SGS kërkojnë shtrenjtimin e kolaudimit. Qeveria i hap rrugën në shtator

578
Autoritetet shqiptare konfirmuan dje zyrtarisht se kanë vendosur të marrin në konsideratë për shqyrtim në muajin shtator të këtij viti, një kërkesë të SGS Automotive për të rritur çmimin e kolaudimit të automjeteve. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës pohon se kompania “SGS”, që ka koncesionin e shërbimi të kolaudimit të automjeteve, ka dorëzuar një kërkesë për të rishikuar tarifat e kontrollit me 6,7 %, rreth 200 lekë, duke kërkuar kështu rritje të çmimit të shërbimeve të kolaudimit. Ministria shqiptare e Transportit dhe Infrastrukturës thotë se kërkesa bazohet në pikën 8.2.2 të kontratës konçesionare të vitit 2009, që parashikon rishikim të tarifave çdo 3 vjet, për të reflektuar rritjen e normës së inflacionit. SGS e ka kërkuar rritjen e çmimit para afatit ligjor. Këtë e konfirmon MTI, e cila thotë se pas kësaj kërkese ka ngritur menjëherë një grup pune që shqyrtoi kërkesën e “SGS”. “Grupi i punës e vlerësoi si të parakohshme këtë kërkesë. Periudha kur palët sipas kontratës duhet të diskutojnë për tarifat bazuar në pikën 8.2.2 të kontratës, është Shtatori i vitit 2016”, – thotë ministria e Transportit. Kjo ministri nuk sqaroi nëse SGS do të ndëshkohet për mosrespektim kontrate, për faktin që ka kërkuar rritje çmimi para afati, duke investuar kështu ministrinë e cila u detyrua të ngrejë grup pune për të verifikuar dhe konstatuar se shtrenjtimi i çmimit kërkohej disa muaj para afatit ligjor. Që nga viti 2014, SGS aplikon çmime kolaudimi që shkojnë deri në 2950 lekë. 
Sigal