Kënga ‘Meant To Be’ nga Bebe Rexha, zyrtarisht më e dëgjuara në histori të zhanrit country, në Mbretërinë e Bashkuar

23
Sigal

Kënga “Meant To Be” e artistes me famë botërore me origjinë shqiptare, Bebe Rexha, ka arritur të pozicionohet në vendin e parë si kënga më e dëgjuar e muzikës country në të gjitha kohërat në Mbretërinë e Bashkuar.

Kënga e realizuar në bashkëpunim me duon Florida Georgia Line, u lansua për herë të parë në vitin 2017 si pjesë e EP-së së Rexhës, të titulluar “All Your Fault Pt. 2”. Ky ishte hapi i parë i Bebes drejt influencave të muzikës country dhe në atë kohë u bë kënga më e suksesshme e saj në Mbretërinë e Bashkuar, duke hyrë në Top 100 të këngëve zyrtare në shkurt 2018 dhe duke arritur në pozicionin e 11-të në mars. Në Shtetet e Bashkuara, ajo u ngjit deri në vendin e dytë në Billboard Hot 100.

“Meant To Be” prin listën e këngëve më të transmetuara të muzikës country në Mbretërinë e Bashkuar me një total prej 175 milionë transmetimesh, duke lënë pas performues të tjerë legjendarë të muzikës country. Kënga “9 to 5” e Dolly Parton renditet e dyta me 166 milionë transmetime dhe “Take Me Home Country Roads” e John Denver zë vendin e tretë me 154 milionë transmetime.

Taylor Swift gjithashtu është pjesë e kësaj liste me baladën e saj “Love Story” në vendin e katërt, ndërsa Dolly Parton bën paraqitjen e dytë në top 5 me këngën e saj klasike në duet me Kenny Rogers “Islands In the Stream”, e cila gjendet në vendin e pestë.

Artistë të tjerë të përfshirë në Top 10 përfshijnë “Need You Now” nga Lady A (vendin e shtatë), “Say Something” nga Justin Timberlake dhe Chris Stapleton (vendin e tetë) dhe “Before He Cheats” e Carrie Underwood (vendin e nëntë).

Official Charts që është kalkulatori më i madh i këngëve në Mbretërinë e Bashkuar, ka publikuar së fundmi listën me 10 këngët më të dëgjuara të zhanrit country, në histori të Mbretërisë së Bashkuar.

Kjo është lista zyrtare:

1. “Meant To Be” – Bebe Rexha ft. Florida Georgia Line
2. “9 To 5” – Dolly Parton
3. “Take Me Home Country Roads” – John Denver
4. “Love Story” – Taylor Swift
5. “Islands In The Stream” – Dolly Parton & Kenny Rogers
6. “The Gambler” – Kenny Rogers
7. “Need You Now” – Lady A
8. “Say Something” – Justin Timberlake ft. Chris Stapleton
9. “Before He Cheats” – Carrie Underwood
10. “Tennessee Whiskey” – Chris Stapleton

Të dhënat bazohen në transmetimet audio dhe video zyrtare të këngëve country nga të gjitha platforma kryesore të transmetimit në Mbretërinë e Bashkuar.