MOMMY TUCK, transformimi i nënave moderne

517
Dr. Rezarta Kapaj
Kirurge Plastike në Spitalin Amerikan 
Është e çuditshme se si duke u përqendruar tek fjala “nënë”, tendenca ekziston që në një farë mënyre të anashkalohet fjala “grua”. Dhe ndërkohë që nënat e reja u japin gjithë energjinë, kohën dhe dashurinë bijve, fare pak kohë mbetet që nëna të kujdeset për veten dhe për unin e saj “femër”. Megjithatë nuk ndodh domosdoshmërisht kështu. Sot, gjithmonë e më shumë po shohim nënat hollivudiane të kthehen në formë menjëherë pas lindjeve. Është e pamundur të mos t’i kesh zili këto zonja, të cilat menjëherë pas lindjes së fëmijëve, janë gati të ecin plot vetëbesim në pasarela. Pra, cili është sekreti i tyre? A është thjesht fat apo është më e komplikuar se kaq? 
Me zhvillimin e kirurgjisë plastike, rregullimi i deformimeve trupore pas lindjes është bërë realitet. Këto operacione, të cilat përmblidhen nën emrin “mommy tuck” përfshijnë rregullimin e deformimeve të barkut, të gjoksit dhe të ijëve. Për të kuptuar pse disa nëna të reja nuk munden të kthehen në trupin e tyre të mëparshëm pas shtatzënive, duhet të ndalemi fillimisht tek ndryshimet që trupi pëson për shkak të shtatzënisë. Gjatë rritjes progresive të barkut, kur trupi akomodon mrekullinë e vogël që do të lindë, të gjitha shtresat e murit abdominal ndikohen. Lëkura zmadhohet me shpejtësi dhe në varësi të elasticitetit të saj, çka përcaktohet nga tendencat gjenetike, mund të krijohen çarje në dermis që manifestohen si strija. Fillimisht strijat kanë ngjyre të kuqe, me kalimin e kohës ato zbardhen, por lëkura asnjëherë nuk kthehet në gjendjen e mëparshme. E vetmja mënyrë që ato të zhduken është heqja e lëkurës së dëmtuar. 
Dhjami, sidomos ai në ije, është një tjetër nga shqetësimet të cilat mbeten tek nënat e reja. Duke kaluar tek shtresat poshtë dhjamit, në nivelin muskulor, duhet theksuar se muskujt e barkut gjatë shtatzënisë hollohen në mënyrë të konsiderueshme. Gjithashtu kjo ndarje dhe hollim i muskulatures se barkut, bën që barku të duket i fryrë edhe në një trup të hollë. Të gjitha këto ndryshime adresohen në operacionin e abdominoplastisë. Lëkura e tepërt hiqet, dhjami i tepërt tërhiqet dhe diastasis recti riparohet. Operacioni i barkut ose abdominoplastia krijon një linjë të re të trupit dhe shpesh vajzat që dalin nga ky operacion shprehen se beli u është ngushtuar dhe kërthiza u është zbukuruar.
Ky operacion zhvillohet me anë të një incizioni, i cili fshihet në të brendshme, mjaft i ngjashëm me shenjën e operacionit cezarian, por disi më i gjatë. Pra, edhe bikini mund të vishet pa nxjerrë “sekretin”. 
Gjiri është një tjetër zonë e ndikuar nga shtatzënia dhe dhënia e qumështit. Kur gjiri mbushet me qumësht, lëkura mbi të tendoset dhe në disa raste mund të shkaktojë strija edhe këtu. Në rastin e gjirit operacionet nuk janë standarde. Në disa raste zmadhimi me protezë mjafton për të rregulluar formën dhe për të shtrirë lëkurën e rrudhur. Në raste të tjera mastopeksia, pra ngritja e gjoksit duke përdorur indin e vet nevojitet. Ka edhe raste kur gjoksi duhet zvogëluar për të arritur rezultate të kënaqshme, si nga ana estetike, ashtu edhe nga ana terapeutike, pasi këto zonja shpesh përjetojnë dhimbje të qafës dhe mesit, për shkak të peshës së gjirit. Tashmë ëndrra e një trupi të bukur pas lindjes është shndërruar në një realitet më se të kapshëm.
Sigal