Netflix është një nga platformat që po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet kohët e fundit në mbarë botën. Mesa duket, edhe shqiptarët nuk kanë qenë larg dëshirës për t’u bërë pjesë e arkivës së filmave të kinemasë botërore, pasi sipas statistikave është rritur ndjeshëm numri i përdoruesve.
Sipas statistikave të vitit 2024 nga World Population Review, Shqipëria numëronte 20 mijë përdorues aktivë. Ndërkohë, sa i përket vendeve të rajonit, Shqipëria dhe Mali i Zi renditeshin të parafundit, ndërsa në vendin e parë ndodhej Serbia me 200 mijë përdorues. Më pas në listë renditej Maqedonia e Veriut me 50 mijë përdorues. Ndërkohë, Bosnje Hercegovina mbante numrin më të ulët të përdoruesve me vetëm 10 mijë të tillë.
Por në fund të vitit 2024 këto statistika kanë pësuar ndryshime. Sipas Start.io Audiences, e cila mat në kohë reale përdoruesit e Netflix në shtete të ndryshme, rezulton se Shqipëria ka aktualisht 37,773 përdorues aktivë.
Këto statistika tregojnë se grupmosha që e përdor më së shumti Netflix-in është ajo 18-24 vjeç, e cila përbën rreth 48% të audiencës. Në vend të dytë renditet grupmosha 25-32 vjeç, që zë 35.2% të përdoruesve. Nga ana tjetër, kategoria e moshës 33-44 vjeç përfaqëson 8.8% të audiencës. Ndërkohë, dy grupmoshat me përqindjen më të ulët janë ajo 45-54 vjeç dhe 55+ vjeç, me përkatësisht 3.9% dhe 4.9% të audiencës shqiptare.