Kujdesi dhe mirëqënia psikologjike gjatë përhapjes së sëmundjeve infektive

697
Sigal

Përballë një situate epidemiologjike si ajo që po hasim ditët e fundit është normale të kemi reagime të forta emocionale apo psikologjike si tek të rriturit ashtu dhe te më të rinjtë, adoleshentët  dhe fëmijët. Duhet të tregohemi të kujdesshëm në dhënien dhe shpërndarjen e saktë të informacionit mbi rrugët e përhapjes dhe sigurimit të masave mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së virusit COVID – 19.

Informacioni  i plotë dhe në kohë reale  luan një rol të rëndësishëm në kontrollin e përhapjes së sëmundjes, menaxhimin e ndjenjave të frikës dhe pasigurisë që mund të ndjejë cilido prej nesh. Ndaj sot është e rëndësishme të kemi mbështetjen e nevojshme për përballjen si duhet me këto emocione, frikëra dhe pasiguritë të cilat mund të na shoqërojnë në këtë periudhë, por në të njëjtën kohë dhe rritja e vigjilencës apo marrja e masave paraprake janë thelbësore në aktivitetet e përditshmërisë tonë .

Por si duhet të veprojmë për të qënë të sigurt në këtë klimë dhe të sigurohemi që ndjenjat e frikës apo ankthit mos të marë në kontroll jetën tonë ?

Gjatë përhapjes të një sëmundje infektive, domosdoshmëri është ndjekja dhe zbatimi i  udhëzimeve / rekomandimeve që vlejnë  për të rritur shkallën e besimit dhe sigurisë brenda vetes e në të njëjëtën kohë ulin nivelin e pasigurisë tek vetë individi:

1.Informimi. Informimi në kohë reale dhe nga burime të besueshme  mbi përhapjen e sëmundjes.

2.Ndërgjegjësimi. Ndiqni dhe ndani informacione themelore në lidhje me higjenën për të zvogëluar përhapjen e sëmundjes, siç është larja e duarve dhe sjelljet ndaj simptomave.

3.Shmangia e keqinformimit. Nëse jeni të mirëinformuar, ndihmoni në korrigjimin e informacionit duke shpërndarë burime të besueshme dhe të mbështetura nga strukturat shëndetesore përgjegjëse.

4.Kufizoni ekspozimin ndaj mediave. Merrni informacionet e nevojshme nga mediat elektronike apo ato vizive, e më pas shkëputeni vëmendjen prej tyre (fikini ato).

5.Parashikoni dhe adresoni reagimet e stresit. Mbani mend se: është normale të ndjeni  stres në reagimin ndaj përhapjes së virusit e të jeni të vetëdijshëm për shenjat e stresit  tuaj apo të pjesëtarëve të tjerë  të familjes. Ndërmerni veprime  për të minimizuar dhe adresuar stresin, duke u përqëndruar në aspektet pozitive të jetës dhe sjellje që ju mund t’i kontrolloni  duke kërkuar mbështetje nga familja dhe miqtë tuaj.

6.Përmbushni nevojat themelore. Ushqehuni shëndetshëm, hidratohuni dhe flini rregullisht për të përmirësuar cilësinë e jetës  duke  siguruar kujdes për veten dhe të tjerët.

7.Bëni pushim. Aktivitetet pushuese dhe relaksuese mund të ofrojnë një shpërqendrim të dobishëm.

8.Ruani kontaktet. Dhënia dhe marrja e mbështetjes nga familja, miqtë dhe kolegët mund të zvogëlojë ndjenjat e izolimit.

9.Vetëkontrolli. Monitoroni veten për shenja të stresit në rritje. Bisedoni me një anëtar të familjes, mik, bashkëmoshatar ose specialist  nëse është e nevojshme.

Frymëmarjet e qëllimshme, te thella, te rregullta mund të funksionojnë shumë mirë për të rivendosur ekuilibrat dhe për të parandaluar shfaqjen e panikut dhe simptomave të pakëndshme fizike që shoqërohen me ankthin.

Sot është detyra jonë si prindër, mësues dhe kujdestar të tregohemi të kujdesshëm në komunikimin e vazhdueshëm me fëmijët apo nxënësit tanë. Nuk mund të mohohet kjo situatë, por duhet të përballohet pa përhapjen e ndjenjave të frikës në mënyrë të panevojshme, ndaj duhet të kemi në vëmendje tonë :

  • Të flasim me fëmijët në mënyrë të drejtpërdrejtë, qetësisht, duke ruajtur një ekuilibër midis asaj që duam t’ju shpjegojmë për situatën në të cilën ndodhemi dhe  hapave që  duhet të ndjekim për higjenën vetjake me qëllim mosinfektimin.
  • Te bisedojmë për gripin sezonal mbi të cilin ata kanë informacion, e njohin e kanë kaluar vetë apo kanë parë një familjar ta kalojë.
  • Duhet tu shpjegojmë që kjo është një situatë e re, e pajetuar më parë. Ka mungesë informacioni dhe është normale që të gjithë të jemi të shqetësuar, ndaj është e rëndësishme të ndjekimin rregullat e higjenës vetjake ( të lajmë duart shpesh me sapunë  dhe të përdorim kartëpiceta njëpërdorishme të cilat më pas i hedhim në kosh). Të gjitha këto mund të bëhën në formë loje me fëmijët nga më të rriturit të cilët duhet të shërbejnë gjithmonë si model.
  • Mos u transmetoni atyre frikërat dhe pasiguritë tuaja mbi situatën.
  • Bisedoni me ta për emocionet dhe atë cka ata ndjejnë, sigurojini që frika është një emocion normal që e përjetojnë të gjithë si të rriturit ashtu dhe fëmijët.
  • Orientojini fëmijët të merren me detyrat që do tu vijnë nga mësuesit (sipas udhëzimit të ministrisë).
  • Sigurojni ata që ne kemi mjeke te mirë dhe shumë profesional.
  • Kjo është një situatë që do të kalojë por kërkon kohë dhe mbi të gjitha respektimin e të gjitha rregullave që janë vendosur.