hudhra. Të cilat vinë nga Kina natyrisht.
Rreziku për shëndetin
Ekspozimi kronik ndaj këtyre kimikateve lidhet me dëmtime neurologjike, çrregullime hormonale dhe rrezik të shtuar për kancer. Fëmijët dhe gratë shtatzëna janë veçanërisht të rrezikuar. Kur domatja shqiptare kthehet mbrapsht nga Kroacia për tejkalim të chlorfenapyr, nuk është thjesht një dështim tregtar — është një alarm për shëndetin publik.
Ekonomia dhe reputacioni në rënie
Refuzimi i eksporteve, pezullimi i kontratave dhe rënia e besimit nga blerësit ndërkombëtarë po i kushton Shqipërisë miliona euro. Por më e rëndësishmja: po humbim reputacionin si vend me bujqësi të pastër. Në një epokë ku konsumatori global kërkon transparencë dhe siguri, Shqipëria po shfaqet si një vend që nuk garanton asnjërën.



















