Dr. Llambi Konomi: Lodhja kronike, karakteristikat, mjekimi ……?

Dr. Llambi Konomi,

Specialist i Sëmundjeve të Brendshme

Sigal

 

Pak vite me parë është përfshirë në terminologjinë e sëmundjeve të brendshme një sindrom i ri që quhet sindromi i lodhjes kronike (CFS), ndërkohë që tani njihet dhe aplikohet çdo ditë e më shumë në klinikën praktike pas studimeve e botimeve të shumta në mjaft vende perëndimore.

1- Karakterizohet.

Gjendje patologjike të shprehur nga dobësi e lodhje e theksuar që zgjatë më shumë se një muaj, me mungesë të durimit e të përqendrimit, me rënie të fuqisë fizike e psiqike me një gjëndje që njeriu nuk ndihet i shplodhur edhe pas pushimit, fenomene këto që me kalimin e kohës në vend që të shuhen ato bëhen më të theksuara dhe refeklojnë më së fundit në uljen e cilësisë jetësore të të sëmurit.

Besoj se çdokush nga ne është dëshmitarë kur jemi ndodhur para një bisede të një pacienti që sapo ka kaluar një viroze me mjekun e tij kurues kur i thoshte se nuk e ndjej veten mirë, kam dobësi e lodhje të madhe dhe dhimbje artikulare e muskulare, mjeku krejt i sigurt i pergjigjet:
“Mos u bëj merak, kështu e kanë virozat, është një “gjendje post gripale” që do të kalojë shpejt, pa menduar së pikërisht këtu mund të jemi para fillimit të një sindromi të tillë dhe se ai po gjeti terrenin e favorshëm në një organizëm të dobësuar e me forca imunologjike të pamjaftueshme dhe predispozicion gjenetik, ajo gjendje mund të marri një dekurs të gjatë progresiv e me një prognoze të paparashikuar. Këtë fakt na e vërtetoi më së miri përvoja e pandemisë së fundit të Covid 19, kur me mijëra njerëz që e kaluan atë në forma të rënda përfunduan në qëndra rehabilituese fizioterapeutike, ndërsa mjaft të tjerë ankohen akoma dhe sot për fenomene karakteristike të këtij sindromi siç janë: pagjumësia, dhimbjet osteomuskulare si dhe dobësi e lodhje të pashpjeguar.

2-Shkaqet dhe diagnostikimi

Mund të jenë: një infeksion viral siç është gripi, Covid19, enterovirozat ose mononukleoza infektive, çrregullimet neuropsiqike siç është depresioni dhe encefalomieliti, çrregullimet endokrine të boshtit hipotalo-hipofizar-suprarenal, sëmundjet autoimmune, siç janë mialgjia reumatizmale dhe sëmundjet inflamatore të zorrëve si dhe faktorët gjenetik.

Sot diagnostikimi i këtij sindromi është rritur.
Kështu vetëm në SHBA rezulton se rastet e tij janë rritur nga 180 -255/100.000 banorë që kanë qënë më parë në 1775-6321/banorë sot, ndërsa frekuenca e tij është mesatarisht 11-24% te personave të marra në studim, kur vetëm në shërbimin shëndetësor parësore nga të gjithë të sëmurët e paraqitur për ndihmë ata me këtë sindromë janë 3-20% të rasteve, ndërsa në popullsinë e përgjithshme ai gjendet në 0,2-2,54% me një predominim 2 herë më shumë te gratë e moshës 25-45 vjeç se tek burrat, pa përjashtuar këtu edhe grupmoshat e tjera të fëmijëve ose të moshuarve në raste më të rralla.

Është e vërtetë se vendosja e diagnozës CFS nuk është aspak e lehtë, sepse nuk ka një test diagnostikues specifik për të e as ndonjë ekzaminim laboratoro-komplementar të veçantë që të konfirmojë diagnozën e tij, paharruar këtu edhe faktorin subjektiv të mjekëve që luan role kryesor, ku njohuritë e tyre teorike dhe përvoja praktike janë të pamjaftueshme dhe si pasojë ata e konfondojnë këtë diagnozë me mjaft sëmundje të tjera somatike, që përmendëm më lartë si shkaqe të tij, prandaj u del detyrë e tyre që duhet t’i përjashtojnë ato në bazë të ekzaminimeve specifike përkatëse që disponojnë në klinikë.

Për këtë diagnoza e këtij sindromi është mirë të vihet pasi të vlerësohen mirë gjithë të dhënat anamnestike të të sëmurit, ato të ekzaminimit fizik të tij si dhe të dhënat laboratorike, të cilat megjithëse mund të mos ndihmojnë sa duhet direkt, ato plotësojnë mirë gjithë figurën e funksioneve të organizmit të të sëmurit. Rëndësi të veçantë i jepet anamnezës dhe kryesisht momentit të fillimit të papritur të sëmundjes pas 24 orëve të para kur i sëmuri referon se pas një sforcimi fizik të zakonshëm ai ndihet shumë i lodhur dhe i rraskapitur, gjendje kjo e cila në depresionin e mirëfilltë dhe në sëmundjet e tjera ndodh e kundërta, sepse të sëmurët e gjejnë veten më mirë pas sforcimit fizik. Këtë symptomë amerikanët e kanë quajtur simptomi PEME.
Zhvillimi i mëtejshëm i sëmundjes është i shpejtë dhe i zgjatur, me simptoma të shumëllojshme siç janë temperatura, dhimbjet e fytit dhe të kokës, të muskujve, të artikulacioneve, të barkut e të thoraksit, pagjumësi, shfaqjet alergjike, çrregullime endokrine, seksuale e psiqike, palpitacione, sensibilitet të gjëndrave limfatike të qafës e të sqetullës, humbje peshe, mungesë durimi e përqendrimi për gjërat akoma me të thjeshta, siç mund të jetë drita, zhurma, temperatura e ambjentit, bile dhe bisedat më të thjeshta. Të gjitha këto simptoma e detyrojnë të sëmurin t’i drejtohet mjekut, i cili jo rrallë e dërgon atë nga një specialist te tjetri duke vonuar kështu vënien e diagnozës ose vendosja e saj gabim, gjë e cila ndodh në 80% të rasteve dhe të sëmurët demoralizohen, braktisin punën dhe vetizolohen, bien në dëshpërim.

3-Mjekimi

Përsa i përket mjekimit të këtij sindromi duhet thënë se një pjesë e mirë e të sëmurëve përmirësohen, ose vetëshërohen pa asnjë mjekim. Për të sëmurët e tjerë në vazhdim të mëtejshëm të programit të punës kuruese duhet të sigurohet më parë bashkëpunimi i mirë i mjekut me të sëmurin dhe të afërmit e tij që kujdesen për të, me kolegët e punës së tij si dhe me gjithë specialistët e tjerë dhe ata të sektorit fizioterapeutike.

Mjekimi i të sëmurëve është etiologjik e simptomatik. Kështu ata me infeksione virale trajtohen me preparate antivirale siç është acikloviri, ata me sëmundje autoimmune me kortizonik dhe imunoglobuline, ata me fenomene depressive me medikamente antidepresive dhe qetësues, ata me shfaqje endokrine me hormone zëvendësuese përkatëse, ndërsa për dhimbjet me analgjezik, për pagjumësinë me hipnotik, për alergjitë me antiistaminik dhe për përmirësimin e përqëndrimit e të lodhjes me methylfenidate etj.

I sëmuri duhet të këshillohet të rregullojë mënyrën e jetesës së tij. Të evitojë kafet dhe alkoolin, të evitojë shplodhjen passive, sepse ajo e çon në invaliditet, por dhe punën fizike të sforcuar, sepse e lodh dhe e çon në ndërprerjen e programit që ka nisur. Në mënyrë të veçantë i jepet rëndësi edhe ushqimit dietetik të të sëmurit. Ai duhet të jetë i pasur në kalorazh me vitamina, të jetë me vakte të shpeshta e të vogla, i pasur në karbohidrate, në fruta e zarzavate dhe peshkë,i varfër në yndyrna e sheqerna si dhe të përdoret ujë me bollëk.

Të sëmurët duhet të edukohen me simptomat e sëmundjes dhe veçanërisht me simptomin PEME, ata të dinë t’i interpretojnë ato, të kenë besim më të madh në vetvete si dhe në prognozën e sëmundjes, të dinë të komandojnë më mirë njohuritë vetjake e sociale si dhe veprimtaritë e tyre, me qëllim që të zbusin sa më shumë simptomat që kanë e që mundojnë shumë.