Infeksionet urinare: Pse ndodh dhe cilët janë shkaktarët ?

547
Sigal

Gazeta Telegraf/ 

Sistemi
urinar është krijuar për të formuar, mbledhur dhe eliminuar urinën nga trupi
ynë. Urina në vetvete është sterile, por prishja e mekanizmave normalë të
mbrojtjes bën që mikrobet të ngjiten dhe të shumohen në fshikëzën e urinës e më
lart. 
Infeksionet më të zakonshme të sistemit urinar ndodhin tek femrat dhe prekin
fshikëzën dhe uretrën.

Infeksionet
e fshikëzës (cistiti) shkaktohen zakonisht (deri 90%) nga Escherichia coli (E.
coli), një lloj mikrobi që gjendet në traktin tretës. Akti seksual mund të çojë
në cistit, por një femër mund të zhvillojë infeksion të traktit urinar edhe pa
pasur jetë aktive seksuale. Të gjitha femrat janë shumë të predispozuara për të
zhvilluar cistite falë anatomisë së traktit të tyre urinar, sidomos afërsisë së
uretrës së tyre me anusin dhe distancës së shkurtër nga hapja uretrale në
fshikëzën e urinës.

Infeksionet
e uretrës (uretriti) ndodhin kur bakteret nga zorra e trashë dhe anusi kalojnë
për në uretër. Dhe veç kësaj, meqenëse uretra dhe vagina janë shumë afër,
atëherë edhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme, si herpes simplex,
gonorrea dhe klamidia janë shkaktarë të shpeshtë të uretriteve.

Të mos
harrojmë prostatitet të cilat janë infeksione të prostatës tek burrat dhe kanë,
veç shenjave shumë të theksuara (djegie gjatë urinimit, urinime të shpeshta në
sasi të pakët, dhimbje në fund të barku), edhe irritabilitet që mund të çojë
edhe deri në depresion, por janë edhe të vështira për t’u mjekuar, pasi
antibiotikët penetrojnë me vështirësi në këtë ind dhe kërkojnë periudha të
gjata mjekimi, deri në 6 muaj.

Cilët
janë faktorët e riskut

Disa
njerëz mund të zhvillojnë më shumë dhe më shpesh infeksione se të tjerët dhe
këta janë:

*
Gjinia femër, 50% e tyre zhvillon një infeksion urinar në një moment të caktuar
të jetës së tyre dhe shumë prej tyre mund të zhvillojnë më shumë se një të
tillë.

* Jeta
aktive seksuale. Femrat me jetë seksuale aktive janë më të prira për të
zhvilluar më shumë infeksione urinare. Akti seksual mund të irritojë uretrën,
duke predispozuar bakteret të udhëtojnë më lehtë deri në vezikë. Madje, kulmi i
infeksioneve urinare te femrat arrin në “muajin e mjaltit” apo me fillimin e
aktivitetit seksual.

*
Përdorimi i disa metodave profilaktike, siç janë diafragmat apo përdorimi i
agjentëve spermicidë.

*
Mosha. Pas menopauzës, infeksionet urinare mund të shtohen, pasi indet e
vaginës, të uretrës dhe baza e fshikëzës bëhen më të holla dhe më të brishta
nga humbja e estrogjeneve që i mbajnë këto inde vitale.

*
Gurët në veshka apo çdo lloj obstruksioni i traktit urinar (edhe hipertrofia
beninje e prostatës, e cila haset shpesh tek burrat mbi 60 vjeç, rrit
incidencën), duke penguar rrjedhjen normale të urinës dhe duke shkaktuar stazë.

*
Diabeti dhe sëmundjet e tjera kronike të cilat ulin mbrojtjen imunitare.

*
Përdorimi i zgjatur i tubave (kateterave urinare)

*
Imobilizimi (qëndrimi për një kohë shumë të gjatë në shtrat – pas frakturave të
ndryshme)

*
Shtatzënia.

*
Higjiena e ulët.