Hani mollë sa më shpesh që mundeni, ja të mirat shëndetësore që ka

3618

 

Sigal

Molla jo më kot është ndër
frutat më të pëlqyera nga njerëzit dhe më e preferuara nga mjekët. Ajo ka një
varg të dobive shëndetësore, që nga vitaminat që ofron, rënia në peshë dhe deri
te antioksiduesit, të cilët mbrojnë nga sëmundjet e zemrës dhe diabeti.

1. Ka vlera ushqyese

Edhe pse është e ëmbël,
molla ofron sasi goxha të lartë të fibrave të tretshme (katër gramë fibra një
mollë mesatare) dhe një sasi modeste të kalorive (95). Veç kësaj, një mollë
mesatare llogaritet sa një filxhan fruta, andaj duke ngrënë një mollë ju jeni afër
për të plotësuar sasinë e preferuar të frutave ditore (rreth dy filxhanë për
personat e moshuar). Mollët po ashtu janë një burim i mirë i vitaminës C, e
cila është imuno-stumuluese (ofron 14 për qind të Vlerave Ditore të saj).

2. Ndihmon në rënien nga
pesha

Mollët plotësojnë
ndjenjën e urisë duke u ofruar vetëm pak kalori, andaj nuk është befasuese se
pse ato janë pjesë e dietave të shëndetshme të cilat promovojnë rënien nga
pesha. Dhe, një studim i fundit ka treguar se edhe mollët e thata po ashtu kanë
ndihmuar në rënien nga pesha. Femrat të cilat kanë ngrënë një filxhan molla të
thata në ditë për një vit, kanë humbur disa kilogramë peshë dhe kanë ulur
nivelet e kolesterolit dhe markerëve (treguesve) të sëmundjeve të zemrës.
Kërkuesit nga Universiteti i Floridës mendojnë se antioksiduesit me mollë dhe
pektinë (lloj fibre) janë përgjegjëse për këto dobi të kësaj frute – dhe
mendojnë se mollët e freskëta do të ishin edhe më efektive në këtë drejtim.

3. Mbron zemrën

Studimi nga Florida nuk
është i vetmi që tregon se konsumimi i mollës ndihmon në shëndetin e zemrës.
Vitin e kaluar (2013) një studim nga Iowa Women’s Health raportoi se në mesin e
mbi 34 mijë grave të cilat janë përcjellë për 20 vjet, mollët kishin kontribuar
në uljen e rrezikut për vdekje edhe nga sëmundja koronare e zemrës e edhe nga
sëmundjet kardiovaskulare. Disa vite më herët, shkencëtarët finlandezë kishin
studiuar të dhënat e mbledhura për 28 vite nga mbi nëntë mijë gra dhe burra dhe
kanë gjetur se konsumuesit më të shpeshtë të mollës kishin rrezik më të ulët
për të vuajtur nga goditja në tru, krahasuar me ata që nuk kanë ngrënë frutën
në fjalë. Ekspertët mendojnë se dobitë e mollës në shëndetin e zemrës vijnë nga
përbërësit me natyrë antioksiduese të saj. Ato pengojnë kolesterolin e keq (LDL)
të oksidohet dhe të ngurtësojë enët e gjakut si dhe ulin shkallën e
inflamacionit. Veç kësaj, fibrat e tretshme të mollës po ashtu ndihmojnë edhe
uljen e përgjithshme të nivelit të kolesterolit.

4. Mbron nga sindroma
metabolike

Njerëzit të cilët hanë mola
mund të jenë më pak të prirë të vuajnë nga sindroma metabolike, një grumbull
simptomash që lidhen me rrezik më të rritur për sëmundje të zemrës dhe diabet.
Një analizë e kërkuesve amerikanë nga të dhënat e mbledhura nga National Health
and Nutrition Examination Survey (NHANES) ka gjetur se njerëzit të cilët kishin
ngrënë molla në çfarëdo forme gjatë ditës së kaluar, kishin 27 për qind më pak
gjasa të kenë simptoma të sindromës metabolike (pra të nesërmen pas ngrënies),
krahasuar me ata që nuk kanë ngrënë mollë. Ata të cilët kishin ngrënë molla po
ashtu kishin nivele më të ulëta të proteinës C-reaktive, një marker (tregues) i
inflamacionit, prania e të cilës në gjak tregon se ka rrezik të shtuar për
sëmundje të zemrës dhe diabet.

5. Zgjat shkallën e stërvitjeve

Duke ngrënë një mollë
para se të filloni stërvitjet, mund të shtojë qëndrueshmërinë tuaj stërvitore.
Mollët ofrojnë një antioksidues të quajtur kuercetin, i cili ndihmon në
qëndrueshmërinë fizike duke e bërë oksigjenin më të kapshëm nga mushkëritë. Një
studim ka treguar se kuercetina, edhe kur merret në formë të suplementëve
(tabletave), u kishte ndihmuar njerëzve të ngasin biçikletën më gjatë.