“Mos u mbingarkoni me ilaçe, po ju dëmtojnë!” / Shefi i urgjencës thirrje qytetarëve

275
Sigal

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, i ka bërë thirrje qytetarëve të infektuar me koronavirus që të shmangin mbingarkimin me medikamente.

Në një komunikim me mediat, Brataj u shpreh se kur një person merr shumë medikamente, organet mbingarkohen dhe dëmtohen nga vetë ato.

Ndërkohë, në lidhje me vaksinën e COVID-19, Brataj u shpreh se shpërndarja do të bëhet jo sipas moshës, por përparësi do të kenë personat me sëmundje shoqëruese.

“Është gjithë bota në pritje dhe në interpretim të gjërave, por të mos harrojmë lajmet e mira për vaksinimin. Mos të harrojmë që virulenca e virusit nuk është rritur, që është gjëja më kryesore, minimumi nuk ka ndryshuar. Vazhdon 80% e njerëzve të jenë asimptomatikë dhe me forma të lehta. Vdekshmëria nga 4% që ishte, është 2.1%. Tani po informojmë njerëzit që të mos masakrohen me medikamente kot. Organet mbingarkohen dhe dëmtohen nga vetë medikamentet. Shpresojmë që dhe vaksina të vij, pasi për fat të mirë jemi në grupin Covax. Ka një plan strategjik, një rregullore, si bëhen vaksinat.

E mira është që vaksina të bëhet sipas rregullit. Çdo person me sëmundje shoqëruese do ta bëjë i pari vaksinën. Nuk do të bëhet me moshë, kush kalon 50 vjeç, jo! Do të bëhet kush ka më shumë rrezik, si moshat e treta dhe ata që kanë sëmundje bashkëshoqëruese. Nuk ka sens të bëjë vaksinën ai që ka kaluar Covidin, sepse i ka krijuar antitrupat. Është e njëjta gjë si gripi. Nëse kjo pandemi do të bllokohet në fund të sezonit të saj, me apo pa vaksinë, nuk ka nevojë ta bëjmë vaksinën, por nëse ajo do të përsëritet, ka sens të bëhet”, deklaroi Brataj.