Suplementi Pena Shqiptare/ Çaush Kullafi: Kriza e leximit dhe ftesa e shkrimtarit Zija Çela

Në një kohë kur bota rrotullohet me ritmin e një ekrani që ndizet e fiket si puls i lodhur, libri duket se ka mbetur si një kandil i vjetër në një qoshe, që pret dikë t’i japë dritë. Shoqëria jonë po qëndron gjithnjë e më larg leximit, jo sepse nuk ka çfarë të lexojë, por sepse ka humbur durimin për të dëgjuar heshtjen që libri kërkon. Sot fjala konsumohet si një gotë ujë e hedhur me nxitim, ndërsa dikur ajo pihej ngadalë, si një verë e vjetër që kërkon kohë për të zbuluar shijen. Teknologjia, kjo shpikje e mrekullueshme e mendjes njerëzore, është një shpatë me dy tehe: nga njëra anë ndriçon rrugën e dijes, nga ana tjetër e mbulon atë me dritë artificiale, duke na bërë të harrojmë dritën e brendshme. Informacioni sot vjen si një stuhi, por mendimi i thellë mbetet si një pemë që ka nevojë për kohë të rritet. Sot nuk përballesh më me librin, por me ekranin. Nuk hap faqen që të flasës me zë të ulët, por prek një sipërfaqe të ftohtë që të bombardon me dritë dhe informacion të copëzuar. Libri kërkon durim, si një mik që rrëfen ngadalë historinë e tij; ekrani kërkon vetëm vëmendje të shpejtë, si një treg i zhurmshëm ku çdo gjë thërret për t’u parë, por asgjë nuk mbetet gjatë në mendje. Dhe kështu, mendja e njeriut bëhet si një dritare e hapur ku hyn gjithçka, por nuk ndalet asgjë. Mësuesi kërkon një ese, një përshkrim, një analizë vepre. Kërkon mendim, ndjesi, përjetim. Por nxënësi, e shpesh edhe studenti,  nuk ballafaqohet më me librin, nuk e prek, nuk e shfleton, nuk e jeton tekstin. Ai përballet me ekranin, ku përgjigjet janë të gatshme, të shkurtra, të thjeshtuara dhe të shpejta. Analiza kthehet në kopjim, mendimi në përmbledhje, ndërsa reflektimi humbet si një zë në një sallë bosh. Në vend që të hyjë në botën e autorit, ai rri në sipërfaqe, si një udhëtar që sheh detin, por nuk zhytet kurrë në të.

Panairet e librit përpiqen të zgjojnë këtë dëshirë të fjetur. Ato janë si festa të fjalës, si pranvera që troket në një tokë të tharë. Librat rreshtohen si dritare të hapura, autorët flasin, lexuesit afrohen, dhe për një moment duket sikur marrëdhënia me librin po rilind. Por kjo mbetet shpesh një shkëndijë e përkohshme. Pasi mbyllen panairet, njerëzit kthehen sërish te ekranet, si zogj që harrojnë fluturimin dhe zgjedhin telat. Dëshira për të lexuar zgjohet, por nuk ushqehet; ndizet, por nuk mbahet gjallë. Dhe pikërisht në këtë boshllëk të thellësisë, lind nevoja për autorë që nuk i përkasin zhurmës, por i përkasin përjetësisë. Në këtë kontekst, vepra e Zija Çelës shfaqet si një oaz në shkretëtirën e sipërfaqes. Ai nuk është një shkrimtar që të fton të arratisesh nga realiteti, por një shkrimtar që të detyron ta shohësh atë më thellë. Romanet e tij janë si pasqyra të turbullta: në fillim nuk e dallon qartë veten, por sa më shumë i shikon, aq më shumë kupton se ajo që të shqetëson është pikërisht e vërteta që ato fshehin. Në universin letrar të tij, një vend të veçantë zë romani “Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”, një titull që vetë tingëllon si dedikim për djalin e tij Dritanin, që ai e quan  përkthyes me flatra, i cili mbylli sytë kur ishte vetëm 36 vjeç   Shkrimtari Zija Çela përmend veprat që biri i tij  përktheu,  Dritani (Tani) siç i thirrte Zijaj u bë shpejt i njohur, duke u cilësuar “përkthyesi genuin i Dino Buzzat-it”dhe më pas, për gjithë punën e tij, u mbiquajt “përkthyesi me flatra”. Shkrimtari e përfytyron atë edhe si engjëll me flatra ndër ato vise, ku zotëron paqja e amshuar e Zotit.. Dashuria tek Zija Çela nuk është një ndjenjë e lehtë, por një peshë që mbartet, një kujtim që djeg, një e vërtetë që shpesh kuptohet vetëm kur është vonë. Është si një letër e pashkruar që hapet vetëm pas mbylljes së jetës.

NOA

Edhe në romanet e tjera të tij, si në rrëfime të ndryshme që ndërthurin realitetin me absurden, ai krijon një botë ku njeriu përballet me vetminë, me kohën, me fatin. Veprat e tij janë si ura të varura mbi boshllëkun: lexuesi kalon me kujdes, por kur arrin në anën tjetër, nuk është më i njëjti. Vepra e tij nuk është një rrugë e drejtë, por një labirint ku lexuesi humbet për të gjetur veten. Personazhet e tij nuk janë heronj të stolisur, por njerëz të zakonshëm, që mbajnë mbi shpinë barrën e absurditetit të jetës. Ai i ndërton ato si një piktor që nuk kërkon perfeksionin e formës, por të vërtetën e ndjesisë. Në këtë kuptim, personazhet e tij janë si pasqyra të çara: nuk të japin një imazh të bukur, por një imazh të vërtetë. Stili i tij është një përzierje e heshtjes dhe goditjes. Fjalët e tij janë si pika shiu që bien lehtë, por që me kalimin e kohës gërryejnë shkëmbin. Ai nuk përdor zhurmën për të tërhequr vëmendjen; përkundrazi, përdor qetësinë për të depërtuar në ndërgjegje. Sarkazma e tij është si një bisturi e hollë: nuk pret me forcë, por me saktësi. Ai përqesh të keqen jo për ta zvogëluar, por për ta zbuluar më qartë. Jeta e Zija Çelës është e lidhur ngushtë me këtë përulësi krijuese. Ai nuk është një shkrimtar që kërkon podiume, por një që ndërton në heshtje. Në shoqërinë shqiptare, ai ka fituar një simpati të veçantë jo për zhurmën që bën, por për thellësinë që lë. Ai është si një burim uji në mal: nuk bie në sy nga larg, por kush e gjen, e kupton vlerën e tij. Lexuesi i tij nuk është kalimtar, por bashkëudhëtar. Ai nuk lexon për të kaluar kohën, por për të kuptuar kohën. Në një botë ku gjithçka lexohet shpejt dhe harrohet më shpejt, veprat e Zija Çelës  mbeten si gurë kilometrikë në rrugën e mendimit.

Po sa vlerësohet sot një shkrimtar i tillë? Në një shoqëri ku fjala matet me klikime dhe jo me peshë, ai është si një diamant i fshehur në tokë: nuk shkëlqen në sipërfaqe, por ka një vlerë që nuk shuhet. Ai nuk kërkon duartrokitje, sepse vepra e tij nuk është për momentin, por për kohën.

Dhe prapë, do të shkruaja për të. Sepse ai përkryen sarkazmën ndaj së keqes si një mjeshtër që nuk ngre zërin, por e lë veprën të flasë. Sepse nuk kërkon madhështi, por e krijon atë në mënyrën më të heshtur. Sepse arti i tij është si një dritë e butë që nuk të verbon, por të udhëzon.

Ky është arti i Zija Çelës, të të zgjojë pa britma, të të përballë pa mëshirë, të të ndriçojë pa u dukur. Dhe pastaj të largohet, si një hije e lehtë në mbrëmje, pa kërkuar asgjë. Por ne, si lexues, mbetemi, më të vetëdijshëm, më të trazuar, por edhe më të pasur. Faleminderit, shkrimtar Zija Çela!