Kozma Gjini: Babëdudasit e Beratit…

“BABËDUDASIT E BERATIT…

Reportazh

Sigal

Nga Kozma GJINI

“Për të shkuarën, mos derdh lot!/

Për të ardhmen mos mendo kot!/

Sa je, çairen kullot!/

Nga drapëri i vdekjes s’shpëton dot/!” O.K.

Po afrohej 60-vjetori i mbarimit të maturës. Bisedat me shokët e moshës së rinisë përqendroheshin në një pikë: “Kur do ta lemë takimin për 60 vjetorin e maturës?” Që t’i hyje kësaj pune duheshin telefonuar 39 vetë, nxënës të klasës kl.4b, ish-shkolla pedagogjike “Babë Dudë Karbunara” Berat, që e kishin përfunduar maturën 6 dekada më parë. Dhe më dilnin parasysh bashkëmoshatarët të ulur në bankat e klasës së IV-B: Agim Methoxha, Agron Begaj, Arben Bakiaj, Abedin Fasko, Arshi Levendi, Agron Strumi, Bilbil Nazëraj, Ali Rushitaj, Bashkim Sanxhaku, Gëzim Sulejmani, Isa Gjozi, Janaq Zguri, Kozma Gjini, Kujtim Lushaj, Lefter Gjordeni, Lefter Jaupaj, Llazar Bardhi, Mihal Çuni, Mikail Gjata, Mehmet Omeraj, Myfit Alushaj, Neki Metaj, Nezir Mehmeti, Novruz Agalliu, Përparim Flamuri, Qamil Pepa, Qemal Osmani, Riza Alushi, Ramadan Nukaj, Rrahman Dashi, Riza Kumanaku, Shyqeri Elezi, Shkëlqim Qafa, Tetem Muçaj, Tajar Dine, Themi Ndreka, Xhelal Plepi, Xhemil Avdulaj dhe  Xhemail Ulaj.

Dhe çfarë doli pas bisedës me shokët?  Nga 39  bashkëmoshatarët e maturës, 16 vetë kishin ndërruar jetë. Na dhëmb shpirti për ta. Mund të isha edhe unë ndër ta, edhe x apo y, se nuk të pyet askush, as kur të zbret në tokë, as kur të merr nën tokë. 18 veta ishin në gjendje që premtonin për t’u bashkuar, kurse 5 vetë ishin me probleme shëndetësore. Pas bisedës me shokët, u ra dakort që në takim, secili të vinte çift, pra, me bashkëshorten e tij.

Matura e vitit 1965, ish-shkolla pedagogjike “Babë Dudë Karbunara”, Berat, klasa e 4-b, (sot gjimnazi me të njëjtin emër), mori një  vendim: “Takimi të realizohej më 13 shtator 2025”. Me peshën e viteve mbi supe, flokëthinjur, (njeriu fisnik mbi të gjitha e rëndon varfëria se sa flokëbardha pleqëri), ndonjë edhe me bastun, me bashkëshortet e jetës së tyre pranë, të nisur herët nga rrethet, zbritën në qytetin e Beratit të mbushur me mall e dashuri për njëri-tjetrin dhe u ulën në bankat e tyre, siç ndodhi në vitin 1961, 64 vjet më parë, kur ata ishin 14-15 vjeçarë, plot ëndrra të bukura për t’u bërë misionarë të përhapjes së dritës së diturisë, të arsimit dhe të kulturës në çdo skaj që e kërkonin nevojat e atdheut. Si zogjtë shtegtarë, nisur erdhën nga: Fieri, Lushnja, Berati, Skrapari, Mallakastra, etj, ata morën mësimet dhe edukatën e pedagogëve të tyre të shkëlqyer, disa prej të cilëve kishin studiuar jashtë dhe nga shtatori 1965 e këtej e shkrinë jetën për t’u hapur sytë e mendjes vocërrakëve kudo që u caktuan në kushte largësie, terreni dhe mungesën e transportit. Kurse godinat përdhese që pikonin apo ku shiu e era, të ftohtit, hynin nga njëra anë, në tjetrën në klasë. E bukura e këtij takimi kaq mbresëlënës ishte se kishim pranë jo vetëm shoqet tona të jetës, por disa erdhën 3 brezash, me fëmijët dhe  nipërit e tyre, si për të thënë:”Ja, sa ky djali isha, kur erdha në këtë shkollë”. Ora 10 :30. Përballë godinës së shkollës, në mjediset e lokalit, ka gjallëri e burrat s’e përmbajnë dot gëzimin. Vënë në provë kujtesën e njëri-tjetrit. Biseda bëhet interesante e ngjall kureshtje:

-Kush je ti?

-Po ti kush je?

-Nga Skrapari?

-Jo.

-Nga Mallakastra.

-Mos rrije në bankën e dytë?

-Nga dritaret e klasës shikoje vajzat kur bënin fizkulturë me Hënën?

-Mos je Llazari? Arbeni? Aliu? Kujtojnë me rradhë emrat e shokëve.

Pa nis një përqafim i përmallshëm krahësh që shtrëngojnë njëri-tjetrin, si atëherë kur ishin paksa notuar adoleshencës. Takojnë të qeshur e të gëzuar.Të mbushur gjithë emocion.

Maturantët i priti me mirësjelljen e tij, drejtori i gjimnazit “Babë Dudë Karbunara”, z. Gjergji Angjeliu, por tashmë në një godinë të re, me strukturë b/kohore, inauguruar në shtator 2024, ku pjesë e gëzimit ka qënë edhe kryeministri Rama. Burrat e moshës së tretë qëndrojnë përpara shkallëve dhe u vjen mall për godinën e vjetër, e cila nuk duket në horizont. Ajo kishte tjetër konstrukt dhe secilit prej nesh i vjen keq. Ish-maturantët ngjiten në katin e dytë, drejt klasës ku ndenjën për 4 vite shkollë, nga 1961-1965. Ulen në bankat e tyre, si dikur, kur ishin paksa çamarokë të padjallëzuar. Dëgjohen tingujt e “Himnit të flamurit kombëtar”. Të pranishmit ngrihen në këmbë. Pas himnit dhe një buqetë lulesh të freskëta si dhe pamjes së polifotos së 16 shokëve të larguar nga jeta, nisin bisedat. Polifotoja e tyre kalon e preket me dorë nga të pranishmit, bankë më bankë. Fjalën e mirëseardhjes e mbajti drejtori i gjimnazit “Babë Dudë Karbunara”, z. Gjergji Angjeliu. Shkolla pedagogjike funksionoi si e tillë (për përgatitjen e mësuesve që do të përhapnin dritën e diturisë kudo në fshatrat e atdheut, deri në vitin 1968 dhe pas këtij viti, ajo do të kthehej në gjimnaz. Jam i privilegjuar që drejtoj këtë shkollë ku ju keni studiuar. Shkolla ka mësues të përgatitur me shkallën e parë të kualifikimit. Janë 6 matura, baraz me 178 nxënës. Vitin e kaluar 80% e maturantëve fituan të drejtën e studimit në universitet.

Ju përgëzoj për gjetjen e gjuhës së përbashkët për t’u takuar me rastin e 60 vjetorit të mbarimit të shkollës. Duke parë moshën tuaj, them se nuk e keni patur të lehtë të bashkoheshit e të bënit realitet këtë takim emocionues. Prekem nga kompaktësia juaj. Ju keni lënë pas hallet dhe ndonjë plagë apo shqetësim të natyrshëm. Ndiej emocione, sikurse edhe ju. Të gjesh shoqërinë e rinisë së shkollës së mesme dhe të biesh dakort për t’u takuar së bashku me familjet dhe nipër e mbesa, siç keni bërë ju, është një gjest mirëkuptimi dhe kjo flet shumë, jo vetëm për shëndetin tuaj familjar, por edhe për mësimet që keni marrë në bankat e kësaj shkolle. Gjatë këtij viti këtu janë takuar 3 matura. Njëra prej tyre bëri 50-vjetorin dhe dy maturat e fundit për 60-vjetorin”. E postoi këtë lajm ish-ambasadori e bashkëmoshatari ynë, Jonuz Begaj, shok klase me Gani Xhamallatin, negociatorin e papërtuar të klasës së IV-A. Faleminderit, Gani!

“Të kthehesh në retrospektivë e të kujtosh rrugën që keni përshkuar ju deri më sot, është më tepër se një sakrificë. Them kështu, sepse e di që ju keni kontribuar për përhapjen e dijes në fshatra të thellë, të largët, mes shiut dhe erës, kudo që ka qënë nevoja për kuadër e në kushte të vështira. Shkolla jonë dhe juaja, e cila mban emrin e patriotit Babë Dudë Karbunara, ka një histori të shkruar me mundin e sakrificat e të gjithë mësuesve që kanë punuar këtu dhe të qindra mijëra nxënësve që ka nxjerrë për të kontribuar në zhvillimin e përparimin e vendit. Nga kjo shkollë kanë dalë profesorë, mësues, mjekë, inxhinierë, agronomë, ekonomistë, shkrimtarë, diplomatë, e mjaft profile të tjera. Jemi krenar që prej bankave të kësaj shkolle kanë dalë shkencëtarë e matematicienë, pedagogë me grada e tituj shkencorë, që japin mësim në universitetet e vendit dhe jashtë. Produkt i “Babë Dudës…” kanë qënë edhe Prof. Dr. Dhori Kule, Prof. Dr. Mishel Fundo, ……Tase, Dr. Kita Sallabanda, Kristaq Prifti…etj. Ka nxjerrë poet e shkrimtarë kjo shkollë, si: Xhevahir Spahiu, Elmaz Qerreti, Xhevahir Lleshi, Kozma Gjini, Mira Lino, gazetari i “Zërit të Amerikës”, Ilir Ikonomi, atashe kulturor i Shqipërisë e figura të tjera publike të shquara. Nxënësit tanë kanë fituar çmime nderi në olimpiadat zonale e kombëtare. Ishte pikërisht nxënësi ynë ai që na solli “Prizmin e Artë”, fituar në Olimpiadën kombëtare e sa e sa trofe të tjerë”.

Gjimnazi “Babë Dudë Karbunara” është shkolla numër 1 në Berat. Stafi pedagogjik po punon që ta mbajë me nder e t’i çojë më tej arritjet, me synimin që të kapim radhët e para ta shkollave të dalluara të republikës. Trofetë që kanë fituar nxënësit e kësaj shkolle në kampionatet sportive, janë afishuar dukshëm për shikuesin në katin e parë të shkollës. Rindërtimi i kësaj shkolle nuk është vetëm ngritja e mureve dhe strukturës fizike, por edhe rinjgjallje e shpresës dhe ambicieve për të ardhmen e brezave që do të formohen këtu. Në shkollë punon një staf pedagogjik i përbërë nga mësues të arsimuar e me përgatitje praktike për t’ iu përgjigjur kushteve të reja të shkollës. Nxënësit dolën me rezultate të larta dhe konkurojnë në degë të preferuara në universitetet tona dhe jashtë vendit. Ata kanë marrë medalje ari brenda dhe jashtë vendit, dhe kjo është meritë e bashkëpunimit shkollë- familje, fryt i punës së palodhur e sistematike të mësuesve. Ka nxjerrë shumë figura në spektrin akademik, shkencor, media, arsim profesional dhe praktik. Pretendojnë që ta ngremë më lart prestigjin e shkollës ku ne kemi studiuar 60 vite më parë.

DISA TROFE TË SHKOLLËS

Shkolla “Babë Dudë Karbunara” në Berat (dikur shkollë Pedagogjike, sot gjimnaz) ka qenë një nga institucionet më të njohura arsimore në Shqipëri dhe nxënësit e saj ndër vite kanë fituar një sërë trofesh dhe çmimesh, si në:

Olimpiada Kombëtare – nxënësit kanë marrë vende të para dhe të dyta në lëndë si matematikë, letërsi, histori, gjuhë të huaja dhe shkenca natyrore.

Konkursi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë – shumë herë ka dalë fituese në nivele rajonale dhe kombëtare.

Garë sportive – veçanërisht në volejboll, basketboll dhe atletikë, kanë fituar kupa në kampionatet shkollore rajonale dhe kombëtare.

Art dhe kulturë, nxënësit e shkollës janë vlerësuar me çmime në konkurse të recitimit, këngës dhe teatrit të shkollave.

Debate dhe projekte rinore. Ka fituar çmime në programe të financuara nga organizata kombëtare dhe ndërkombëtare, sidomos në fusha si mjedisi dhe qytetaria aktive.

Kjo shkollë ka patur gjithmonë emër të mirë për nivelin e lartë të mësimdhënies dhe për nxënës që më pas janë bërë personalitete në arsim, art, kulturë, shkencë dhe politikë.

Në emër të ish-maturantëve përshëndeti. z. Arben Bakiaj. Ai falenderoi drejtorin e shkollës për mikpritjen dhe qytetarët e Beratit, të cilët i kanë mbajtur konviktorët si djemtë e tyre, pa krijuar as problemin më të vogël. “Mirë se keni ardhur në takimin tonë me rastin e 60-vjetorit të mbarimit të maturës dhe njëherësh gëzuar ditën e çlirimit të qytetit të Beratit! Ky qytet na mbajti si të ishim fëmijët e tij, na mësoi dhe edukoi për t’u bërë mësues të denjë e për të punuar pa u lodhur për shpërndarjen e dijes kudo që paraqitej kërkesa. Kujtojmë me nderim të thellë e mirënjohje pedagogët tanë, të cilët ishin aq shumë të përkushtuar për përgatitjen tonë. Ata janë në zemrat dhe në kujtimet tona: Drejtori Skënder Kameniku, Aqif Hoxha, Nuri Borshi, Pandi Vakëflliu, Elsa Vakëflliu, firmëtare e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe dhe mësuesja jonë kujdestare, Andon Sinjari, Asllan Sulo, Ismail Shehu, Iliaz Velçani, Ilia Zaka, Pavllo Sahatçiu, Aqif Hoxha,  Ramiz Haznedari, Vali, Vlash Droboniku, Bardhi i muzikës, Haki Ago, Petrit Papa, Siri Nuri, Burbuqe Gugu, Agim Doko, Hëna Gjeorgjiani, Shkëlqim Gjeorgjiani,Vangjel Kule,  Luci Nushi, Nexhip Hyseni, si dhe kujdestarët e konviktit: Pajtim Polovina, Sazan Lakra, Caci Bushamaku.

Kemi një nostalgji të ligjshme për traditat e shkollës ku morëm mësimet e para për arsimin e formimin tonë të përgjithshëm, por edhe për pedagogët tanë dhe gëzohemi, kur dëgjojmë për sukseset e shkollës. Ndiejmë dhimbje për largimin nga jeta të pedagogëve. Ne kemi punuar pa u lodhur me nxënësit kudo që na kërkoi koha dhe veç detyrave drejtuese, kemi kryer me ndërgjegje të lartë edhe detyrat shoqërore, siç e kërkonte koha. Ndërkohë kujtojmë me dhimbje të thellë dhe përulemi me respekt para 16 shokëve që na janë larguar nga jeta, si: Bilbil Nazëraj, Bashkim Hazizi, Arshi Levendi, Lefter Jaupi, Xhemail Ulaj, Rahman Dashi, Abedin Fasko, Themi Ndreka, Novruz Agalliu, Agron Begaj, Qemal Osmani, Janaq Zguri, Gëzim Sulajmani, Neki Metaj, Riza Alushi dhe Shkëlqim Qafa. Për nder të kujtimit të tyre, maturantët u ngritën në këmbë dhe mbajtën 1 minutë heshtje.

PËRSHËNDESIN NGA LARGËSIA

…Dhe diskutimi i Arbenit pritet në mes. Vjen një telefonatë nga jashtë. Nga Kreta merr ish-nxënësi i kësaj mature, Mehmet Omeraj, djali i ardhur nga Gjerbësi i Skraparit. Ai e ka të pamundur ardhjen, por një urim për shokët dëshiron ta transmetojë dhe e realizon nëpërmjet ekranit të telefonit.Telefonin e kalojmë nga njëra bankë, te tjetra, atje ku janë shokët e tij, Agimi, Aliu, Llazari, Qamili, Shyqeriu, Arbeni, Mihali, Lefteri, Ramadani, Xhelali, Xhemili, Tajari, Komi, etj dhe shokët nxjerrin mallin me pamjen dhe zërin e shokut të tyre M. Omeraj. Mehmeti ishte nxënës i jashtëm. Djalë i urtë, por inteligjent e me një shkrim të bukur.

Skerdi Begaj, djali i matematikanit e sportistit, organizator i lojës të klasës sonë, Agron Begaj (larguar nga jeta) dërgon një mesazh që nga Toronto. Ai dëshironte të ishte këtu në mungesë të babait në takimin e 60-vjetorit të maturës, por kalon përshëndetjet e mirënjohjen për të gjithë të mbledhurit dhe kjo përcillet me dhimbje, ndërsa dëgjojmë mesazhin për shëndet e begati shokëve të babait të tij. Po kështu edhe shokë të tjerë që e patën të pamundur ardhjen si: Mikail Gjata, Tetem Mucaj, Isa Gjozi, Nezir Mehmeti e Bashkim Sanxhaku, në mënyrat e tyre bëjnë lidhjen me shokët.

2.Xhemil Avdulaj, ish-maturanti serioz dhe i dashur e komunikues me të gjithë shokët, ai që ishte ngarkuar edhe për kujdesin e rregullin në konvikt, solli disa kujtime nga ajo periudhë e shkollës duke kujtuar disiplinën shëmbullore të konviktorëve. Ai falenderoi kolegun K. Gjini për organizimin. Falenderoi pegagogët tanë që na mësuan rregullat bazë të sjelljes në kolektiv, me nxënësit dhe komunitetin, që na edukuan me ndjenjën e dashurisë, të sakrificës e të respektit për njëri-tjetrin.

“Gjatë këtyre viteve përballuam vështirësi e pengesa, sfiduam varfërinë dhe u kapëm fort pas hallkës pozitive, duke mobilizuar të gjitha forcat për të bërë realitet detyrat e kohës. Ne dhamë maksimumin tonë dhe e realizuam me nder misionin gjatë gjithë karrierës së mësuesisë dhe u detyrohemi e u jemi mirënjohës pedagogëve që na futën në shpirt metodat e të mësuarit të cilat na shërbyen në punën tonë të përditshme.

3.Mihal Cuni tha: ”Unë jam i vetmi maturant që erdha në shkollë me instrument muzikor. Ishim klasë me djem që përbënin bërthamën e grupit të korit të shkollës. Ishim kompakt dhe nxënës që kishim prirje për muzikë. Në të vërtetë, shokët tanë përbënin elementët më simpatik, me trup të gjatë e zë të kultivuar për korin e shkollës. Ishim të parët në aktivitetet jashtëshkollore. Nuk e harroj rrugëtimin për në fshatin Velabisht të Beratit, ku dhamë koncert artistik për fshatin ose në Starovë, në Krujë etj.

Në Tiranë na ndodhi një incident me grupin e vajzave. Shkuam në Tiranë në Olimpiadën muzikore të shkollave të mesme. Ne ishim me profesorët tanë dhe me grupin e vajzave që përbënin korin e tablosë muzikore e cila zuri vendin e parë në shkallë republike, nën drejtimin e prof. Ramiz Haznedarit. Disa çuna tiranas, ngacmuan vajzat tona dhe u desh ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën. Kishte edhe në atë kohë përplasje të cilat na bënë që atë mbrëmje ta gëdhinim jashtë e fjetëm në lulishte, nëpër stola. Nuk harroj këtë rast. Megjithatë shkolla pedagogjike “Babë Dudë Karbunara “ zuri vendin e parë në konkurs me tablon muzikore. Fituam diplomën e festivalit. Ishim shumë djem simpatik dhe të sjellshëm.