Ndërron jetë 30-vjeçarja që frymëzoi botën me historinë e saj

512
Sigal

Modelja dhe aktivistja Mama Cax, emri i vërtetë i të cilës është Cacsmy Brutus, ndërroi jetë në moshën 30-vjeçare. Lajmi u zbulua të premten vonë, përmes llogarisë së saj në Instagram. ”Të thuash se Cax ishte një luftëtare, do të ishte nënvlerësim”,-shkruhet në postim. ”Si një e mbijetuar e kancerit, ajo ishte mësuar t’i merrte sfidat përsipër dhe t’ja dilte mbanë me sukses. Me të njëjtin përkushtim ajo luftoi edhe gjatë ditëve të fundit në Tokë”. Në fillim të këtij muaji, Cax njoftoi ndjekësit se kishte pasur dhimbje të forta barku dhe shkoi në urgjencë në Londër për shkak të mpiksjes së gjakut. Postimi i fundit në Instagram zbulon se modelja qëndroi në spital për një javë dhe ndërroi jetë të hënën.

Mama Cax, e cila festoi 30-vjetorin në nëntor, lindi në Nju Jork, por u rrit në Haiti. Gjatë viteve të fundit të jetës, punoi si blogere, aktiviste, modele dhe organizoi një sërë takimesh për motivimin e të tjerëve. Në moshën 14-vjeçare, Cax u diagnostikua me osteosarkomë, një formë e rrallë e kancerit të kockave. Asokohe, mjekët i dhanë vetëm tri javë jetë. Megjithatë ajo ia doli t’i mbijetonte sëmundjes, pavarësisht çmimit që iu desh të paguante. Mjekët kryen një operacion, pa sukses, nga i cili Cax humbi njërën këmbë. Pavarësisht vështirësive, modelja përfundoi studimet Bachelor dhe Master për Studime Ndërkombëtare. Ajo studioi në Nju Jork, Francë, Tunizi dhe Romë.

Historia e saj dhe dëshira për të mos u dorëzuar e kthyen Caz në një nga më të përfolurat. Modelja debutoi me sukses në Javën e Modës në Nju Jork duke marrë pjesë në sfilatat e Tommy Hilfiger dhe Savage x Fenty. Gjithashtu në vitin 2016 u cilësua nga Glamour si një nga gratë e vitit. Ndër të tjera, bashkëpunoi me Olay, Target dhe Asos. Ideja për të hapur një blog i lindi në 2013-n, gjatë një udhëtimi në Azinë Juglindore. Qëllimi i saj ishte të ndante eksperiencat e fituara gjatë udhëtimeve, por shumë shpejt u bë muzë për shumë njerëz e firma veshjesh.

View this post on Instagram

🕊👼🏾

A post shared by Mama Cāx 🇭🇹 (@mamacax) on